Ylli i mëngjesit

Cesare Pavese



Njeriu që rron vetëm zgjohet kur deti është ende i errët
dhe yjet pulsojnë. Një fllad i ngrohtë
ngrihet mbi det e mbi breg
duke zbutur ajrin. Kjo është koha kur asgjë
s’mund të ndodh. Bile edhe llulla mes dhëmbëve të tij
varet e zbrazët. Ai lahet shpejtë nëpër natë.
Tashti e ka ndezur një zjarr të madh me shkarpa
dhe pret të skuqet trualli. Bile dhe deti
do flakërojë pas pak kështu si zjarri.

S’ka asgjë më të hidhur se të fillosh një ditë
kur asgjë s’do të ndodh. Asgjë më të hidhur s’ka
se pavlefshmëria. Një yll gjelbërosh,
habitur nga agimi, varet i lodhur në qiell.
Duket deti ende në terr dhe kuqëlimi i zjarrit
ku burri ngroh duart, sa për të bërë diçka;
duken malet e përgjumur e të hirtë
me shtratin e tyre prej bore. Ngadalësi e kohës
nuk është qetësuese për dikë që s’pret asgjë.

Ia vlen që dielli po ngrihet prej detit
dhe dita e gjatë po nis? Nesër
agimi i vakët dhe drita e tejdukshme do të kthehen,
do të jenë si dje dhe asgjë s’do të ndodh.
Njeriu që rron vetëm do të dojë vetëm të fle.
Kur ylli i fundit shuhet nga qielli
ai mbush ngadalë llullën dhe e ndez.