Vullnetarët krijojnë guidën për Gjilanin

Me bazë vullnetare, organizata joqeveritare «Qendra e Aktivizimit të Rinisë» (Youth Activism Center - YAC) në bashkëpunim me uebfaqen Bleje.NeT ka krijuar platformën e guidës së Gjilanit www.gjilan.org.




Në këtë guidë janë të përfshirë të dhënat rreth qytetit të Gjilanit; siç është historiku i kësaj komune, vendbanimet, vendet turistike, vendet kulturore, objektet fetare, restorantet, kafenetë, klubet e natës, qendrat tregtare, edukimit, qendrat e mjekësisë, kompanitë turistike, oraret e autobusëve nga Gjilani dhe shumë gjëra të tjera, shkruan sot «Koha Ditore».

Mejdi Sadiku, zëvendësdrejtor i YAC-it, ka thënë se uebfaqja është krijuar për të promovuar Komunën e Gjilanit dhe se për të dhënat mbi qytetin do të mund të kontribuojnë edhe qytetarët.

«Kjo uebfaqe është hapur për promovimin e Gjilanit p.sh. për turistët që vijën në Gjilan paraprakisht para se me ardhë ku munden m’u akomudu nëpër hotele, çfarë munden me vizitu në Gjilan. Përveç turistëve, në Gjilan e kemi edhe për banorët e Gjilanit nëse duan të kërkojnë diçka atëherë ajo do të jetë në guidë. Kjo është në baza vullnetare dhe as nuk kemi apliku për mbështetje. Edhe qytetarët nëse duan munden që t’i dërgojnë të dhënat e tyre, të bizneseve, hoteleve, restoranteve që me u fut ato të dhëna në webfaqe. Këto ditë do të kontaktojmë me Komunën që me këqyr një mundësi me i marrë vendet turistike për me i fotografu. Ky është veç fillimi, sepse të gjitha të dhënat do të rifreskohen», ka thënë ai.