«Vullneti i gjithë popullit qëndron kundër terrorizmit»

Pas sulmit terrorist në Berlin, ku u vranë 12 veta dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, shumë gjermanë po gjejnë ngushëllim në një citat të kancelarit Helmut Schmidt nga viti 1977. Një shënim për historinë gjermane dhe ballafaqimin me terrorizmin.




Vjeshta e vitit 1977 për Gjermaninë është e paharrueshme. Ngjarjet e atëhershme janë pjesë e rëndësishme dhe e dhimbshme e historisë gjermane pas Luftës së Dytë Botërore. Dëshmitarët e kohës, historianët dhe gazetarët flasin për vjeshtën e plumbtë gjermane. Atëbotë terrorizmi i Fraksionit Armata e Kuqe (RAF), një grup ekstremist majtist, arriti kulmin. Ne Mogadishu të Somalisë terroristët palestinezë kidnapuan një avion të kompanisë gjermane Lufthansa, njëkohësisht anëtarët e RAF kidnapuan shefin e shoqatës së punëdhënësve gjermanë Hanns-Martin Schleyer. Pasi shteti refuzoi të gjunjëzohet dhe t’i lirojë terroristët e RAF dhe forcat speciale gjermane arritën t’i japin fund kidnapimit të avionit në Somali, terroristët në shenjë hakmarrjeje vranë Hanns-Martin Schleyerin.

Në vitin 1977 kancelar i Gjermanisë ishte Helmut Schmidti, një socialdemokrat me besim të palëkundur në fuqinë e shtetit për t’u përballur me terrorizmin. Pas ngjarjeve të rënda Schmidt iu drejtua qytetarëve të Gjermanisë me një fjalim. Mes tjerash, ai tha: «Ndërsa po flas unë këtu, me siguri diku janë duke dëgjuar edhe dorasit fajtorë. Në këtë çast ata mund të kenë një ndjenjë triumfuese të fuqisë. Por ata nuk duhet ta mashtrojnë veten. Në aspektin afatgjatë terrorizmi nuk ka shans. Sepse kundër terrorizmit nuk qëndron vetëm vullneti i organeve shtetërore, kundër terrorizmit qëndron vullneti i gjithë popullit».

Pas sulmit terrorist në Berlin, ku u vranë 12 veta dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, shumë gjermanë po gjejnë ngushëllim në këtë citat të kancelarit Helmut Schmidt. Citati është publikuar nga televizioni gjerman ZDF dhe është shpërndarë mijëra herë në mediat sociale.

Me qëndrimin e tij stoik kundër terroristëve, të cilët synonin të shantazhonin shtetin, Schmidt i dha një goditje të rëndë Fraksionit Armata e Kuqe (RAF). Pak orë pasi mori fund kidnapimi i avionit gjerman në Somali, në burgun e sigurisë së lartë në Stuttgart-Stammheim bënë vetëvrasje tre anëtarë prijës të RAF: Andreas Baader, Gudrun Ensslin dhe Jan-Carl Raspe.

Rreziku i terrorizmit majtist i kërcënohej Gjermanisë sidomos nga fillimi i viteve ’70. Në fillim të vitit 1975 një lëvizje anarkiste kidnapoi politikanin konservator të Berlinit, Peter Lorenz, dhe në shkëmbim të tij kërkoi lirimin e 6 burgosurve për terrorizëm. Kryetari i atëhershëm i Berlinit, Klaus Schütz, dhe shefi i partisë konservatore CDU, Helmut Kohl, e bindën Helmut Schmidtin të lëshojë pe. Pasi u liruan 5 terroristë shkuan në Jemenin e atëhershëm jugor dhe nisën luftën e armatosur.

Tre muaj më vonë terroristët e RAF morën peng 14 diplomatë dhe punëtorë të Ambasadës së Gjermanisë në Stokholm dhe kërkuan lirimin e 26 «të burgosurve politikë», shumica anëtarë të RAF. Schmidt refuzoi – dhe terroristët vranë dy diplomatë gjermanë. Në ditën e pengmarrjes në Stokholm kancelari Schmidt doli të shëtis me gruan e tij në kopshtin e selisë së kancelarit në Bonn dhe së bashku morën një vendim historik: te shefi i kabinetit të kancelarit bashkëshortët Schmidt do të depononin një deklaratë me shkrim, në të cilën theksonin se, në rast kidnapimi nga terroristët, ata refuzonin të shkëmbeheshin. Shumica e historianëve gjermanë janë të mendimit se me qëndrimin e tij të rreptë kundër terroristëve, Schmidt i kishte dhënë goditjen përfundimtare Fraksionit Armata e Kuqe.