Vuçiq: Çdo vit për serbët e Kosovës japim mbi gjysmë miliardë euro

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka bërë publike shumën me të cilën shteti serb mbështetë pakicën serbe në Kosovë.




Në një diskutim mbi Kosovën të mbajtur të shtunën presidenti serb Aleksandar Vuçiq deklaroi se Serbia për Kosovën, në mënyra të ndryshme, për çdo vit ndan mes 520 dhe 530 milionë euro. Sipas këtyre të dhënave Serbia për çdo ditë për Kosovën ndan 1,45 milionë euro. Fjala është për mjete që i jepen pakicës serbe në Kosovë. Portali hulumtues «Insajder» nga Beogradi njoftoi se me këto të dhëna Vuçiq ka konfirmuar raportimet e serialit «Plaçkitja patriotike» të përgatitur nga «Insajder» më 2012 dhe 2014.

NDALOHET BOTIMI NGA MEDIA TË TJERA

«Në disa ndërmarrje publike paguajmë rroga për mijëra njerëz, të cilët nuk janë në Kosovë. Nuk jemi në gjendje t’i spastrojmë ato lista, sepse çdoherë ndodh një revolucion, i madh apo i vogël, që përkrahet nga të gjithë këtu në Serbi», tha Vuçiq.

Gazetarët e «Insajder» prej vitesh hulumtojnë se sa para ndan shteti serb për Kosovën me arsyetimin se ndihmon serbët e rrezikuar dhe si harxhohen ato para. Duke pasur parasysh se paratë ndahen në disa mënyra, drejtpërdrejtë nga buxheti dhe indirekt nga ndërmarrjet shtetërore, institucionet, entet është e pamundur të arrihet në një vlerësim të saktë, shkruan «Insajder».

NDALOHET BOTIMI NGA MEDIA TË TJERA

Ky portal thekson se në vitet 2012 dhe 2013 në emër të ndihmës për serbët në Kosovë janë ndarë 634 milionë euro – ose 867 mijë euro në ditë. Në terren kjo ndihmë nuk vërehet, shkruan «Insajder», dhe deri më sot askush nuk dhënë përgjegjësi për keqpërdorimet evidente. Po ashtu nuk ka mekanizma adekuatë për kontrollimin e harxhimit të këtyre parave. (dp)