Vuçiq e pranon: Serbia s’ka fuqi ta ndalë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u ka dërguar letër të dielën të gjitha shteteve anëtare të UNESCO-s, është bërë e ditur nga Zyra serbe për Bashkëpunim me Mediet, shkruan sot Koha Ditore.




«Po ju drejtohem me këtë rast në lidhje me çështjen prej rëndësisë më të madhe për Republikën e Serbisë, që është arsye për shqetësimin tonë të thellë. Fjala është për kërkesën e pranimit të së ashtuquajturës Kosovë në anëtarësi të UNESCO-s. Kjo kërkesë është e pabazë nga pikëvështrimi i së drejtës ndërkombëtare dhe për këtë shkak, si në aspektin politik, ashtu edhe atë moral, për Republikën e Serbisë është absolutisht i papranueshëm».

«Në pajtim me Rezolutën ende valide dhe obliguese ligjore të Këshillit të Sigurimit UN1244 (1999) dhe Kornizën Kushtetuese për vetëqeverisjen e përkohshme në Kosovë, Kosova është territor në përbërje të Republikës së Serbisë dhe nën drejtimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Rezoluta e Këshillit të Sigurimit UN1244 (1999) riafirmon ‘sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës Federale të Jugosllavisë (tani Republikës së Serbisë) dhe shteteve të tjera të rajonit’, derisa parasheh ‘zgjidhje politike për krizën në Kosovë’, bazuar mbi këto parime. Çështja e Kosovës është edhe më tutje në rendin e ditës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, gjë e cila konfirmohet prej seancave të rregullta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së rreth kësaj teme. Po ashtu, në Kosovë edhe më tutje vepron administrata e përkohshme e OKB-së, në krye me Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së (UNMIK)», ka shkruar ai.