Vulini dhe biskotat e Serbisë në Kosovë

Shqiptarët e Kosovës janë kriminelë, qendra botërore e tregtisë me drogë është Prishtina dhe llomotitje të tjera: të gjitha këto i tha në një konferencë në Kinë ministri i Mbrojtjes i Serbisë. Dhe 90 për qind e shqiptarëve të Kosovës sot, e shtunë, 27 tetor 2018, zgjohen nga gjumi dhe vrapojnë në dyqane për të blerë prodhime të Serbisë. Sepse Serbinë duhet përkrahur financiarisht – vetëm vitin e kaluar firmat serbe kanë shitur mallra në Kosovë në vlerë prej 418 milionë euro.

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë Aleksandar Vulin dekoron gjeneralin Lubisha Dikoviq, i dyshuar për krime të luftës në Kosovë. Karikatura: Corax, Radio Europa e Lirë.



Ministri i Mbrojtjes i Serbisë Aleksandar Vulin ka zbrazur një batare retorike kundër shqiptarëve të Kosovës në një konferencë në Pekin. Diçka tjetër nuk mund të pritet nga një politikan i sojit të tij, i dyshuar për korrupsion, i etur për të nxitur urrejtje ndaj popujve të tjerë, i zhytur thellë në propagandën antiperëndimore, i dehur nga nacionalizmi, pseudokomunizimi dhe shovinizmi serb. Megjithatë, përherë politikanët si Vulini e tejkalojnë veten me mizorinë e tyre prej rrenacaku.

Në fjalimin e tij në Pekin Vulin paralajmëroi botën nga rreziku i shqiptarëve të Kosovës. Shqiptarët e Kosovës janë kriminelë, qendra botërore e tregtisë me drogë është Prishtina, ata paraqesin rrezik për rendin botëror, kujdes, mos i pranoni në Interpol, sepse pastaj Interpoli e humb kuptimin, kujdes nga rreziku i «Shqipërisë së Madhe». Këto të gjitha i tha Vulin. I tha përfaqësuesi i një shteti që në 25 vitet e fundit ka ndezur katër luftëra në Ballkan, ka kryer gjenocid në Srebrenicë (i pari gjenocid në Europë pas krimeve naziste në Luftën e Dytë Botërore), ka mbajtur të rrethuar Sarajevën (ky ka qenë rrethimi më i gjatë i një qyteti në historinë moderne – me mbi 10 mijë viktima, mes tyre 1600 fëmijë). I tha politikani i një shteti, ku ministri i Jashtëm dyshohet se mban lidhje të ngushta me kartelet e drogës, ku banda Pink Panter me bazë në Serbi plaçkit stoli dhe orë në mbarë botën, ku nëntoka politike vret kryeministrin e vendit, ku pothuaj komplet udhëheqja shtetërore e viteve ’90 është e dënuar për krime lufte.

Gjuha barbare e Aleksandar Vulinit nuk është fare befasuese. Befasi e vërtetë është kjo: 90 për qind e shqiptarëve të Kosovës sot, e shtunë, 27 tetor 2018, zgjohen nga gjumi dhe vrapojnë në dyqane për të blerë prodhime të Serbisë. Sepse Serbinë duhet përkrahur financiarisht – vetëm vitin e kaluar firmat serbe kanë shitur mallra në Kosovë në vlerë prej 418 milionë euro. Mund ta marrim me mend Vulinin duke u gëzuar në ndonjë ndejë në kafehanet e Beogradit: Serbia çdo ditë nxit urrejtje ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe prapë përfiton prej tyre gati gjysmë miliardë euro. Gëzuar me shlivovicë!

Biznesmenë me prirje kriminale mes Prishtinës dhe Pejës vazhdojnë të importojnë me të madhe çdo gjë nga Serbia. Kjo kastë biznesmenësh pa taban kombëtar i ka blerë shumicën e politikanëve të PDK-së dhe AAK-së, të cilët nuk kanë më asnjë ideal për këtë vend – ideali i tyre është të fitojnë ndonjë para nga importimi i biskotave të Serbisë. Kjo kastë politiko-biznesore nuk ka pothuaj asnjë interes që në Kosovë të prodhohet diçka, sepse kjo do të nënkuptonte uljen e fitimeve nga importimi i mallrave të Serbisë.

Kompleksi i inferioritetit, mentaliteti i robit, tradita fatale e bujkrobit e ka sjellë Kosovën këtu. A i keni parë politikanët e Kosovës kur thonë se duhet t’i kërkojmë falje Serbisë? A i keni parë politikanët dhe oligarkët primitivë të Kosovës duke vrapuar korridoreve të OKB-së në New York për t’ia prekur dorën kryeministres serbe, për t’iu vardisur asaj pa asnjë fije dinjiteti shtetëror? Të gjitha i keni parë – dhe prapë këta njerëz disi marrin vota, disi ia dalin të krijojnë shumicë në parlament, disi ia dalin të krijojnë qeveri, disi ia dalin të emërojnë mbi 20 ministra dhe mbi 80 zëvendësministra dhe dreqi e di sa koordinatorë nacionalë për punë të kota, pastaj ia dalin që të vazhdojnë biznesin me firmat serbe dhe askush nuk u thotë «stop»!

Për aq kohë sa shqiptari i Kosovës do të durojë çizmen e pushtetarëve në qafë dhe fyerjet e Vulinit në Pekin, ky vend nuk mund të dalë nga qorrsokaku, nga tuneli ku kjo shoqëri është katandisur duke qenë tepër tolerante ndaj kastës së korruptuar dhe – edhe më keq – duke qenë politikisht aq e papjekur, saqë për çdo vit ia dhuron Serbisë nga gjysmë miliardë euro. Në magje – mielli nga Serbia, mbi shporet – vaji nga Serbia, në sirtar – biskotat nga Serbia («pllazma-keksat»), shtëpitë të ndërtuara – me material nga Serbia. Përse të mos ua shajë edhe familjet Vulini në ditët e ardhshme në ndonjë konferencë në Moskë? Nuk do të ishte fare befasi. Nga një primitiv nuk pritet diçka tjetër. Por, çka mund të pritet nga populli i Kosovës? Heshtje edhe më tutje?