Ymeri: Pa viza mund të mbesim edhe po të ratifikohet demarkacioni

Për kreun e lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, liberalizimi i vizave për Kosovën është i lidhur me dy kushte, luftimi i krimit të organizuar e korrupsionit të lartë dhe ratifikimi i demarkacionit të kufirit me Malin e Zi që na i humbet 8.200 hektarë.

«Për të qenë edhe më keq se kaq, Kosova është kurthuar në një thes me Turqinë, Ukrainën e Gjeorgjinë. Ky është grupi politik i Kosovës për dallim prej atij futbollistik të kombëtares sonë në kampionatin evropian në Francë», ka thënë Ymeri.

Tutje Ymeri ka thënë se qeveria dhe sejmenët e saj e përmendin vazhdimisht vetëm çështjen e nevojës së ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi.
«Sepse, kushti i parë për heqjen e vizave e problematizon krimin e korrupsionin qeveritar e institucional, dhe, për shkak se qeveritarët me argatët e tyre duan që me çdo kusht e pareshtur ta sulmojnë opozitën dhe ta mbajnë ofensivën», ka thënë Ymeri.

Sipas Ymerit. është shumë e mundshme që edhe sikur të ratifikohet demarkacioni në Kuvend sërish të mos na i heqin vizat sepse dihet që askund nuk është në nivel luftimi i krimit të organizuar e korrupsionit të lartë dhe ndodhemi në një grup tejet të vështirë me Turqinë, Ukrainën dhe Gjeorgjinë.
«Kjo paraqet një arsye shtesë pse kurrsesi nuk duhet pranuar e ratifikuar ky demarkacion».