VV në aksion edhe në Gjilan, shpon gomat e veturave zyrtare, Haziri: Veprim tinëzar




Pas aksionit të Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, aktivistë të së cilës kanë shpuar gomat e veturave zyrtare, ka reaguar kryetari i Komunës, Lutfi Haziri.

Ai thotë se edhe përkundër investimeve të mëdha që janë duke u bërë në infrastrukturën e qytetit, Vetëvendosje në mënyrë tinëzare ka shpuar gomat e veturave zyrtare të Komunës.

«Pas punëve që janë duke u bërë në Komunën e Gjilanit në vlerë prej 5 milionë euro në zëvendësim të gypave të asbestit dhe rregullimit të lumit «Mirusha» e «Stanishorka» dhe ujërave të zeza gjithandej territorit të Komunës në vlerë prej 7 milionë euro, sot Vetëvendosje në Gjilan në mënyrë tinëzare ka shpuar gomat e veturave zyrtare të Komunës», thuhet në reagimin e Komunës së Gjilanit, raporton Koha.net.

Ndërkaq, këtë veprim të këtyre aktivistëve, Haziri e ka quajtur të jashtëligjshëm dhe të dënueshëm me ligjet e Republikës së Kosovës.

«Duke e kuptuar vokacionin e Vetëvendosjes në qendër, shpresoj që të mos bartet dhuna edhe në Gjilan, në qytetin e demokracisë, sepse aksionet e tilla të dëmtimit të pronës publike janë të papranueshme dhe si të tilla të dënueshme me ligjet e Republikës», ka theksuar më tej Haziri, kryetari i Gjilanit.

«Sa për informatën e individëve të frustruar, të cilët, po e përsëris, s’e kanë kaluar as Llabjanin, e le më të merren dhe kuptojnë politikat nacionale, ‘decentralizimi i Lutës’ e ka sjellë Pavarësinë e Kosovës, ndërkaq ‘Zajednica’ e Vetëvendosjes po e rrënon këtë Pavarësi», thuhet në reagimin e të parit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.