Zeneli thotë se vlerat e botës duhet t’i sjellim në vend

Letërsia e huaj do të dominojë në panairin tradicional të librit. Kështu u shpreh Abdullah Zeneli, botues dhe shkrimtar, në “Rubikon» të KTV-së ku u diskutua mbi letërsinë dhe përkthimet.




«Duhet të jemi këmbëngulës që vlerat e botës t’i sjellim në vend», ka thënë Zeneli, transmeton Koha.net.

Mirëpo, Nerimane Kamberi, shkrimtare dhe përkthyese, ka thënë se kërkesa për përkthime në vend kultivohet dhe se për përkthim përveç gjuhës duhet njohur edhe traditat e autorit.

«Përkthimi letrar është rikrijim dhe përkthyesi duhet ta ketë një bagazh të madh kulturor», ka thënë ajo.

Shija personale dhe njohja e gjuhës janë përcaktuesit se çfarë të përkthej sipas përkthyeses, Oriela Stafasani – Apolloni, e cila thotë se e ka komoditetin e zgjedhjes pasi është edhe studiuese e letërsisë.

Studiuesi i letërsisë, Bardh Rugova potencon se letërsia shqipe ja vlen të përkthehet por shoqëria nuk di ta çmojë atë.

Ndonëse, ai ka thënë se lexuesi shqiptarë nuk është i sinqertë dhe janë sipërfaqësor në argumentimin e tyre mbi pëlqimin ose jo të një shkrimtari.