Zakonet e Zürichut dhe adetet e Kosovës

Buxheti vjetor i Zürichut është gati 9 miliardë franga. Buxheti i Kosovës mezi arrin 2 miliardë euro. Në Zürich drejtorët e administratës nuk kanë vetura zyrtare, në Kosovë ministra, zëvendësministra, zëvendës të zëvendësministrave dhe zyrtarë të «hunit e të konopit» edhe në dasma e syneti shkojnë me vetura të shtetit.

Ilustrimi: Shutterstock



Problemi më i madh i Zvicrës janë paratë. Kjo fjali mund të tingëllojnë si fillim i një anekdote, si përallë e Ezopit, por është e vërtetë: Zvicra është ndër vendet më të pasura në botë dhe ndoshta vendi i vetëm në planet, ku qytetarët vetë vendosin sa tatime do të paguajnë dhe vetë vendosin t’i ndëshkojnë zyrtarët nëse shkelin rregullat e punës, ligjet, dispozitat. Shpesh qytetarëve nuk u vjen radha të ndëshkojnë nëpunësit e administratës publike, sepse këtë punë e kryejnë institucionet përkatëse, përfshirë edhe drejtësinë (po qe e nevojshme).

Një administratë e fuqishme kujdeset që radhët e veta të jenë të pastra. Natyrisht edhe në një vend si Zvicra nuk është flori gjithçka që shkëlqen. Një politikan zviceran madje para disa vitesh e pati quajtur Zvicrën «një Shqipëri të korruptuar alpine». Së fundi qyteti i Zürichut ka suspenduar një nëpunës dhe ka dorëzuar padi kundër tij për shkak se ai ka blerë një veturë zyrtare të tipit BMW në vlerë prej 100 mijë franga. Vetura ka 380 kuaj fuqi dhe me këtë shpejtësi ka fluturuar nga vendi i punës edhe zyrtari pas dyshimeve për keqpërdorime në tenderin për blerjen e veturës. Zyrtari ka qenë shef i ndërmarrjes komunale për menaxhim të bërllokut. Momentalisht vetura e blerë prej tij për qëllime zyrtare është temë qendrore në mediat e Zürichut. Drejtori i Entit për ndërtime të ulëta dhe menaxhim të mbetjeve, Filippo Leutenegger, tha se si ish-gazetar kishte hulumtuar edhe vetë për të kuptuar detajet e kësaj afere. Vetë drejtori Leutenegger në punë shkon me motoçikletë private.

Në Zürich drejtorët e administratës nuk kanë vetura zyrtare. Në vitin 2015 Kuvendi Komunal i Zürichut ka vendosur t’i shes veturat zyrtare dhe vendparkimet e tyre t’i lëshojë me qira. Kur drejtorët e administratës, të cilët për shkak të pushtetit që kanë mund të quhen edhe ministra rajonalë, kanë nevojë për veturë, atëherë zyra përkatëse e thërret – taksinë! Në raste të veçanta, ta zëmë kur qyteti pret ndonjë dinjitar politik nga bota e jashtme, vetura porositet te një shërbim limuzinash. Për dallim nga përgjegjësit politikë disa punëtorë të administratës kanë të drejtë të kenë vetura zyrtare, për shembull inspektorët ndërtimorë, të cilët duhet të dalin në terren. Por, sipas rregullave, është i ndaluar rreptësisht përdorimi i veturave për qëllime private. Një dokument prej 70 faqesh ofron udhëzime mbi kushtet e blerjes së veturave zyrtare dhe servisimin e tyre.

Buxheti vjetor i Zürichut është gati 9 miliardë franga. Metropoli zviceran është ndër më të pasurit dhe ndër më të shtrenjtit në botë. Buxheti i Kosovës mezi arrin 2 miliardë euro. Në Zürich drejtorët e administratës, siç u tha, nuk kanë vetura zyrtare, në Kosovë ministra, zëvendësministra, zëvendës të zëvendësministrave dhe zyrtarë të «hunit e të konopit» edhe në dasma e syneti shkojnë me vetura të shtetit. Këto adete të Kosovës flasin shumë edhe për kulturën shtetformuese «në viset tona» dhe në viset helvetike.

Ministrat zviceranë (Zvicra i ka vetëm 7) kanë të drejtë të kenë veturë zyrtare dhe këtë të drejtë ata e shfrytëzojnë, por jo në mënyrë agresive, të papërgjegjshme. Shpesh ministrat udhëtojnë me mjete të transportit publik, kryesisht me tren dhe pa truproje. Kështu ndodh që ndërsa jeni i thelluar duke lexuar diçka apo duke shkruar ndonjë mesazh me telefon të mençur, pranë jush të ulet një ministër zviceran. E thamë më herët: buxheti i qytetit të Zürichut është rreth 9 miliardë franga. Buxhetin e Zvicrës më mirë s’po e përmendim fare.