Xhavit Mustafa, kosovari i dekoruar nga qeveria gjermane për kontribut në integrimin e të huajve

Para 20 vitesh Xhavit Mustafa mori një dhuratë: një palë këpucë për të luajtur futboll. Atëbotë ai banonte në një strehimore për refugjatë në Gjermani. Sot ai drejton një projekt të rëndësishëm për integrimin e të huajve në Bayreuth të Bavarisë.

Xhavit Mustafa duke pranuar medaljen nga ministrja e shtetit Aydan Özguz, e cila është e ngarkuar e qeverisë gjermane për çështje të migracionit.



Muzika lidh njerëzit. Kështu mbase mendojnë të gjithë banorët e Bayreuthit në krahinën e Bavarisë në Gjermani. Çdo verë në Bayreuth mbahet një festival i muzikës klasike në kujtim të kompozitorit Richard Wagner. Për fotografët festivali është një rast i mirë për të bërë portrete të Angela Merkelit në fustan solemn dhe me dekolte të thellë. Gjatë vitit kancelarja nuk shquhet për veshje ekstravagante.

Futbolli lidh njerëzit – kështu mendon Xhavit Mustafa, një kosovar, i cili vepron në Bayreuth. Mustafa, me origjinë nga Prishtina, merret me zhvillimin e softuerëve – dhe në kohën e lirë ndihmon në integrimin e të huajve përmes futbollit. Ai është trajner i ekipit «SpVgg Bayreuth», ku luajnë vajza e djem, shumë prej tyre me prejardhje të huaj. Në projektin «Tor zur Welt» («Porta ndaj botës»), të cilin e udhëheq Mustafa, të rinjtë nuk luajnë vetëm futboll, por mësojnë edhe gjuhën gjermane. Për angazhimin e tij në favor të integrimit të të huajve Xhavit Mustafa është nderuar nga qeveria gjermane me medaljen e integrimit. Mirënjohjen e lartë atij ia ka ndarë ministrja e shtetit Aydan Özguz, e cila është e ngarkuar e qeverisë gjermane për çështje të migracionit.

«Futbollit flet gjermanisht», thotë Mustafa në bisedë me agjencinë gjermane të lajmeve DPA. Në ekipin e tij të futbollit luajnë bashkë fëmijët dhe të rinjtë që kanë ardhur më herët në Gjermani dhe moshatarët e tyre që kanë ardhur së fundi. Kështu ata mësojnë edhe gjuhën gjermane. Por, projekti nuk mbaron këtu. Mustafa organizon kurse gjuhe, viziton muze bashkë me lojtarët dhe lojtaret. Konceptin e ka zhvilluar bashkë me studentë të Universitetit të Bayreuthit.

Mustafa ka thënë se historia e tij personale e shtyn të angazhohet për refugjatët: «Disa njerëz më kanë shtrirë dorën e ngrohtë. Nuk më kanë refuzuar, por tamam më kanë dhënë dorën e ngrohtë». Në vitin 1993 ai bashkë më vëllain e tij jetonte në një strehimore refugjatësh në Bavari pasi kishin ikur nga Kosova. Një punëtor i strehimores u kishte siguruar atyre një dhomë ku mund të mësonin gjermanisht – dhe Xhavitit i kishte bërë një dhuratë: një palë këpucë për të luajtur futboll. Dy djemtë e Xhavit Mustafës, 12 dhe 13 vjeçar, luajnë futboll, njëra prej tri vajzave të tij po ashtu, dy prej tyre studiojnë biokimi. Tri vajzat – Mimoza (20), Vjollca (19) dhe Shkurta (16) – sapo kanë marrë pjesë në emisionin «The Voice of Germany». (-lli)