VV ia kthen Petrit Selimit: Asnjëherë nuk i ke quajtur fashistë vrasësit e shqiptarëve

Pas cilësimeve «fashistë», që ua bëri aktivistëve të Vetëvendosjes, të cilët e gjuajtën me vezë zëvendësministrin e Jashtëm të Kosovës, Petrit Selimi, zëdhënësi i kësaj Lëvizjeje, Frashër Krasniqi iu përgjigj me të njëjtën masë.




«Petrit Selimi asnjëherë nuk i ka quajtur fashistë apo kriminelë ata që e vranë Enver Zymberin; asnjëherë nuk i ka quajtur fashistë kriminelët që kanë vrarë Selver Haradinin; asnjëherë nuk i quajti fashistë rojat e urës; asnjëherë nuk e quajti fashist mikun e tij të dashur Ivica Daçiq, i cili Kosovën e quajti ISIS. Por, i quajti fashistë aktivistët e Vetëvendosjes që po bëjnë aksione kundër ndarjes etnike dhe fashizmit të Serbisë», thuhet në reagimin e Krasniqit, transmeton Koha.net, i cili në fund shton:

«Petrit Selimi, shefat dhe kolegët e tij, dinë të ashpërsohen vetëm kur cenohen privatisht. Asnjëherë nuk kanë zell të tillë ashpërsie kur rrezikohet apo cenohet shoqëria dhe shteti ynë».