VV: Malisheva voton kundër «Zajednicës»

Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Malishevë, në mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal të kësaj komune, ka propozuar një deklaratë e cila kundërshton marrëveshjen e arritur në Bruksel ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe atij të Serbisë, në theks të veçantë krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, të cilën kjo Lëvizje e quan «Zajednicë».




Deklarata, sipas njoftimit për media të Vetëvendosjes, u mbështet nga anëtarët e subjekteve tjera politike Nisma dhe AAK, derisa u kundërshtua nga LDK-ja dhe PDK-ja, të cilat, «në momentin e votimit të saj lëshuan edhe sallën, duke treguar se janë për krijimin e Zajednicës, dhe i qëndrojnë besnik shefave të tyre që këto marrëveshje i arritën në dëm të vendit».

«Negociatat mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, përgjatë gjithë kësaj kohe kanë qenë të favorshme për këtë të fundit. Ajo që dihet tashmë hapur është se pikërisht nga këto negociata pa kushte dhe pa parime Serbia po i afrohet më shumë Bashkimit Evropian dhe po e forcon pozitën e saj në raport me çështjet e brendshme të Kosovës, ndërsa në anën tjetër Kosova po dëmtohet në vazhdimësi», thuhet në këtë njoftim për media të Vetëvendosjes.