Zaev zbulon platformën, zotohet të respektojë kushtetutën e Maqedonisë

Kreu i Social Demokratëve në Maqedoni, Zoran Zaev, të premten bëri një përpjekje të re të bindë presidentin t’i japë mandatin për formimin e qeverisë, ndërsa i bëri thirrje protestuesve të mos mashtrohen nga propaganda dhe të shkojnë në shtëpi.

Zoran Zaev.



Në një takim të gjatë të mbajtur në selinë e Partisë Social Demokrate në Shkup, lideri i partisë Zoran Zaev të premten tha se platforma e qeverisë së re do t’i «përmbahet në mënyrë rigoroze» kushtetutës, duke garantuar unitetin, sovranitetin dhe stabilitetin e vendit. «Po e prezantojmë platformën këtu sot sepse na është kufizuar mundësia për ta bërë në parlament. Do të doja të siguroja presidentin Ivanov se nuk ka më plane apo platforma të partive politike… Ka vetëm një platformë të vetme të qeverisë së re maqedonase», tha Zaev.

Zaev shprehu shpresën se Ivanov do t’i jepte atij një mandat për të formuar qeverinë sa më shpejt të jetë e mundur në mënyrë që të vazhdonin proceset demokratike. Maqedonia nuk ka pasur një qeveri të re për mbi dy muaj e gjysmë, që nga zgjedhjet e parakohshme të 11 dhjetorit të cilat nuk nxorrën një fitues të qartë. Në një vendim që nxiti tensionet, presidenti Ivanov refuzoi t’i jepte Zaev një mandat për të formuar një qeveri pavarësisht se ai mblodhi një shumicë parlamentare, duke pretenduar se mund të shkatërronte vendin.

Ivanov këmbënguli që koalicioni i Zaev kishte mundësinë të shkatërronte vendin sepse ai kishte pranuar kërkesat e partive etnike shqiptare të hartuara në një «platformë» të përbashkët. Kërkesat kryesoheshin nga thirrja për të shtuar përdorimin zyrtar të shqipes në vend. Shqiptarët përbëjnë rreth një të katërtën e popullatës së Maqedonisë. Zaev i bëri thirrje protestuesve që kanë mbajtur marshime të përditshme në Shkup dhe në Maqedoni kundër qeverisë së tij që të shkojnë në shtëpi, duke këmbëngulur se ata janë keqinformuar nga «propaganda e fortë» që të mendojnë se qeveria e re do të shesë interesat kombëtare të Maqedonisë.

«Ne e kemi dëgjuar zërin e tyre, i kemi mirëkuptuar disi… Po i dërgoj një mesazh sot, shkoni në shtëpi. Ka ardhur koha për procese demokratike në Maqedoni, për reforma serioze dhe për t’iu kthyer jetës së përditshme», tha Zaev.

(Botuar fillimisht nga: https://www.reporter.al/zaev-zbulon-platformen-zotohet-te-respektoje-kushtetuten-e-maqedonise/)