Xhaka dhe Shaqiri gjunjëzohen dhe kërkojnë falje për shqiponjën

Bashkë me dy futbollistët shqiptarë falje ka kërkuar edhe Stephan Lichtsteiner. Xhaka ka thënë: «Do të isha budalla nëse do ta bëja edhe njëherë shqiponjën».

Petkoviq, Lichtsteiner, Xhaka gjatë konferencës për media.



Pas debateve të shumta në Zvicër në lidhje me gjestin me shqiponjë në ndeshjen kundër Serbisë, pas polemikave dhe akuzave shpeshherë të pabaza e tendencioze të një pjese të mediave zvicerane, futbollistët shqiptarë me origjinë nga Kosova, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, të martën janë shfaqur para mediave zvicerane dhe kanë kërkuar falje. Po, falje për gjestin me shqiponjë. Në paraqitjen e tyre para mediave morën pjesë edhe anëtarët e tjerë të ekipit, trajneri Vladimir Petkoviq si dhe krerë të Federatës së Futbollit të Zvicrës.

Në konferencën për shtyp ishte paralajmëruar vetëm pjesëmarrja e Petkoviqit, por befas para mediave në një hotel në Feusisberg mbi Liqenin e Zürichut u shfaq tërë stafi – 48 persona. Në fjalën e tij Granit Xhaka tha: ««Do të isha budalla nëse do ta bëja edhe njëherë shqiponjën». Me këtë gjunjëzim Xhaka premtoi se kurrë më nuk do ta bëjë shqiponjën kur luan për ekipin e Zvicrës. Ai shtoi se kjo temë është diskutuar intern me trajnerin, ekipin dhe me Federatën e Futbollit të Zvicrës në mënyrë që «diçka e tillë në të ardhmen të mos ndodhë më». Xherdan Shaqiri dha një deklaratë më të distancuar: «Do të doja të kërkoja falje nëse njerëzit në Zvicër e kanë ndier veten të sulmuar nga kremtimi im». I treti me radhë që kërkoi falje ishte Stephan Lichtsteiner, kapiten i ekipit, i cili tha se nuk kanë dashur të lëndojnë askënd, andaj «kërkojmë falje për atë që kemi shkaktuar». Portieri Yann Sommer dhe mbrojtësi Manuel Akanji kërkuan më shumë respekt për lojtarët me dy shtetësi. Sommer tha: «I njoh Granitin dhe Shaqirin prej se jam 15-vjeçar. E di se çfarë kanë bërë ata dy për Zvicrën – dhe kam respekt për këtë». (dp)