Xhemile

Santorini, Greqi. Foto: Shutterstock



Xhemile,

Ne kënduam për të anës së detit

Ne të kërkuam, të thirrëm

Por ti nuk erdhe.

 

Udhëtarë të largët, të ndarë,

Dashuri që e njoh aq mirë sa ç`më njeh ti mua,

Miku im i asaj nate do të qeshë,

Miku im i asaj nate do të qajë,

Miku im i asaj nate nuk më deshi.

Xhemile, të huaj nën dritat e kuqe të natës,

Përdore duke ecur me një gramafon,

Të largët si një sërë kafazesh të zbrazët

Që unë kurrë s`i kam parë

Teatër hijesh të dielën,

Pasdite dimri në Pashaliman*

 

Xhemile,

Shtëpitë dhe udhët, dhe ditët dhe netët,

Në cilën jetë,

Në cilën jetë vallë do t`i gjesh,

Me ç`karafil të kuq, me ç`erë të ftohtë veriu,

Ftohtë dhe sytë e tu ëndërrojnë gjithnjë

Se ngjyrën u kanë dhënë velave t`anijes

Se emrat e tyre u kanë dhënë yjeve,

Flokët dhe sytë e tu gjithnjë ëndërrojnë

Me gjithë shpresat verore,

Kumbanaren, direkun, shkëmbin e shqipes.

 

Miku im i asaj nate nuk më deshi.

Qenë vitet dhe ndarja, oqeani dhe deti

Ish një vazo e thyer nga Egjina*

Një ditë prilli me njëzet karafila.

Xhemile,

Dashuri që e njoh aq mirë sa që më njeh ti mua.

Ne kënduam për ty anës së detit,

Ne thirrëm e ty të kërkuam

Dhe ti nuk erdhe.

 

Përktheu: Besa Myftiu

 

*Emri me të cilin njihet sot porti i lashtë i Zeas në Pire

 

*Emri i një ishulli afër Athinës, i famshëm për poçerinë e tij