VV: Nuk qëndrojmë prapa aksionit të shpimit të gomave të veturave zyrtare në Gjilan




Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar në lidhje me deklarimet e zyrtarëve të komunës së Gjilanit, nga kryetari Lutfi Haziri e zyrtarë tjerë komunalë që fajësuan këtë subjekt politik për aksionin e sotëm të disa individëve që shpuan gomat e veturave zyrtare të kësaj komune.

Vetëvendosje thotë se ky aksion nuk është realizuar nga ky subjekt politik, duke theksuar se aksionet e tyre paralajmërohen, madje ftohen edhe mediat.

«Dëshira e madhe e pushtetarëve për ta akuzuar Vetëvendosjen për gjithçka, doli në pah edhe sot në rastin e shfryrjes së gomave të Lutfi Hazirit. Ky aksion nuk është realizuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Çdo aksion ne e bëjmë në mënyrë publike dhe madje i ftojmë edhe mediet», theksohet në reagimin e VV-së.

Reagimet e këtilla, Vetëvendosje po i quan luftë speciale ndaj Vetëvendosjes, dhe kjo, sipas tyre, «po bëhet nganjëherë me polici e nganjëherë me propagandë të pushtetit».

«Sidoqoftë, ne nuk e kemi ndërmend t’i ndalim veprimet tona për parandalimin e krijimit të «Zajednicës»», përfundon reagimi.