«Vuçiqi dhe epoka e rrenave totale»

Sociologia e njohur serbe Vesna Peshiq flet në «The New York Review of Books» për gënjeshtrat e jashtëzakonshme të kryeministrit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, pritjet e nacionalistëve serbë nga administrata e presidentit të ri amerikan dhe shpjegon përse serbët qe 200 vjet nuk mësojnë nga gabimet e tyre.

Vesna Peshiq.



Vesna Peshiq është njëra prej intelektualeve më të rëndësishme të Serbisë properëndimore. Disidente në epokën e Jugosllavisë së Titos, e përgjuar nga shërbimi sekret dhe e urryer nga qarqet nacionaliste, ajo që nga fillimi i shpërbërjes së Jugosllavisë në fund të viteve ’80 u angazhua publikisht kundër luftës, gjakderdhjes, idesë së Serbisë së Madhe. Më shumë se një çerek shekulli ka kaluar që nga shpërbërja e Jugosllavisë, mbi gërmadhat e këtij shteti shumëkombësh janë themeluar republika të reja, ndërsa në Serbi prej vitesh në pushtet gjenden ish-radikalët ultranacionalistë që hiqen si proeuropianë dhe pasardhësit politikë të Slobodan Millosheviqit. Për sociologen Vesna Peshiq gjendja në Serbi është e padurueshme për shkak të gënjeshtrave të përditshme nga ana e pushtetit.

Në një intervistë për «The New York Review of Books» Peshiq ka folur për «epokën e re të rrenave totale»: «Ne çdo ditë dëgjojmë gënjeshtrat e jashtëzakonshme të kryeministrit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, të cilat tejkalojnë rrenat me të cilat jemi mësuar deri më tani. Edhe (Donald) Trumpi e ka ngritur praktikën e zakonshme të spinit politik në lartësi të papara. As njërit, as tjetrit nuk i kanë bërë fare dëm rrenat dhe shpifjet. Popullistëve autoritarë serbë Trumpi u pëlqen shumë, ata hovshëm e kanë përkrahur duke marshuar rrugëve dhe duke bartur fotografitë e tij dhe fanellat me portret të tij, duke kërkuar nga serbët në Amerikë të votojnë për të».

Sipas Peshiq nacionalistëve serbë u pëlqen kritika e Trumpit kundër globalizimit për shkak se ajo kritikë kthen fokusin te sovraniteti i kombit – «dhe këtu mendohet se një kthesë e tillë do të ndihmojë në realizimin e ëndrrave nacionaliste serbe. Llogarisin se Rusia mbështet Serbinë, ndërsa tani do të na bashkohet edhe Trumpi me ‚Amerikën përsëri të madhe‘. Të lumtë ne!»

Peshiq theksoi në këtë intervistë se serbët nuk mësojnë nga gabimet e tyre, «andaj për 200 vjet të historisë sonë moderne, që nga kryengritja e parë kundër turqve deri më sot, ne përherë i zgjidhim çëshjet e njëjta, para së gjithash çështjet e shtetit, madhësisë së tij dhe problemin e bashkimit të të gjithë serbëve. Për shkak të luftërave të vazhdueshme dhe modernizimit të pamjaftueshëm të shoqërisë, Serbia përherë ka qenë ekonomikisht e dobët dhe nuk ka investuar sa duhet në arsimimin dhe shëndetin e qytetarëve. Nuk ka arritur të krijojë aleanca dhe miqësi me popujt që jetojnë në shtetin e njëjtë, por përherë jemi në prag të kaosit të dhunës së re. Nga kjo buron edhe mungesa e demokracisë; shumica do të donin standard më të mirë të jetës, por edhe kjo duhet t’i nënshtrohet çështjes së përjetshme nacionale. Kisha jonë është tejet konservatore dhe nacionaliste, kështu që ne kemi qenë më të iluminuar në kohën e socializmit kur kisha nuk kishte aq shumë ndikim siç ka tani».

Peshiq ka kritikuar ashpër kryeministrin serb Vuçiq mbi stilin e qeverisjes. «Sundimtari ynë i ri, ish-radikal nga koha e Milosheviqit, të cilin revista gjermane ‚Der Spiegel‘ e ka quajtur egomaniak, çdo ditë organizon shfaqje dhe çdo vit, kur ka nevojë, shpall zgjedhje të jashtëzakonshme. Në prill kemi zgjedhje të rregullta presidenciale (te ne kryetari nuk ka kompetenca të mëdha), në të cilat kundërshtarët e këtij regjimi të çmendur duan gjithsesi të tregojnë fuqinë e tyre, ndonëse opozitën e kemi më të dobët se kurrë më parë. Edhe këtu optimizmi dhe angazhimi i viteve ’90 janë zhdukur, mijëra të rinj po braktisin Serbinë, po kërkojnë vende më të mira për të jetuar. Edhe unë e kam vështirë të durojë këto regrese të përhershme dhe kthim prapa. Nuk kam më as forcë, as vullnet të nisem nga fillimi, sepse këtu, në Serbi, përherë jemi vetëm në fillim».

Duke folur për epokën e lajmeve të rrejshme sociologia serbe nënvizoi se kemi të bëjmë me një shkëputje strukturore nga e vërteta, trualli i së cilës është degjenerimi i institucioneve në të cilat bazohet demokracia liberale. (-lli)