Washingtoni kërkon nga Serbia t’i nxjerr para gjyqit ata që fshehën kufomat e 941 shqiptarëve të Kosovës

Departamenti i Shtetit i SHBA tha se ata që janë përgjegjës për lëvizjen e trupave të pajetë të civilëve shqiptarë të Kosovës të vrarë në luftën e vitit 1999 në varre masive në Serbi duhet të sillen para drejtësisë.

Vendi i krimit: pamje nga lart e Batajnicës.



Departamenti i Shtetit tha në fillim të kësaj jave se ka sjellë një raport nga OJQ-ja me seli në Beograd, Qendra për të Drejtën Humanitare, për fshehjen e krimeve në Kosovë në vëmendjen e prokurorit të sapozgjedhur të Serbisë për krimet e luftës. «Ne besojmë se ata që janë fajtorë për lëvizjen e trupave të civilëve shqiptarë nga Kosova në varre masive klandestine në Serbi për të fshehur provat e masakrave të mëparshme duhet të sillen para drejtësisë», tha zëvendëssekretari i Shtetit, John Sullivan, në përgjigje të një pyetjeje nga anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve, Eliot L. Engel.

Engel, i cili ishte ndër të parët që kishte lobuar për pavarësinë e Kosovës, pyeti Departamentin e Shtetit për atë se a ka kërkuar nga qeveria e Serbisë se si do të ndjekë penalisht autorët e masakrave apo nëse ndonjë formë e gjykatës ndërkombëtare do të jetë e nevojshme. Ai përmendi raportin e janarit të vitit 2017 nga Qendra për të Drejtën Humanitare, FDH, e cila detajonte varreza masive në Serbi që përmbanin trupat e 941 shqiptarëve të Kosovës, kryesisht civilë të vrarë jashtë situatave luftarake në Kosovë në vitin 1999.

FDH ka pohuar se 110 persona, përfshirë zyrtarë të lartë serbë, mbeten të paprekur për heqjen e qindra kufomave në një përpjekje për të mbuluar masakrat gjatë luftës në Kosovë. «Ne e kemi ngritur çështjen me zyrtarët serbë në të gjitha nivelet e qeverisë, duke përfshirë edhe me presidentin serb Aleksandar Vuçiq», u përgjigj Departamenti i Shtetit tek Engel. «Përveç kësaj, u kujtojmë zyrtarëve serbë se ndjekja penale e shkeljeve të të drejtave të njeriut si këto është e domosdoshme për Serbinë për të përmbushur detyrimet e saj sipas kapitullit 23 të Acquis të BE-së», shtoi Sullivan.

Kapitulli 23 në trupin e legjislacionit europian që Serbia duhet të miratojë për t’u bashkuar me BE ka të bëjë me gjyqësorin dhe të drejtat themelore. Në një shkëmbim të veçantë me Engel, Sekretari Amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, gjithashtu tha se Departamenti i Shtetit ndan «zhgënjimin» e tij me mungesën e përparimit në rastin e vëllezërve Bytyqi, tre shtetas të SHBA me origjinë shqiptare të vrarë në 1999. Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi u kapën nga policia serbe në kufirin me Kosovën pas përfundimit të luftës duke ndihmuar një familje rome për t’u larguar nga Kosova. Trupat e tyre u gjetën më vonë në një varr masiv në një qendër trajnimi policor në Petrovo Selo në Serbinë lindore.

Tri burime treguan për BIRN më parë këtë vit se presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha gjatë një vizite në Washington në vitin 2015 se ish-oficeri i lartë i policisë Goran «Guri» Radosavljeviq dhe një tjetër person i panjohur ishin përgjegjës për vrasjet. Radosavljeviq është anëtar i bordit ekzekutiv të Partisë Progresiste Serbe të Vuçiqit. BIRN raportoi në vitin 2015 se provat e mbledhura nga hetuesit serbë, avokatët e FBI dhe të familjes Bytyqi sugjeruan se autorët e dyshuar kanë qenë të njohur për autoritetet e Beogradit për vite me radhë. Radosavljeviq, i cili tani drejton disa kompani të sigurisë në Beograd, u hetua shkurtimisht nga prokuroria serbe për këtë krim, por asnjëherë nuk u padit.
(BIRN)