Xhixha kapërcen kufinjtë me skulpturat e famshme prej çeliku

Skulptori i lindur në Durrës, Helidon Xhixha, i cili ka fituar duartrokitje ndërkombëtare për artin e tij abstrakt prej çeliku, i tha BIRN-it në një intervistë se ndërsa ai mbetet krenar për kombësinë, arti i vërtetë i kapërcen kufinjtë kombëtarë.

Skulptori Helidon Xhixha. Foto: Giorgia Panzera.



Skulptori i njohur, Helidon Xhixha është një prej shumë shqiptarëve që për ta bërë artin e tyre të njohur në botë emigruan në Perëndim në fillim të viteve 1990. Megjithatë, për skulptorin që njihet më së shumti për krijimin e formave abstrakte prej çeliku të pandryshkshëm, «emigrant» nuk është fjala me të cilën ai preferon të përshkruhet.

Me një karrierë ndërkombëtare mbi 25-vjeçare, Xhixha ka fituar reputacionin e njërit prej skulptorëve më interesantë të skenës bashkohore, pasi është kontraktuar të krijojë dizajne të ndryshme në Europë, Shtetet e Bashkuara, Amerikën Latine dhe Lindjen e Mesme.

I lindur në qytetin bregdetar të Durrësit nga një baba, i cili ishte gjithashtu një skulptor i njohur, ai e krahason udhëtimin e tij në Itali dhe më pas në botën e gjerë me atë të artistëve të shekullit të 19-të, të cilët iu drejtuan Parisit për të marrë përvojë dhe për të krijuar artin që u flet të gjithëve.

«Nuk e kam parë kurrë veten time si një emigrant, por si dikush që e bëri diversitetin një burim dijeje, një koncept të cilin ende e aplikoj në jetën time të përditshme», tha ai për BIRN-in përmes një interviste të shkruar.

Ai thotë se arti i kapërcen kufijtë kulturorë dhe se origjina e një artisti nuk mund të bëhet justifikim për dështimin.

«Nuk do t’i përdorja kurrë rrënjët si justifikim për dështimet e mia, por gjithnjë do të jem krenar që jam shqiptar», tha ai.

Gjithsesi, mbi shpatullat e tij bie shpesh përgjegjësia e përfaqësimit të Shqipërisë, si një lloj ambasadori artistik nëpër botë. Në vitin 2016, ai prezantoi zyrtarisht Shqipërinë në Bienalen e Dizajnit të Londrës, ku fitoi Medaljen Publike për punën e tij.

Tema e shfaqjes ishte «Utopia e Dizajnit», ndërsa prezantimi i Xhixhës «Bliss» ishte i frymëzuar nga nocioni i Qytetit Ideal të Platonit dhe imazhet e Rilindjes së qytetit, duke i sjellë ato në epokën moderne.

«Jam përpjekur të eksploroj vlerën e komunitetit modern dhe me përfshirjen e kufirit europian në dizajn, shpresova të komentoj mbi krizën aktuale të emigracionit që po prek këtë kontinent», tha Xhixha për BIRN-in.

Vendosja e punës së tij në një kontekst social dhe politik është e rëndësishme për Xhixhën, ç’ka ai e bëri edhe me veprën «Iceberg» në Bienalen e Venecias në vitin 2015. Skulptura monumentale e çelikut notoi përmes kanaleve të Venecias si një ajsberg.

«Kjo mundësi e madhe më dha shansin që të nxjerr në pah çështjen e rënies së qytetit, për shkak të mbipopullimit dhe rritjes së trafikut njerëzor, po aq sa të jap një mesazh mbi ngrohjen globale», tha ai.

«Kaos dhe Rregull» e ekspozuar në Firence. Foto: Giorgia Panzera.

Si një moment të rëndësishëm në karrierën e tij, Xhixha theksoi gjithashtu ekspozitën e tij personale brenda mureve të Pietrasantës në Toskanë, ku ai përdori mermerin e famshëm të guroreve lokale për punën e tij, të njëjtin që përdorej dikur nga Mikelanxhelo.

Lidhja e tij me qytetin e Firences është e fortë, ku ekspozita e tij me 15 punime «At Random Order» është e shpërndarë nëpër qytet dhe në kopshtin Boboli. Ajo do të vazhdojë deri në fund të tetorit.

Në këto skulptura, Xhixha eksploron idenë e kaosit dhe rregullit dhe se si këto koncepte janë prezantuar në filozofi, gjeometri dhe botën natyrale.

Xhixha pranon se është një ëndërrimtar, që vazhdimisht lufton në bërjen e ëndrrave realitet, ndërsa shpreson që puna dhe karriera e tij të frymëzojë brezin e ri të artistëve.

Ai beson se shumë artistë të rinj në Shqipëri kanë talent për ta bërë artin e tyre ndërkombëtar, por është në dorën e tyre që të përpiqen dhe dalin prej zonës së rehatisë.

«Është e lehtë të gjesh justifikime se pse nuk përpiqesh të japësh më të mirën dhe të bëhesh i suksesshëm. Sekreti është të udhëtosh, të studiosh, të kuptosh se çfarë ndodh nëpër botë dhe të luash sipas rregullave të industrisë ndërkombëtare të artit», tha ai.

(https://www.reporter.al/xhixha-kapercen-kufinjte-me-skulpturat-e-famshme-prej-celiku/)