Xhemshit Krasniqi u arrestua derisa po kryente punë bujqësore

Pas disa viteve të arratisë dhe fshehjes, Policia e Kosovës ka mundur të arrestojë sot pasdite në Prizren, Xhemshit Krasniqin, i akuzuar për krime lufte.




Operacioni i madh është kryer nga Policia e EULEX-it dhe Njësia Speciale e Kosovës. Njësia Speciale e kishte zënë Krasniqin në vendin ku ai dhe familjarët e tij po kryenin punë bujqësore, raporton KTV.

Familjarët kanë rezistuar dhe janë përleshur me Policinë me ç’rast më shumë se 10 persona kanë përfunduar të lënduar. Nga forcat policore s’është kursyer as bashkëshortja e Xhemshitit, e djali i tij ka përfunduar me gishtërinj të thyer të dorës.

Nga të rrahurit janë edhe djemtë e vëllait të Xhemshitit, Dritoni e Jetoni.

Pak pasi Policia kishte futur të arrestuarin në automjet, në vend kishte ardhur Gazi Krasniqi, vëllai i Xhemshitit, i cili po ashtu është përplasur me Policinë.

E sa i përket dyshimeve mbi të vëllanë, Gazi ka treguar se Xhemshiti ishte në arrati dhe jo rastësisht nuk dëshironte t’i dorëzohej organeve aktuale të drejtësisë.

Krasniqi, për shumë vite në arrati, do të duhej të ishte pjesë e procesit kundër Sabit Gecit. Sabit Geci akuzohej se në mes të prillit dhe qershorit të 1999, në një bazë ushtarake të UÇK-së të vendosur në Kukës, në mënyrë individuale dhe në bashkëveprim me të tjerët duke përfshirë Xhemshit Krasniqin i ka shkelur rregullat e ligjit ndërkombëtar në kohën e luftës, konfliktit të armatosur ose okupimit dhe me këtë ka kryer veprën penale krime të luftës kundër popullsisë civile, transmeton Koha.net.

Misioni evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, e ka konfirmuar për KTV-në arrestimin. «Ne mund të konfirmojmë se zoti Krasniqi është arrestuar nga EXPOL (Policia e EULEX-it) sot. I akuzuari po transportohet në këto momente në një qendër mbajtjeje. Më shumë detaje do të japim nesër», thuhet në një përgjigje për KTV-në të zëdhënëses, Dragana Nikolic – Salomon.