Vritet në indi myslimani që dyshohet se ka therur një lopë

Një turmë qytetarësh të komunitetit hindu kanë vrarë një mysliman në Indi për shkak të thashethemeve që thoshin se ai ka therur një lopë, gjë e cila ka nxitur dhunë për të cilën policia të mërkurën fajësoi politikanët që kërkojnë mbrojtje strikte të kafshës që shumë hindu e konsiderojnë të shenjtë.




Ndonëse shumë pjesëtarë të komunitetit shumicë hindu në Indi e shohin lopën si të shenjtë, mishi i lopës hahet gjithandej nga hindut në disa pjesë të jugut të Indisë, si dhe nga anëtarë të kastave të ulëta dhe nga pakica myslimane dhe e krishterë.

Masat e ashpra për të siguruar mbrojtjen e lopëve shpesh janë përdorur nga politikanët për tubime në kërkim të votave të komunitetit hindu, që në disa raste kanë çuar në përleshje mes hinduve dhe myslimanëve, transmeton Koha.net.

Mohammad Akhlaq, një farkëtar, vdiq pasi u godit dhe u gjuajt me gurë nga së paku 10 burra në qytetin Dadri, 50 km larg kryeqytetit New Delhi, të hënën mbrëma.

Një grup më i madh më herët ishte mbledhur para shtëpisë së tij duke akuzuar familjen e tij se fshehtas po hanë mish lope.

«Me zë të lartë bërtita e i thash turmës se nuk kemi ngrënë mish lope, dhe se duhet të ndalojnë së rrahuri babanë dhe nënën time, por ata më shtynin», thotë për Reuters e bija e tij Sajida Saifi, e cila e shikoi sulmin e pashpresë.

I biri i Akhlaqit u dërgua në spital me lëndime të rënda.

Vrasja ka nxitur përleshje në mes të hinduve dhe myslimanëve në qytet, dhe në qytet kanë zbarkuar forca shtesë policore për të mbajtur gjendjen nën kontroll.

Policia ka thënë se incidenti në fjalë është tronditës me faktin se turma hindu «ndjente sikur kishin licencë për të vrarë».

India është eksportuesi më i madh në botë i mishit të lopës dhe konsumatori i katërt më i madh, por qeveria e kryeministrit Narendra Modi dëshiron të vë ndalesë kombëtare mbi therjen dhe tregtinë e mishit të lopës, tregti e cila kryesisht zhvillohet nga myslimanët.

Deri më tani janë arrestuar 30 persona të dyshuar për vrasjen e Akhlaqit ndërsa kanë marrë mostra mishi nga shtëpia e tij për ta testuar në forenzikë nëse është mish lope apo jo.