Xhamia e drurit ku u islamizua Rugova

Tahtali Xhamia quhet objekti sakral që për kohë të saktë të ndërtimit mban vitin e largët 1587. E këtë emër besohet se e mori për shkak të fjalës së vjetër turke «taht», që ka kuptimin e drurit. Kjo për faktin se fillimisht xhamia ishte ndërtuar tërësisht nga druri.




Tash s’është më asisoj, ani pse ndërhyrjet me gurë, tulla e llaç janë bërë aq moti sa s’mbahen në mend. Në fakt, renovimi i fundit u bë në vitin 2010, duke e kthyer në funksion xhaminë e dëmtuar nga lufta e fundit (1998-1999), pa e prekur në thelb strukturën e saj.

Xhamia njihet historikisht edhe me emrin Xhamia e Rugovasve, sepse, siç thuhet, pikërisht në këtë xhami banorët e kësaj treve e pranuan islamin. Paksa çuditshëm, e krejt rastësisht. Tingëllon si lloj legjende, e përcillet ndër breza në këtë pjesë të Kosovës Perëndimore.

Mjeshtërisht, në mesin e shumë rrëfimeve për Pejën e tij, e thuri shkrimtari Binak Kelmendi. Libri «Portat e Pejës» u shpall fitues i çmimit prestigjioz për letërsi «Rexhai Surroi» për vitin 2014, e aty Kelmendi ia lë faqet 255 e 256 rrëfimit se si disa rugovas kishin huq ditën e meshës, e meshë donin në «kishën e myslimanëve».