Vritet një polic francez dhe partnerja e tij; ISIS merr përgjegjësinë

Një oficer i lartë i policisë franceze dhe partnerja e tij janë therur për vdekje në lagjen Magnanville, në periferi të Parisit, mbrëmë.

Sulmuesi është vrarë nga policia, ndërsa një djalë i vogël ka shpëtuar në vendin e ngjarjes, transmeton rel.

Një agjenci lajmesh e lidhur me të ashtuquajturin Shtet Islamik ka thënë se grupi militant është përgjegjës për sulmin.

Prokurorët francezë kanë nisur hetimet.

Ministri i Brendshëm, Bernard Cazeneuve, vrasjen e policit dhe partneres së tij e ka përshkruar «akt të mjerë terrorizmi».

Duke folur para një takimi emergjent me presidentin Francois Hollander, Cazeneuve tha: «Një akt i mjerë terrorizimi është kryer dje», transmeton Koha.net.

Ai shtoi se qeveria është plotësisht e mobilizuar kundër kërcënimit të terrorizmit dhe ka kryer mbi 100 arrestime që nga fillimi i vitit.

Franca është në gjendje të jashtëzakonshme që prej sulmeve të 13 nëntorit në Paris, të cilat kanë lënë të vrarë 130 veta.

Përgjegjësinë për këto sulme e ka marrë grupi militant Shteti Islamik.