«Zambaku i Prizrenit» me tender në kërkim të organizatorit

«Zambaku i Prizrenit» ka pak gjasa që të organizohet në terminin tradicional të këtij festivali të këngës së vjetër qytetare.




Arsyeja për këtë është zvarritja e procedurës tenderuese. Ndonëse tenderi për implementuesin e edicionit të radhës ishte shpallur muaj më parë, ai qe anuluar në fillim të këtij muaji.

Komuna e Prizrenit, tashmë ka shpallur sërish njoftimin për këtë tender, ndërkohë që hapja e ofertave është caktuar për datën 10 qershor 2016, shkruan sot «Koha Ditore». Zakonisht «Zambaku…» është mbajtur në fillim të muajit korrik. Në këtë situatë ka mbetur shumë pak kohë për organizimin e mirëfilltë të tij.

Madje përfaqësues të skenës së pavarur kulturore në Prizren ende nuk janë të sigurt nëse do të përfshihen në organizimin e kësaj ngjarjeje kulturore, që prej vitesh përballet me sfidën e mbijetesës, përkatësisht prezantimit të vlerave të këngës së vjetër qytetare.

«Rrjeti i Organizatave të Kulturës ende nuk është përfshirë në organizimin e . Jemi në pritje, marrë parasysh faktin se ka edhe disa javë deri në përcaktimin e implementuesit të projektit», ka thënë Ares Shporta, koordinator i Rrjetit të Organizatave Kulturore.

Xhemal Kabashi, nga shoqata kulturo-artistike «Agimi», organizatë kjo që vitin e kaluar bashkë me partnerë të tjerë kishte organizuar «Zambakun…», ka lënë të kuptohet se gjasat janë minimale që «Agimi» sivjet të përfshihet në këtë ngjarje kulturore.

Edhe Ares Shporta nga RrOK-u është pajtuar se mënyra aktuale e përzgjedhjes së organizatorit ndikon në cilësinë e festivalit.

Në njoftimin për kontratë të datës 19 maj 2016 të Zyrës së Prokurimit të Komunës së Prizrenit thuhet se vlera e parashikuar e kontratës për organizimin e «Zambakut të Prizrenit» është 20 mijë euro.