Vuçiqi varros varrmihësin

Vetëm Sllobodan Millosheviqi ka pasur më shumë pushtet në Serbi: të dielën kryeministri serb Aleksandër Vuçiq synon të bëhet president. Nëse nuk funksionon në raundin e parë, në të dytin me siguri do të ketë sukses. Një portret mbi rrugën e Aleksandër Vuçiqit – prej nxënësit që shkruante hartime për Jugosllavinë e Titos deri te «shqiptarngrënësi» radikal.

Ndihmë vëllazërore: Vladimir Putini mbi tank dhe Aleksandër Vuçiqi duke u përgatitur për fitoren në zgjedhjet presidenciale. Karikaturë e Predrag Koraksiqit (Corax).



Aleksandër Vuçiqi përherë ka qenë një nxënës i mirë. Por, kjo nuk domethënë se nxënësit e mirë gjithmonë janë të dobishëm për shoqërinë – sidomos kur merren me politikë. Vuçiq ndoqi klasat e para të shkollës fillore në Beograd në fund të viteve ’70, atëherë kur «lideri i madh» Josip Broz Tito po sëmurej gjithnjë e më shumë dhe Jugosllavia po fundosej thellë e më thellë në borxhe. Në një hartim për nder të Ditës së Republikës (29 nëntor 1979) Vuçiq si nxënës i klasës së IV shkruante se «edhe unë kam mësuar që Ty (Republikës, v.j.) një ditë të mund të të dhurojë tunele të ndërtuara, shtëpi apo hidrocentrale». Atëherë nuk i kishte këto mundësi, andaj i dhuronte Republikës një buqetë me trëndafila të kuq me urimin që Republika të jetojë përgjithmonë.

Çfarë rruge do të ndiqte një nxënës i tillë po të mos triumfonte nacionalizmi në Serbi? Ndoshta Vuçiq do të ishte sot ofiqar në Zemun, konduktor tramvaji apo bukëpjekës në ndonjë furrë me pronar shqiptar në Beograd. Ndryshimet e mëdha shoqërore, rrëzimi i një rendi jodemokratik, siç ishte sistemi jugosllav, dhe zëvendësimi i tij me një sistem kriminal, nxjerrin në sipërfaqe demagogë, shovinistë dhe manipulues të rryer. Slobodan Millosheviqi ishte njëri prej këtyre manipuluesve: një burokrat me karrierë bankieri përdor nacionalizmin për të ardhur në pushtet, pastaj sipas nevojës i tërhiqte penjtë – herë të kukullave nacionaliste, herë të oligarkëve, herë të opozitës që përpiqej t’ia kalonte me nacionalizëm. Kështu «Slloba» mund të shitej si «faktor stabiliteti» përballë botës perëndimore në krahasim me Vojislav Sheshelin, babanë shpirtëror dhe politik të Aleksandër Vuçiqit.

Në gjysmën e dytë të viteve ’80 ngadhënjimi i opsionit nacionalist në Serbi ishte një goditje e rëndë për politikanët liberalë. Nga politika u largua kryetari i atëhershëm i Beogradit Bogdan Bogdanoviq, ndërsa në jetën publike u futën ithtarët e luftës dhe nxitësit e urrejtjes ndërnacionale. Ra nga pushteti shefi i komunistëve të Beogradit Dragisha Pavloviq, i cili ishte ndër funksionarët e parë të Lidhjes së Komunistëve që kritikuan kursin nacionalist serb kundër Kosovës dhe shqiptarëve. Më 11 shtator 1987 Pavlloviq në një konferencë për shtyp tha: «Situata në Kosovë, e cila s’po përmirësohet me shpejtësinë e dëshiruar dhe të premtuar, po krijon atmosferën e rrezikshme, kur çdo fjalë e thënë kundër nacionalizmit serb është kuptuar si nacionalizëm. Fjalët emocionale mund të sjellin vetëm zjarr». Pas këtyre fjalëve karriera e tij mori fund. Pavlloviq ishte një politikan i guximshëm. Ai e kishte kundërshtuar udhëheqjen komuniste-nacionaliste një javë pasi kishte ndodhur e ashtuquajtura «masakër e Paraçinit»: rekruti shqiptar nga Kosova Aziz Kelmendi akuzohej se para së «të vriste veten» kishte hapur zjarr kundër shokëve të tij ushtarë dhe me atë rast kishte vrarë një serb, dy boshnjakë, një kroat dhe një slloven. Kjo ngjarje nuk është ndriçuar kurrë deri në fund dhe edhe sot meriton një hulumtim të veçantë.

Në këtë atmosferë të histerisë antishqiptare Vuçiq ishte politizuar, por meqë lufta nuk shpërtheu së pari në Kosovë, por në Bosnjë, ai si simpatizant i Partisë Radikale shkoi në Pale afër Sarajevës, ku gjendej selia e forcave serbe, dhe punoi si gazetar në një radio propagandistike në shërbim të ksenofobëve dhe kriminelëve të ardhshëm të luftës Radovan Karaxhiq, Ratko Mlladiq, Momçillo Krajishnik, Biljana Pllavshiq, Nikolla Koljeviq etj.

Pas kthimit në Beograd në fillim të viteve ’90 Vuçiq u bë një nxënës i zellshëm i Vojislav Sheshelit dhe Tomislav Nikoliqit, dy liderëve të Partisë Radikale ultranacionaliste të Serbisë. Krerët e kësaj partie shquheshin për «ide të reja» për zhdukjen e kroatëve («atyre duhet nxjerrë sytë me lugë të ndryshkur») dhe «zgjidhjen e problemit të Kosovës» («shqiptarët duhet infektuar me AIDS»). Një shkollë e rëndësishme e urrejtjes, të cilën e kishte ndjekur Vuçiqi, ishte edhe grupi i fansave «Delije». Ata përkrahnin ekipin e futbollit «Crvena zvezda». Nga kjo strukturë fansash krimineli i luftës Arkan kishte rekrutuar disa prej vrasësve më mizorë, të cilët kryen krime të llahtarshme nga Kroacia e Bosnja deri në Kosovë.

Kjo ishte bota e Vuçiqit në vitet ’90. Në fund të dekadës ai prej një nxënësi të devotshëm që më 1995 kishte premtuar se «për një serb të vrarë do të vrasim 100 myslimanë» u emërua ministër i Informatave në një kabinet të përbashkët të socialistëve të Millosheviqit dhe radikalëve të Sheshelit. Vuçiq mbahet mend për luftën e pamëshirshme kundër mediave të pavarura serbe të asaj kohe. Edhe pas rrëzimit të regjimit të Millosheviqit Partia Radikale i qëndroi besnik kursit nacionalist. Vuçiq në vitet ’90 kishte thënë se qyteti i Kninit kurrë nuk do të jetë në Kroaci apo Pale «xhamahiri e myslimanëve», andaj edhe pas vitit 2000 vazhdoi të kundërshtojë arrestimin e Mladiqit dhe Karagjiqit.

Bashkë me Tomislav Nikoliqin morën drejtimin e Partisë Radikale pasi në fund të shkurtit 2003 Tribunalit të Hagës iu dorëzua Shesheli. Si nxënës i zgjuar Vuçiq e kuptoi se Partia Radikale nuk mund të arrijë të marrë kurrë pushtetin me kursin e saj ekstrem nacionalist. Ai e dinte se rreth 30 për qind të votuesve serbë e përkrahin Partinë Radikale, por asnjë parti tjetër nuk do të jetë e gatshme për koalicion me të, e lëre më pakicat në Serbi – hungarezët në Vojvodinë, shqiptarët në jug të Serbisë (Luginë të Preshevës), boshnjakët në Sanxhak. Në tetor 2008 ndodhi e (pa)pritura: Nikoliq dhe Vuçiq u larguan nga Partia Radikale dhe themeluan Partinë Progresive Serbe (SNS). Kështu ata e varrosën Sheshelin.

Të dielën, kur në Serbi do të mbahen zgjedhjet parlamentare, kryeministri Vuçiq ka shans ta varrosë edhe Tomislav Nikoliqin, kryetarin aktual të Serbisë. Nikoliq u zgjodh president në vitin 2012, por ai kurrë nuk arriti të bëhej i pranueshëm si president, sepse kurrë s’arriti të fshijë imazhin e «varrmihësit» – një referencë nga koha kur ai në qytetin e tij të lindjes Kragujevac ishte përgjegjës edhe për administrimin e varrezave. Vuçiq mban postin e kryeministrit që nga viti 2014. Që nga atëherë ai ka arritur të fusë nën kontroll gati të gjitha institucionet e shtetit. Mediat e pavarura pothuaj nuk ekzistojnë – me përjashtim të gazetës «Danas» dhe revistës «Vreme». Punën e pistë e kryejnë mediat e ashtuquajtura bulevardeske si «gazeta» «Informer», një nevojtore «publicistike» dhe flamurtare e fabrikave të rrenave në Ballkan. Vuçiq nuk do të ishte aq i fuqishëm po të mos ishin kundërshtarët e tij aq të dobët. Të ashtuquajturit demokratë proeuropianë, të përkrahur me vite nga Brukseli,  kanë humbur kredibilitetin, andaj kundërkandidati më serioz i Vuçiqit në zgjedhjet parlamentare është një «jokandidat», Beli, një humorist nga provinca («Populli po e kërkon një mesia. Unë jam media»).

Por «mesia» që do të fitojë të dielën ose më 16 prill do të jetë Vuçiq. Në aspektin ekonomik Vuçiq ka arritur disa suksese, ndonëse jo madhështore. Në vitin 2016 Serbia shënoi një rritje ekonomike prej 2,8 për qind – kjo është rritja më e lartë ekonomike në tetë vitet e fundit. Ndërsa me 13 për qind të papunë Serbia ka njërën ndër kuotat më të ulëta në Ballkan. (Sa për krahasim: në Kosovë rreth 30 për qind e njerëzve të aftë për punë janë të papunë).

Në lidhje me Kosovën: cili do të jetë qëndrimi i Vuçiqit në të ardhmen? Si deri më tani! Domethënë: duke luajtur rolin e të moderuarit do të përpiqet të gjejë partnerë në Prishtinë për të rikthyer në të gjitha mënyrat e ndryshme ndikimin e Serbisë brenda shtetit të Kosovës. Vuçiq nuk është naiv. Ai e di se Serbia nuk mund të kthehet të sundojë në Kosovë, por do të kërkojë që për çdo çështje të pyetet Serbia. Çfarë të bëhet me ujin e Liqenit të Gazivodës? Duhet pyetur Serbinë! A do të ketë Kosova prefiks telefonik? Vendos Serbia! A marrin apo jo pjesë në punimet e Kuvendit të Kosovës deputetët serbë? Vendos Vuçiqi! A do të themelohet ushtria e Kosovës? Po, nëse pranon Vuçiqi! A do të stacionohet ushtria e Kosovës në veri? Po, nëse këtë e pranon Beogradi. Për të gjitha këto plane (disa të realizuara dhe disa që presin të realizohen) Vuçiq ka gjetur partnerë në Prishtinë. Partnerët e tij quhen Hashim Thaçi dhe shegerti i tij Isa Mustafa.

Në librin e tij me kujtime nga lufta në Bosnjë diplomati amerikan Richard Holbrooke i quante liderët e serbëve të Bosnjës «idiotët e Pales», ndërsa për serbët thoshte se shumë kanë dëshirë të krekosen si të fuqishëm, por kur «ua vë revolen në gjoks, ata janë vetëm poterexhi të vegjël». Problemi i Kosovës është se Holborooke ka vdekur dhe në Washington ka ardhur në pushtet një administratë tjetër pa dije e vetëdije mbi rolin e Amerikës në sigurimin e paqes në Europë dhe më gjerë. Ndërkohë Vuçiq është shndërruar në nxënës të mirë të Vladimir Putinit – prej tij mori dhuratë disa avionë dhe tanke bash në prag të zgjedhjeve presidenciale. Vuçiq u takua para pak ditësh edhe me kancelaren gjermane Angela Merkel, e cila si përherë edhe kësaj radhe nuk e prek kurrë thelbin e problemit kur është fjala për raportet mes Serbisë dhe Kosovës. Thelbi i problemit është se Serbia e saboton me shumë mjete shtetin e Kosovës, të cilin nuk e pranon, ndërsa njëkohësisht zhvillon bisedime për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Për aq kohë sa Serbia nuk detyrohet të pranojë shtetin e Kosovës, tensionet do të vazhdojnë. Por, në raportet e çdo shteti me një shtet tjetër rol luajnë së pari interesat ekonomike. Pas takimit Merkel-Vuçiq qeveria gjermane njoftoi se Gjermania është ndër partnerët më të rëndësishëm tregtarë të Serbisë. Vëllimi tregtar së fundi ishte gati katër miliardë euro. Investimet e drejtpërdrejta gjermane sillen rreth 1,3 miliardë euro. Në Gjermani jetojnë rreth 400 mijë serbë. Që nga viti 2000 Gjermania ka përkrahur Serbinë me 1,6 miliardë euro. Investimet gjermane në Kosovë janë pothuaj joekzistuese. Siç është gati joekzistuese politika e jashtme e Kosovës.