Zemërohet Ivica Daçiqi: «Si është e mundshme që SHBA-të të investojnë 20 vjet për pavarësinë e Kosovës?»

Ministri i jashtëm serb në detyrë Ivica Daçiq ka shprehur mllefin kundër ndihmëssekretares amerikane të shtetit, Victoria Nuland.

Victoria Nuland dhe Ivica Daçiq gjatë takimit në Beograd. Foto: Tanjug

Gjatë vizitës së nënsekretares amerikane të shtetit, Victoria Nuland, në Beograd temë e pashmangshme ka qenë edhe Kosova. Siç njofton B92 ministri i Jashtëm në detyrë Ivica Daçiq e ka pyetur zonjën Nuland se si është e mundur që SHBA-të të përkrahin pavarësinë e Kosovës qe 20 vjet, ndërsa Kosova e ka shpallur pavarësinë para 8 vitesh. «Kur i thashë se kam menduar se SHBA-të janë angazhuar për sovranitetin e Serbisë në vitin 1996, ajo tha se ata (amerikanët, v.j.) përherë angazhohen për sovranitetin e Serbisë, por pa Kosovën», tha Daçiq.

Ish-zëdhënësi i diktatorit serb Slobodan Milosheviq ka tërhequr një paralele mes Krimesë dhe Kosovës. «I thashë asaj (Victoria Nuland) se është interesante që një gjë të tillë e ka dëgjuar edhe nga ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, i cili ka thënë se Rusia angazhohet për sovranitetin e Ukrainës, pa Krimenë. E shihni se si janë të ndryshme interpretimet të parimeve të ndryshme dhe nocioneve», deklaroi Daçiq.

Ministri i Jashtëm serb tha se «nëse tani jemi pak naiv dhe për herë të parë dëgjojmë se ata kanë investuar 20 vjet për pavarësinë kosovare, atëherë kjo hap disa çështje të tjera. Çështja e bombardimit të Serbisë më 1999, andaj mendoj se ka ardhur koha të shqyrtohet jo vetëm çështja e Irakut, por edhe e bombardimit të Serbisë më 1999». (-lli)