Vuçiq mbi simitet, Kosovën dhe Fuqitë e Mëdha

Kryetari serb ka paralajmëruar se në mars do të dalë me një propozim për Kosovën, i cili nuk do të injorojë realitetin në Kosovë, por as nuk do të pranojë pavarësinë e saj. Gjasat janë që Serbia ta zyrtarizojë kërkesën për ndarjen e Kosovës.

Simite dhe politikë: Aleksandar Vuçiq, kryetar i Serbisë. Foto: Shutterstock



Njëri ndër mbështetësit më të mëdhenj të ndarjes së Kosovës në Serbi është ministri i Jashtëm Ivica Daçiq. Ai këtë ide e mbështet prej vitesh – herë si kryeministër, herë si zëvendëskryeministër, herë si shef i diplomacisë. Daçiq thotë se po të lejonte bashkësia ndërkombëtare, me shqiptarët Serbia do të merrej vesh lehtë për ndarje.

Kur presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq në korrik botoi një editorial në gazetën «Blic» mbi domosdoshmërinë e dialogut të brendshëm serb për Kosovën, ai nënvizoi se Serbia nuk duhet të ketë iluzione se do ta qeverisë Shtimen dhe Malishevën, por, shtoi ai, Beogradi nuk duhet të heq dorë nga ajo që e kontrollon. Dihet se qeveria e Beogradit më së shumti ndikim ka në veriun e Kosovës.

Pas editorialit të Vuçiqit menjëherë u kyç në debat Ivica Daçiq me kërkesën për ndarjen e Kosovës. Qëllimi i shqiptarëve, sipas tij, është krijimi i «Shqipërisë së Madhe», e cila kërcënon të bëhet «shteti potencialisht më vital i Ballkanit». Në tekstin e Daçiqit dominon retorika historiko-nacionaliste serbe. Aty theksohet se përveç krijimit të «Shqipërisë së Madhe» shqiptarët synojnë ta «aneksojnë» veriun e Kosovës dhe ta lidhin me Sanxhakun mysliman për ta ringjallur «territorin osmano-historik». Kështu, sipas tij, lidhja e «Kosovës së islamizuar» me Sanxhakun do të ishte humbja më e madhe për popullin serb se të gjitha humbjet në shekullin e XX.

Të hënën debatin për Kosovën e ka vazhduar kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq në një intervistë dhënë gazetës «Novosti», e cila drejtohet nga një propagandist shumëvjeçar i regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Në intervistë Vuçiq ka thënë se është realiste të pritet që në mars të vitit të ardhshëm Serbia të dalë me një propozim për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Sipas tij çdo zgjidhje tjetër është e pranueshme përveç pavarësisë së Kosovës, siç e duan shqiptarët, dhe parullave serbe mbi territorin që i përket Serbisë qe disa milionë vite. Vuçiq tha se zgjidhja e çështjes së Kosovës do të kërkojë kompromise të dhimbshme për të dy palët dhe ajo zgjidhje, sipas tij, do të kritikohet nga të gjitha anët.

Në intervistën dhënë gazetës «Novosti» Vuçiq përpiqet të përshkruajë veten si hero që pandërprerë lufton për mbrojtjen e interesave të Serbisë. Ai thotë se të huajt në Serbi nuk do të lejohen të ndërhyjnë në formulimin e politikave dhe tregon se si ka refuzuar propozimin e BE-së që në shtatë komunat e veriut të Kosovës policia të jetë e përberë sipas numrit të popullsisë. Kjo, sipas tij, do të kishte për pasojë që në Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe në Mitrovicën Veriore 68 për qind e policëve do të ishin shqiptarë dhe 32 për qind serb. «Nuk kam pranuar këto qarqe komuniste, por kam kërkuar të etablohet një qark i vetëm – veriu i Kosovës dhe në bazë të tij të krijohet policia rajonale në të cilën 90 për qind do të jenë serbë».

Vuçiq tha se ka ka pasur kërcënime nga ana e BE-së në lidhje me policinë rajonale, por nuk ka lëshuar pe, andaj në veriun e Kosovës nuk ka «polici shqiptare», thotë Vuçiq. Megjithatë, kryetari serb ka thënë se Serbia nuk e ka luksin e konflikteve me Fuqitë e Mëdha. I pyetur lidhur me kritikat që ambasadori i SHBA-ve ia ka bërë ministrit serb të Mbrojtjes për shkak të lartësimit të kriminelëve të luftës, Vuçiq iu shmang përgjigjes.
Në këtë intervistë nuk mungojnë edhe deklaratat tipike të Vuçiqit, ku ai përpiqet ta portretojë veten si njeri modest. «Kur e fotografova Erdoanin në Novi Pazar, ai më tha: Modestia jote dhe normaliteti janë të rralla. Këtë e kam vërejtur edhe kur hëngre simit, edhe kur më fotografove». Ja, pra, politikani modern ballkanik: ha simit dhe fotografon.

Çfarë bie tjetër në sy në këtë intervistë? Vuçiq citon politikanë izraelitë kur flet për rënien e natalitetit të Serbi («Kryeministrja e famshme izraelite Golda Meir ka thënë se kur zgjohet natën e di se në atë çast kanë lindur tre palestinezë dhe një fëmijë izraelit»). Kryetari serb shprehet i shqetësuar mbi shpopullimin e Serbisë. Një politikan tjetër që citon Vuçiq në intervistë është Shimon Peresi, i cili paskësh thënë: «Ai që nuk kupton se duhet të punojë gjashtë orë dhe të mësojë dy orë, nuk do të ketë sukses». Sipas gazetës gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeigung» citatomania e Vuçiqit është pasojë e ndikimit të këshilltarëve të tij nga Izraeli si Aron Shaviv nga firma «Strategy and Campaigns» dhe Asaf Eisin, një ekspert i marketingut.