Zakone të padurueshme në shtëpitë shqiptare

Në prag të pushimeve, disa vrojtime për tri veti të neveritshme shqiptare.

1. Televizori

Është anëtari shtesë dhe i përhershëm në të gjitha shtëpitë. Rri gjithmonë i ndezur, pavarësisht nëse ka ndonjë spektator të ngjitur për të ose jo. Veshi të kap çdo lloj ndotje gjuhësore, «intelektuale» apo muzikore. Një zakon i tillë është deri diku i kuptueshëm për njerëz të cilët nuk kanë kohë të ngujohen para televizorit dhe sidomos për njerëz të cilët jetojnë vetëm. Në shtëpitë shqiptare ky skenar nuk qëndron. Posaçërisht ai i të jetuarit vetëm. Krejt të kundërtën, mendoj që shtëpia dhe familja shqiptare (në Kosovë) vazhdon të jetë e ngarkuar me shumë anëtarë, me shumë breza që duhet të bashkëjetojnë në një kulm qoftë për shkak të mundësive ekonomike, qoftë për shkak të traditës patriarkale.

Në një shtëpi plot, çfarë funksioni kryen televizori ndezur gjithë ditën e lume? Për kë është ajo zhurmë? Ose më saktë, për kë është ajo vetmi që krijohet nga ndotja akustike që televizori i bën hapësirës familjare në shtëpi? Ndalja eventuale e televizorit, sidomos gjatë mbrëmjes, kur anëtarët e familjes mblidhen së bashku, do të nënkuptonte çeljen e ndonjë tematike, diskutimin e ndonjë problemi apo ndoshta edhe ndonjë thashethemnajë të radhës. Eliminimi i televizorit si pjesëmarrës i çdohershëm në hapësirën familjare do të nënkuptonte që familjarët të flasin mes veti, të diskutojnë, të çajnë ndonjë hall. Të flasin pa u ndërprerë nga seriali i radhës, nga «spektakli» me xixa apo nga kakarisjet në emisionet debatuese.

Ekziston njëfarë norme e ndërtuar nga vetë njerëzit që mbajtja ndezur e televizorit në kohën kur na vizitojnë mysafirë apo miq, është mungesë respekti. Në shtëpitë kosovare kjo nuk qëndron. Si mysafiri ashtu edhe i zoti i shtëpisë e pranojnë pa ndonjë diskutim prezencën e televizorit në hapësirën e tyre për disa orë. Dhe kështu, varësisht se sa dramatizmi ka në ekran, aq është edhe komunikimi i ndërsjellë mes tyre. Televizori e përcakton nivelin e bisedës. Në shtëpitë shqiptare nuk është më mbret mysafiri. Atë e ka zëvendësuar me kohë televizori. Shpesh ndodhë edhe të mos çohet në fund asnjë muhabet i vetëm gjatë gjithë natës. Mirë që janë reklamat të paktën.

2. Pica dhe hamburgeri

Një shprehi e neveritshme të cilën e gjej sa herë që marr rrugë për në «atdhe» është institucioni i «fast-food-it» dhe ngrënia e çakorduar, pa orar. Përpos atyre që punojnë dhe e kanë të obliguar të drekojnë në kohë të pauzës, mëngjesi, dreka e darka në shtëpitë shqiptare shtrohet në secilën orë të ditës. Edhe më shqetësuese se rregulli në të ngrënë, është ajo çfarë hahet. Duke qenë shoqëri konsumi, gjeneratat e reja në Kosovë rriten me pica, tost dhe hamburger. Trendi i tyre i egër e ka zëvendësuar supën, peshkun, mishin cilësor, bukën cilësore dhe perimet.

Pa hyrë këtu në cilësinë e mishit që tregtohet dhe importohet në Kosovë, pa përmendur edhe rrezikun që kanë mishrat edhe kur janë të cilësisë së lartë, prania aq e madhe e karbohidrateve (brumit) dhe mishit në dietën e kosovarëve është shqetësuese. Rrallë e përmallë më bie të dëgjoj prindër të rinj e jo të rinj që janë të preokupuar me të ushqyerit e balancuar për veten dhe fëmijët e tyre. Me rëndësi është për ta se si duken, të larë, të veshur bukur – e sa për të ushqyerit nuk ju bëhet vonë. «Me rëndësi me hangër… Shnosh me qenë!»

Ashtu si moda, si muzika, edhe të ushqyerit bën pjesë në këtë mendësi konsumi. Pica dhe produktet të ngjashme janë jo vetëm zgjedhje më e lehtë, por mbi të gjitha edhe trend. «Ketchupi» dhe «majoneza» janë statike në tavolinat jashtë dhe në shtëpi. Produkte komplementare këtu janë padyshim edhe pijet e gazuara me sheqer. Kombinim perfekt për kancer dhe cilësi zero të jetesës. Dhe ky zakon është njëlloj i përhapur edhe tek prindër mjekë e farmacistë, që teorikisht do të duhej të kishin pasur një vetëdije më të lartë për cilësinë e të ushqyerit.

3. Ipad dhe telefoni 

Prania e teknologjisë është trend që shihet me shqetësim në shumë vende të botës. Ajo çfarë të bie më shumë në sy në Kosovë është prania e madhe e telefonit dhe Ipadit tek fëmijët e të gjitha moshave. Jo vetëm si mjet komunikimi, zbavitje e edukimi, por edhe si mjet për të treguar statusin shoqëror dhe ekonomik. Mungesa e teatrit, kinemasë, aktiviteteve kulturore e sportive sidomos jashtë Prishtinës sigurisht që e kufizon cilësinë e bjerrjes së kohës.

Fëmijë të të gjitha moshave që ndjekin trende të telefonave «më të ri», fëmijë të të gjitha moshave që kanë llogari të hapura në Facebook, Instagram e Snapchat. Paçka se nuk kontrollohen! Paçka se interneti të jep gjithçka të zhveshur. Kina dhe SHBA-të kanë vite që kanë krijuar sisteme të «kampeve të rehabilitimit» për fëmijë dhe të rinj që janë të varur nga tekonologjia. Në shumicën e vendeve të Bashkimit Europian kjo gjë është fatmirësisht më mirë e rregulluar. Prindërit dhe institucionet arsimore janë më prezent në përcaktimin e kufijve të përdorimit të teknologjisë tek dhe të rinjtë.

Pamjet me një 7-vjeçar tek manipulon lehtësisht në Instagram dhe ka në listën e tij personazhe të dëmshme për shëndetin mendor edhe të të rriturve, nuk janë kurrfarë inteligjence apo gjenialiteti. Do të duhej të ishte alarmante. Përkrah një mori aftësish e informacionesh që të miturit marrin nëpërmjet teknologjisë, përdorimi i saj pa mbikëqyrje dhe prania e të miturve në masë nëpër rrjete sociale i socializon ata edhe me modele degraduese të shoqërisë së show-bizit e cila gjithashtu defilon e pacenzuruar edhe nëpër televizione kombëtare.