Zbulimi i korrupsionit mbetet sfidë për median e Ballkanit

Në Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë dhe Serbi presioni i jashtëm – qoftë nga rrethet politike, të biznesit apo të krimit – është një faktor i rëndësishëm, i cili i jep formë dhe kufizon mënyrën se si media raporton mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Foto: Shutterstock

Krimi i organizuar dhe korrupsioni janë sfidat kryesore me të cilat përballen shoqëritë e Ballkanit Perëndimor, në të cilat korrupsioni në veçanti përbën pakënaqësinë kryesore për shtetasit dhe votuesit. Si në çdo demokraci, media luan rol kyç lidhur me informimin e publikut mbi këto tema dhe në formimin e debateve publike. Hapësira në të cilën media është e aftë ta bëjë diçka të tillë në mënyrë objektive dhe të pavarur ndihmon publikun për të kuptuar përmasat e problemit, si dhe njëkohësisht vlerëson se çfarë po bëjnë përfaqësuesit e tyre të zgjedhur dhe institucionet në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Gjatë vitit 2017, BIRN kreu një studim rajonal që shpjegoi se si media raporton mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë dhe Serbi. Përveç vlerësimit se si media raporton mbi këtë temë, studimi synoi gjithashtu të zbulojë pse media raporton në mënyrën që raporton mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin. Në mënyrë specifike, studimi ynë synoi t’i identifikojë sfidat dhe pengesat me të cilat përballen organizatat mediale nëpër rajon kur bëhet fjalë për raportimin mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Gjetjet kryesore

Në Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë dhe Serbi, një nga gjetjet kryesore është se presioni i jashtëm – qoftë nga rrethet politike, të biznesit apo të krimit – është një faktor i rëndësishëm, i cili i jep formë dhe kufizon mënyrën se si media raporton mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin. Në të njëjtën kohë, mënyra në të cilën presioni manifestohet si dhe mënyra se si ai kufizon punën e gazetarëve dhe mediave është e ndryshme nëpër rajon. Serbia qëndron mënjanë si rasti më ekstrem, ku raportet e medias mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin shihen gjerësisht si të instrumentalizuara nga elita në pushtet në përpjekjen e saj për të mbajtur pushtetin përmes metodave që shkojnë përtej asaj që mund të konsiderohet e pranueshme në një demokraci të konsoliduar.

Qëllimi i këtij instrumentalizimi është jo vetëm që të pikturohet pamja e një qeverie të angazhuar aktivisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, por akoma më shqetësuese, për të sulmuar dhe diskredituar kundërshtarët – madje edhe aleatët – e partisë në pushtet. Ky instrumentalizim i medias shërben gjithashtu për të vënë në presion prokurorët dhe gjykatësit, me synim sigurimin e rezultatit të dëshiruar në çështje specifike.

Një situatë e ngjashme është evidente në Bosnjë, ku është i qartë instrumentalizimi i raportimit të medias mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin nga një numër fraksionesh politike. Gjithsesi, ka dallime mes situatës në Bosnjë dhe asaj në Serbi. Në Serbi, media që raporton mbi krimin e organizuar dhe korrupsioni instrumentalizohet në shumicë dërmuese nga një kamp politik – partia në pushtet; në Bosnjë, kampe të ndryshme konkurruese politike kanë instrumentalizuar me sukses seksione të ndryshme të medias së vendit.

Në Kosovë, media është gjithashtu e ekspozuar ndaj presionit të jashtëm dhe ndikimit me origjinë nga politika ashtu si edhe nga sipërmarrjet publike apo private kur bëhet fjalë për raportimin mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Gjithsesi, nuk duket se ka të dhëna konkrete që tregojnë se instrumentalizimi i raportimit mediatik është një fenomen i gjithëpërhapur. Presioni mbi median shfaqet më shpesh të jetë i drejtuar ndaj shtypjes së raportimit që mund të jetë dëmtues për politikanët dhe biznesmenët me ndikim më shumë se sa përmes nxitjes së raportimit mbi praktikat korruptive apo kriminale të rivalëve, siç është shpesh rasti në Bosnjë dhe Serbi.

Qasja në informacion

Vështirësitë në qasjen në informacion dhe burime- si formale ashtu edhe joformale – u gjetën se janë një faktorë tjetër kyç në pengimin e aftësisë së medias për të raportuar mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin nëpër rajon. Në të tri vendet, gazetarët rrallë herë ankohen mbi mungesën e kushteve ligjorepër qasjen në informacion nga zyrtarët dhe institucionet. Përkundrazi, ankesa e tyre është se në praktikë institucionet janë shpesh pasive ose të mbyllura, kur vjen puna për të komunikuar me median.

Një gjetje e rëndësishme e hulumtimit të BIRN është se në të tri vendet ka një mungesë uniformiteti dhe konsistence në atë se si institucionet dhe zyrtarët komunikojnë me median.

Në disa raste, edhe nëse strategjitë formale apo udhëzimet ekzistojnë mbi atë se si institucionet e sundimit të ligjit dhe zyrtarët duhet të komunikojnë me median, këto rregulla nuk zbatohen. Shpesh, rregulla të tilla nuk ekzistojnë ose nuk janë të qarta. E gjithë kjo situatë ka krijuar një panoramë shumë të përzier në të cilën, për shembull, një gjykatë apo një zyrë prokurorie mund të jetë e hapur ndaj kërkesave të medias për informacion, ndërsa një tjetër mund të jetë jashtëzakonisht e mbyllur dhe jo-reaguese.

Në raste të tilla, hulumtimi ynë gjeti se kontaktet personale dhe profesionalizimi i mediave të caktuara apo gazetarëve të caktuara ndikon në qasjen në informacion në mënyrë pozitive ose negative. Ky ishte mendimi dominues veçanërisht në Kosovë. Gazetarët e pavarur që specializohen në raportimin mbi temat në fjalë shihen se në përgjithësi kanë qasje më të mirë në informacion se të tjerët.

Anësia politike e mediave të caktuara është një faktor kyç që ndikon mbi qasjen në informacion dhe në burime, si zyrtare ashtu edhe jozyrtare. Në të vërtetë, kjo duket se është një faktor përcaktues veçanërisht i rëndësishëm në qasjen në informacion në Bosnjë dhe Serbi, ndërsa të dhënat e mbledhura sugjerojnë se ky nuk është faktor kyç në Kosovë. Ndërsa disa bashkëbisedues në Kosovë pretenduan se media pranë qeverisë ka akses më të mirë në informacion dhe burime, gazetarët e intervistuar në shumicën e rasteve e hodhën poshtë një pretendim të tillë. Serbia sërish përbën një rast ekstrem. Qasja në informacion atje, formale dhe në veçanti joformale, lidhej fort me afërsinë e medias së caktuar me partinë në pushtet.

Në të vërtetë, shumë nga të intervistuarit nga BIRN folën hapur për ekzistencën e medias “së privilegjuar”, e cila shijon qasje preferenciale në informacion. Një panoramë më komplekse shfaqet në Bosnjë. Afërsia politike e një medie ndikon qasjen në informacion. Gjithsesi, duke parë nivelet e shumta të qeverisjes dhe numrin e madh të partive që kanë poste në nivele të ndryshme të qeverisë në Bosnjë, pak media janë tërësisht të bllokuara nga aksesi në informacion.

Sfidat profesionale

Kapacitetet e kufizuara profesionale dhe teknike, krahas shqetësimeve për sigurinë, ishin ndër pengesat më të shpeshta mbi raportimin e medias mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin të identifikuara në Bosnjë, Kosovë dhe Serbi. Në disa raste, gazetarët nga Bosnja dhe Kosova iu referuan frikës për sigurinë personale si pengesë kur shkruanin mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin. Në veçanti, ata iu referuan frikës së krijuar nga rrethet kriminale në vendet e tyre respektive, apo frikës për marrjen e kërcënimeve.

Në mënyrë interesante, ankesa të tilla u dëgjuan më pak nga gazetarët në Serbi, ku vetëcensura dukej një pengesë më themelore.

Një pengesë e përbashkët për gazetarët në të tri këto vende ishte frika e humbjes së vendeve të punës në rast se ata nuk ushtronin vetëcensurë, ose nëse ata këmbëngulnin në shkrimin mbi tema të caktuara të lidhura më krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Në të tri këto vende, gazetarët dhe redaktorët vazhdimisht u ankuan mbi mungesën e kohës dhe burimeve që duhet t’i kushtojnë raportimit mbi këto tema.

Kjo, nga ana tjetër, i parandalonte ata nga përfshirja në hulumtime apo ndjekja e rasteve të krimit të organizuar dhe korrupsionit më në detaje.

Një problem tjetër i qartë lidhej me nivelin e cunguar të aftësive profesionale, njohurive dhe ekspertizës së shumë gazetarëve kur bëhet fjalë për raportimin mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin. Gjithsesi, mbi këtë pikë, opinionet dhe perceptimet dallonin shumë. Një numër domethënës i të intervistuarve si pjesë e studimit të BIRN, veçanërisht ata nga policia, gjykatat apo prokuroria, shprehën mendimin se gazetarët shpesh nuk kishin aftësitë profesionale për të raportuar mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin. Kjo u pa si një pengesë kyçe për raportim më të mirë mbi këto tema.

Shumë gazetarë ishin dakord me komente të tilla, duke vërejtur se shpesh ata ndjeheshin të nën-kualifikuar për të raportuar mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin, veçanërisht kur vinte puna te proceset gjyqësore komplekse. Gazetarët që punonin në median elektronike u ankuan në veçanti që ata nuk kishin mundësi të specializoheshin në tema të caktuara, ndryshe nga disa prej kolegëve të tyre në median e shkruar.

Gjithsesi, duhet të theksohet se shumica e të intervistuarve si pjesë e studimit të BIRN – qofshin gazetarë apo jo-gazetarë – ishin dakord se ndërsa shumë gazetarë nuk kishin afësitë profesionale për të raportuar mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në mënyrë efikase, kishte gjithashtu gazetarë të shkëlqyer në Bosnjë, Kosovë dhe Serbi, tërësisht të aftë për të investiguar dhe raportuar mbi këto tema me standardet më të larta.

Në këtë kontekst, bashkëbiseduesit, veçanërisht ata nga Serbia, shprehën mendimin se pavarësisht mangësive profesionale të gazetarëve serbë, kjo nuk ishte arsyeja kryesore për mungesën e raportimit me cilësi të mirë. Përkundrazi, në një mënyrë apo një tjetër, ata shprehën mendimet e tyre se, veçanërisht në mediat kryesore, gazetarët e mirë pengoheshin për të bërë punën e tyre në mënyrë profesionale për shkak të presionit politik apo formave të tjera të presionit mbi mediat. Ndjenja të ngjashme u shprehën edhe në Bosnjë dhe Kosovë. 

Raporti është publikuar si pjesë e projektit «Ushtrimi i lirisë së mediave dhe transparenca e institucioneve të shtetit në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë dhe Serbi». Projekti është zbatuar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese – BIRN Hub, në bashkëpunim me BIRN Serbia dhe BIRN Kosova, nga prilli 2017 deri në janar 2018, në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë dhe Serbi. Projekti është mbështetur nga fondet e Paktit të Stabilitetit të Zyrës Federale të Jashtme Gjermane.
(BIRN)