Zaev: «Këta banditë deshën të na vrasin»

Për liderin e opozitës maqedonase dhe të socialdemokratëve Zoran Zaev është e qartë: sulmin kundër parlamentit e kanë urdhëruar kundërshtarët politikë. Mbështetës të ish-kryeministrit Gruevski duan të pengojnë me çdo mjet krijimin e një qeverie nën udhëheqjen e Zaev. Pjesë nga intervista e Zoran Zaev dhënë radios publike të Zvicrës.

Zoran Zaev.



Zoran Zaev kështu e përshkruan situatën e krijuar në parlamentin maqedonas të enjten e kaluar: «Pas pesë javësh bllokadë parlamenti ka zgjedhur një kryetar të ri. Vendimi u mor me 67 prej 120 votave. Pakica ishte e pakënaqur dhe i dha urdhër policisë të hap dyert e parlamentit. Kështu mbështetësit protestues të Gruevskit arritën të futen në parlament. Ata kishin për synim të vrisnin liderët e shumicës së re parlamentare – përfshirë edhe mua».

Sipas Zaev shumica e sulmuesve janë anëtarë të grupeve kriminale dhe simpatizantë të Gruevskit. «Këta banditë u futën brenda për të na vrarë. Na goditën me gjithçka që kishin në duar. Një koleg ende gjendet në spital, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetë».

Zaev tha se policët dhe deputetët e VMRO-së i kanë hequr llozet e dyerve, me të cilët ishin mbyllur portat e parlamentit. Kështu protestuesit patën mundësi të hyjnë në parlament. Policët dhe njerëzit e VMRO-së ua tregonin atyre rrugën që të arrinin sa më shpejt te ne, tha Zaev. «Pas dy orësh policët profesionistë na dolën në ndihmë. Na futën në një sallë të sigurt dhe pastaj arritën të na evakuojnë. Por deri në atë moment edhe këta policë kanë pasur urdhër të mos intervenojnë». Zaev tha se qeveria e re duhet të rikthejë profesionalizmin në të gjitha institucionet – edhe në ministrinë e Brendshme.

Në pyetjen se përse ndërmarrin aksione të tilla përkrahësit e Gruevskit, Zaev u përgjigj: «Gruevski ka frikë nga drejtësia e pavarur në Maqedoni, sepse ai dhe besnikët e tij nuk do të jenë të mbrojtur nga ndjekja penale. Dëshmitë për veprat e tij kriminale janë të qarta prej se janë shfaqur në opinion protokollet e përgjimit. Nëse ndërrohet qeveria, Gruevski humb kontrollin mbi sistemin e drejtësisë».

Zaev ka thënë se në zgjedhjet e fundit 25 për qind e elektoratit shqiptar ka votuar për partinë e tij socialdemokrate. «Si parti multietnike e kemi pasur më lehtë të negociojmë me partitë shqiptare për koalicion. Ne besojmë në një ardhmëri të përbashkët. Aksionet e kundërshtarit tonë politik vetëm sa e forcojnë unitetin e grupeve etnike. Gjatë sulmit të enjten e kaluar ne kemi mbrojtur njëri-tjetrin».

Zaev i ka bërë thirrje Bashkimit Europian që si në rastin e Ukrainës edhe ndaj disa politikanëve në Maqedoni të ndërmarrë masa ndëshkuese siç janë kufizimet në udhëtim dhe bllokimi i xhirollogarive në botën e jashtme. (-lli)