Vrasjet politike në Kosovë: të pandëshkuara, por jo të harruara

Autoritetet e Prishtinës dhe misionet ndërkombëtare nuk kanë arritur të burgosin autorët e një sërë vrasjesh politike dhe sulmesh me armë pas përfundimit të luftës së Kosovë, por të mbijetuarit shpresojnë se Gjykata e re Speciale në Hagë mund ta bëjë këtë.

Foto: Shutterstock



Së pari dëgjohet zhurma e ngadaltë e rrotave të një karroce invalidësh, pastaj zëri i tij. Fetah Rudi i mbijetoi një tentim-vrasjeje që e la përjetësisht të paralizuar dhe ka kaluar më shumë se 17 vjet duke vuajtur pasojat. Në qershor të vitit 1999, Rudi ishte një nga shqiptarët e Kosovës që u arrestua dhe u torturua në një burg të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Disa muaj më vonë, në dhjetor të vitit 2000, Rudi – anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), që në atë kohë udhëhiqej nga ish-presidenti, Ibrahim Rugova – u gjend në shënjestër të një vale të dhunës që po vazhdonte pas luftës në Kosovë.

Rudi, 54-vjeçar, rrëfen se për të gjithçka kishte nisur në fillim të qershorit 1999 kur Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së kishte lëshuar një urdhërarrest. «Me duar të lidhura më kanë rrahur për dy ditë me radhë në një tualet së bashku me dy persona të tjerë», tregon ai për BIRN në shtëpinë e tij në fshatin Rud të Malishevës.

Ndalimi i tij ishte bërë për shkak se gjoja kishte refuzuar të ndihmojë UÇK-në, por ai këmbëngul se faji i tij i vetëm ishte se i përkiste partisë së Ibrahim Rugovës. «Pasi më dënuan me tre muaj burg, më dërguan në një garazh në fshatin Kasterc. Atje më mbajtën të burgosur për 16 ditë dhe kjo përfundoi vetëm pasi NATO hyri në Kosovë në qershor 1999», tha ai. Ndërhyrja e NATO-s i dha fund luftës dhe detyroi forcat serbe të tërhiqeshin nga Kosova duke çuar në demilitarizimin e UÇK-së. Por dhuna politike vazhdoi në një rivalitet të hapur mes LDK-së së Rugovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) e krijuar nga figura kryesore të UÇK-së. Gjatë kohës së luftës kishte pasur tashmë tensione sepse krahu ushtarak i LDK-së, Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), kishte luftuar gjithashtu kundër sundimit të Beogradit, por ndaras prej UÇK-së. Më 15 dhjetor 2000, ditën kur u qëllua, Rudi po kthehej nga një takim i krerëve të degëve të LDK-së.

«Së pari ishte një breshri automatiku që ndali veturën. Pastaj pashë tre persona me një veturë <Astra> të kuqe që qëlluan në drejtim timin. I kam parë edhe fytyrat e tyre. Dy nga ata e kam kuptuar më vonë se kush janë».

Zgjedhjet e para lokale të pasluftës në Kosovë sapo ishin mbajtur dhe tensionet politike ishin të larta edhe në komunën e Malishevës, ku rezultati mes dy rivalëve LDK e PDK ishte shumë i ngushtë, derisa këshilltarët atë ditë përgatiteshin të votonin për të zgjedhur kreun e ekzekutivit të komunës. Në momentin kur u sulmua Rudi po shkonte nga takimi në Prishtinë për të votuar për kreun ekzekutivit. «Së pari ishte një breshri automatiku që ndali veturën. Pastaj pashë tre persona me një veturë <Astra> të kuqe që qëlluan në drejtim timin. I kam parë edhe fytyrat e tyre. Dy nga ata e kam kuptuar më vonë se kush janë», kujton ai momentin e sulmit.

Por më shumë se 17 vjet më vonë, askush nuk është dënuar ende për sulmin ndaj tij – duke shfaqur kështu një dështim të gjykatave në Kosovë, për të trajtuar në mënyrë efikase vrasjet dhe sulmet e motivuara politikisht të periudhës së pasluftës. «Nuk ka dilema prej kujt erdhi kjo (tentimvrasja). Ishte një vazhdim i dënimit që mu bë gjatë luftës», tha Rudi.

Në një raport, Amnesty International në vitin 2009 tha se rreth 800 vrasje kanë ndodhur gjatë një vale të zgjatur dhune ndaj pakicave etnike, por edhe anëtarëve të LDK-së në kohën kur pas largimit të forcave serbe vendi u vendos nën administrim të OKB-së. Shumica e personave që thuhet se u rrëmbyen dhe u zhdukën nga ish-pjesëtarët e UÇK-së gjatë viteve 1998-2000 ishin serbë, romë ose shqiptarë të Kosovës të etiketuar si bashkëpunëtorë të Serbisë. «Anëtarët e Lidhjes Demokratike u vranë gjithashtu nga luftëtarët e UÇK-së të cilët e konsideronin doktrinën pa dhunë të LDK-së të barasvlershme me bashkëpunimin (me okupuesin)», thotë për BIRN, Jean Christian Cady, ish-shef i Shtyllës për Drejtësi në misionin e OKB-së në Kosovë në vitet 2000-2004. Cady tha se krijimi i një sistemi të ri gjyqësor në Kosovë nga UNMIK-u ishte kryesisht një dështim. «UNMIK-u nuk pati sukses në mbrojtjen e dëshmitarëve. Nuk gjetëm vend të gatshëm të pranonte zhvendosjen e dëshmitarëve. Për të pasur sukses, duhet garanci për ata dhe të përdoren, për shembull teknikat e njëjta si në Itali për kriminelët që bashkëpunojnë», thotë Cady. Ish-zyrtarë të OKB-së si Cady përshkruajnë një situatë në të cilën Kosova e pasluftës u bë pre e bandave të armatosura dhe të pakontrolluara që kryen një numër të madh krimesh.

«Gjatë deklaratës sime në EULEX një prokuror italian më ka shpjeguar se ekspertizat forenzike kanë gjetur se plumbat që më kanë goditur mua kanë qenë prej së njëjtës revole me atë që është vrarë Xhemail Mustafa».

Për 17 vite me radhë, Fetah Rudi ka kryer qindra vizita e trajtime mjekësore, por ai është intervistuar vetëm dy herë nga prokurorët ndërkombëtarë. Herën e parë ai ishte marrë në pyetje nga një prokuror i UNMIK-ut në vitin 2001 dhe më pas në vitin 2011 nga një prokuror i Misionit Europian për Sundim të Ligjit (EULEX).

Sulmi ndaj Rudit ishte kryer më pak se një muaj pas vrasjes së Xhemajl Mustafës, ish-këshilltarit të kryetarit të LDK-së, Rugova. Mustafa u qëllua në hyrje të ndërtesës ku jetonte në Prishtinë në nëntor të vitit 2000. «Gjatë deklaratës sime në EULEX një prokuror italian më ka shpjeguar se ekspertizat forenzike kanë gjetur se plumbat që më kanë goditur mua kanë qenë prej së njëjtës revole me atë që është vrarë Xhemail Mustafa», tregon ai. EULEX nuk pranoi t’i përgjigjej pyetjes së BIRN në lidhje me vrasjet politike që misioni europian i ka ndjekur penalisht deri më tani. «EULEX nuk mund të japë informacione për një hetim që është në vazhdim e sipër ose një hetim që ka të bëjë me Zyrën e Prokurorit të Specializuar», tha një zëdhënëse e këtij misioni.

Prokurorët europianë të EULEX-it deri më tani nuk kanë transferuar asnjë lëndë që ndërlidhet me ndonjë vrasje me motive politike te kolegët e tyre kosovarë. «Gjithçka ndërlidhet jo vetëm me fërkimet gjatë kohës së luftës, por edhe me reputacionin dhe ndikimin e LDK-së pas luftës. Duke eliminuar disa nga bashkëpunëtorët më të afërt të Rugovës ata (krahu i UÇK-së) donin të dobësonin LDK-në dhe të vinin në pushtet», thotë Rudi.

Deputeti i Lidhjes Demokratike, Smajl Hajdaraj, ish-pjesëtar i FARK-ut të Ibrahim Rugovës, krahut rival të UÇK-së, u vra 37 ditë pasi bëri betimin si deputet në legjislaturën e parë të Kosovës.

Derisa vitet kalojnë, pritjet dhe shpresat e Rudit për drejtësi janë zbehur gjithnjë e më tepër. Një gjykatë e re e mbështetur nga Bashkimi Europian me seli në Holandë, u themelua në vitin 2015 bazuar në ligjet e Kosovës për të trajtuar krimet e luftës dhe vrasjet politike e etnike në periudhën janar 1998 dhe dhjetor 2000. Clint Williamson në vitin 2011 u emërua në krye të Task Forcës Speciale të BE-së, për të hetuar pretendimet e raportit të Këshillit të Europës.

Në fund të hetimeve në vitin 2014 ai tha se kanë gjetur prova se elemente të caktuara të UÇK-së ishin përfshirë në një fushatë dhune dhe kërcënimeve të drejtuara kundër kundërshtarëve politikë, shqiptarë të Kosovës. «Këta individë mbajnë përgjegjësi për vrasje, ndalime dhe trajtime çnjerëzore ndaj serbëve, romëve, por edhe ndaj shqiptarëve të etiketuar ose si bashkëpunëtorë me serbët ose më shpesh thjesht si kundërshtarë politikë të udhëheqjes së UÇK-së», tha Williamson në një konferencë për shtyp në Bruksel. Gjykata e re me seli në Hagë pritet të lëshojë këtë vit aktakuzat e para duke rritur shpresat e viktimave si Fetah Rudi. «Kam besim se kjo gjykatë do të jetë ndryshe», thotë Rudi.

Hetimi i ri për një kapitull të dhunës së pasluftës për disa njerëz në Kosovë do të thotë rihapje e plagëve. Shpëtim Hajdaraj, i ati i të cilit Smajl Hajdaraj u vra në janar të vitit 2002, pret që gjykata e re të trajtojë edhe rastin e tij, pavarësisht se mandati i Dhomave të Specializuara nuk shtrihet deri në kohën kur është kryer kjo vrasje. «Ka të dhëna dhe dëshmi se vrasja e tij është pjesë e një skenari që ishte planifikuar më parë, edhe pse ai u vra më vonë», shpjegoi Hajdaraj. Deputeti i Lidhjes Demokratike, Smajl Hajdaraj, ish-pjesëtar i FARK-ut të Ibrahim Rugovës, krahut rival të UÇK-së, u vra 37 ditë pasi bëri betimin si deputet në legjislaturën e parë të Kosovës.

E vetmja vrasje e dyshuar si me motive politike të cilën gjyqësori e hetoi më tej ishte vrasja e Ekrem Rexhës, ish-pjesëtar i lartë i UÇK-së, i njohur gjatë luftës me nofkën «Drini». Ai u vra në maj të vitit 2000 para shtëpisë së tij në Prizren. Dy ish-pjesëtarë të UÇK-së u gjykuan për këtë vrasje, por më pas ata u liruan.

Vëllai i Ekrem Rexhës, Ruzhdi Rexha, këmbënguli se vrasja kishte motive politike. «Njerëzit e dyshuar për vrasjen e Drinit tani janë pjesë e të paktën dy partive politike. Unë nuk do t’i lidhja ata me vetëm një parti politike», tha Rexha për BIRN. Rexha tregoi se «provat u shpërfillën» dhe ngriti dyshime se zyrtarët ndërkombëtarë donin që çështja të zbehej në heshtje. «Kur gjykata i liroi nga akuzat të akuzuarit, prokurori tjetër nuk e apeloi vendimin», tha ai.

«Misioni nuk ishte në gjendje ta luftojë kriminalitetin në rritje, plaçkitjet dhe të parandalojë krimin politik e etnik».

Gati dy dekada pas, në shpjegimin e ish-zyrtarit të UNMIK-ut, Cady, është i qartë dështimi i misionit të OKB-së për të trajtuar çështjen e dhunës së pasluftës. «Misioni nuk ishte në gjendje ta luftojë kriminalitetin në rritje, plaçkitjet dhe të parandalojë krimin politik e etnik», thotë ai. Ndërkohë që misionet e UNMIK-ut dhe të EULEX-it nuk arritën të ndëshkonin asnjë person për vrasjet politike të periudhës së pasluftës, vrasjet u bënë një refren i çakorduar i akuzave dhe kundër akuzave të vazhdueshme politike në Kosovë.

LDK ka akuzuar në vazhdimësi PDK-në dhe të ashtuquajturin, Shërbim Informativ të Kosovës (SHIK), një organizatë e afërt me PDK-në, se qëndron pas vrasjeve të anëtarëve të saj.

Por këto pretendime janë mohuar në vazhdimësi nga PDK dhe ish-shefi i SHIK-ut, Kadri Veseli, që aktualisht është kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Jakup Krasniqi, ish-zëdhënës i UÇK-së, i cili për një kohë të gjatë ishte një nga figurat më të larta të PDK-së, thotë se pas luftës, shumë njerëz kryen krime në emër të UÇK-së pa qenë ndonjëherë pjesë e saj. «Është një padrejtësi të fajësosh UÇK-në për shumë vrasje të pasluftës pa ndonjë verifikim apo vendim gjyqësor», tha Krasniqi për BIRN.

Krasniqi i ka cilësuar qesharake gjithashtu pretendimet e LDK-së, sidomos për faktin se kjo parti në vitin 2014 nënshkroi një marrëveshje me rivalët e saj në PDK, për të formuar një qeveri koalicioni. «Akuzat e tilla janë joserioze dhe bëhen për t’u viktimizuar. Njerëzve që LDK i akuzonte në fund të vitit 2014 u dha pushtetin më të lartë, ata votuan presidentin dhe kryetarin e Kuvendit», thotë Krasniqi.

Ish-kreu i LDK-së dhe ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, megjithatë thotë se gjatë dhe pas luftës, anëtarët e partisë u bënë objekt hakmarrjeje për shkak të qëndrimit politik dhe krimet nuk u ndoqën penalisht sepse, sipas tij, UNMIK-u donte të mbante stabile situatën në Kosovë. «Vrasjet e anëtarëve të LDK-së nuk u ndoqën penalisht në një përpjekje për të ruajtur një lloj stabiliteti ose paqeje gjatë mandatit të tyre», tha Sejdiu. Gjyqësori në Kosovë ende nuk ka dhënë sinjale se do ta ndërpresë rutinën e heshtjes së vrasjeve politike.

Plaga e Rudit është gati dy dekada e vjetër dhe ai po vuan pasojat e 14 plumbave që kishte marrë, përderisa mungesa e dënimeve ka bërë që të vazhdojë një klimë mosndëshkimi.

Zyra e kreut të Prokurorisë Speciale të Kosovës ka thënë se kanë intervistuar së fundi disa persona në lidhje me vrasjen e Xhemail Mustafës, Enver Malokut dhe tentim-vrasjen ndaj ish-presidentit, Ibrahim Rugova në vitin 2005, por pa ndonjë rezultat. «Në deklaratat e dhëna të intervistuarit nuk kanë ndonjë informatë që e bën të mundshme fillimin e hetimeve kundër ndonjë personi», thuhet në përgjigjen e PSRK-së për BIRN. Po ashtu Prokuroria Speciale e Kosovës ka thënë se Dhomat e Specializuara në Hagë nuk kanë kërkuar t’u dërgohet në kompetencë asnjë lëndë që kanë në trajtim prokurorët vendorë.

Plaga e Rudit është gati dy dekada e vjetër dhe ai po vuan pasojat e 14 plumbave që kishte marrë, përderisa mungesa e dënimeve ka bërë që të vazhdojë një klimë mosndëshkimi. Megjithatë Rudi shpreson se Dhomat e Specializuara së shpejti do të ndërmarrin veprime për të siguruar drejtësi për viktimat e dhunës politike të pasluftës. «Me kalimin e kohës faktet mund të bëhen të mjegullta, por unë nuk kam harruar asgjë», thotë ai.
(BIRN)