Vrasja e një gazetari gjerman dhe drejtësia pas 26 vitesh

Kapetan Dragani, një kriminel serb i luftës, është shpallur fajtor në Split për vrasjen e gazetarit gjerman Egon Scotland në vitin 1991 në Kroaci. Para se të shkonte në Kroaci Scotland kishte qëndruar në Prishtinë. Kjo është historia e tij.

Egon Scotland dhe gruaja e tij Christiane Schlötzer. Foto: abc.net



Me fillimin e verës së vitit 1991 mbaroi edhe iluzioni se Jugosllavia mund të jetë shtet i përbashkët i sllovenëve, kroatëve, boshnjakëve, shqiptarëve, maqedonasve. Në këtë iluzion kishin besuar jo pak diplomatë perëndimorë. Në redaksitë e mediave të huaja mbretëronte njëfarë habie se si është e mundur që fqinjët të vrasin fqinjët, si është e mundur që prej njerëzve që kishin jetuar me dekada e shekuj bashkë apo pranë njëri-tjetrit u bënë armiq të përbetuar.

Egon Scotland në vitin 1991 ishte 42-vjeçar. Ai punonte për gazetën gjermane «Süddeutsche Zeitung». Para se të shpërthente lufta në Slloveni dhe në Kroaci në vitin 1991, para se agresorët serbë, të përkrahur nga Armata Popullore e Jugosllavisë, të sulmonin këto dy republika, të cilat kishin shpallur pavarësinë, Egon Scotland kishte kaluar javët e fundit si bursist në Universitetin e Stanfordit në Kaliforni. Para se të shkonte në SHBA Scotland kishte shkruar mbi politikën lokale në landin e Bavarisë, ai ishte një gazetar i çmuar nga politikanët gjermanë.

Qëndrimi në SHBA, siç shkruan «Süddeutsche Zeitung» në numrin e së shtunës, sinjalizoi se karriera e tij do të vazhdonte nga Bavaria në arenën ndërkombëtare. Ishte planifikuar që Scotland të bëhet korrespondent për Europën Juglindore dhe Turqinë me seli në Beograd. Scotland fliste rrjedhshëm turqisht, në Vjenë kishte studiuar persishten dhe arabishten. Në SHBA kishte filluar të mësojë serbisht.

Pas kthimit në München Scotland u dërgua nga gazeta e tij për të raportuar mbi tmerrin që e priste Jugosllavinë. Redaksia e kishte porositur të mos koncentrohet në shkrimin e lajmeve nga rajoni, por të sjellë reportazhe. Përmes kësaj disipline mbretërore të gazetarisë ai do të njoftonte publikun gjerman se çfarë po ndodhte në Kroaci, ku pakica serbe ishte rebeluar kundër pushtetit në Zagreb, i cili dëshironte ta largonte vendin nga ndikimi serb.

Më 21 korrik 1991 Egon Scotland botoi një reportazh nga Osijeku, i cili ishte bombarduar dhe qëlluar me granata nga kusarët serbë. Nga Osijeku Scotland udhëtoi në Kosovë, ku gjendja ishte tensionuar po ashtu dhe jo pak njerëz prisnin që edhe atje do të shpërthente lufta. «Në letër thuhet se rajoni ende është krahinë autonome, por kush flet me shqiptarët, dëgjon gjëra të tjera: <Këtu mbretëron një lloj aparteidi, më keq se në Afrikën e Jugut. Në fund neve nuk na mbetet tjetër pos vdekja nga uria>».

Njëri nga shqiptarët që kishte takuar në Prishtinë atëbotë Egon Scotlandin ishte Bujar Bukoshi, një urolog i respektuar, i specializuar në Berlin, i cili ishte një burim i besueshëm i shumë gazetarëve të huaj, sidomos atyre gjermanë, të cilët te Bukoshi çmonin analizën e tij politike të përkufizuar me një gjermanishte të rrjedhshme. Atëbotë Bukoshi ishte sekretar i përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Ndërsa Scotland po qëndronte në Prishtinë gjendja në Kroaci filloi të tensionohet edhe më shumë. Ai vendosi të kthehej në Zagreb më 25 korrik 1991, prej nga do të vazhdonte rrugën për në München. Pushimet verore tashmë i kishte rezervuar me gruan e tij atëbotë të re, gazetaren Christiane Schlötzer-Scotland, e cila edhe sot punon në gazetën «Süddeutsche Zeitung».

Gjatë qëndrimit në Zagreb Scotland dhe shumë kolegë të tij nga Gjermania, Austria, Britania e Madhe dhe vende të tjera kuptuan se në rajonin e Glinës afër kufirit me Bosnjën ishte shfaqur një paramilitar i quajtur Kapetan Dragan, i cili kërcënonte me masakra ndaj popullsisë civile kroate. Sulmi kundër qytetit të Glinës filloi më 26 korrik 1991. Atë ditë Scotland kishte marrë një telefonatë nga një kolege e Agjencisë Gjermane të Lajmeve (DPA). Ajo e kishte pyetur Scotlandin nëse donte të shkonte në Glina për të përcjellë zhvillimet nga afër. Scotland refuzoi. Donte të kthehej në München. Në pasditen e vonshme Scotland filloi të shqetësohet për fatin e koleges së tij. Ajo nuk ishte kthyer ende nga Glina. Bashkë me një gazetar tjetër gjerman Scotland u nisë nga Zagrebi në drejtim të Glinës rreth orës 18:00 – në veturë kishin ngjitur një tabelë të madhe me shënimin «Presse».

Përkundër lutjes së një gazetari kroat të mos vazhdojnë rrugën drejt Glinës, dy gazetarët gjermanë nuk u ndalën. Në hyrje të fshatit Jukinaq ata shohin një veturë me targa të Vjenës – është vetura e koleges së DPA-së, të cilët po e kërkonin. Papritmas dëgjohen të shtëna. Një plumb qëllon në bark bashkëudhëtarin Egon Scotland. Pas pak Scotland vdes në Sisak.

26 vjet kanë kaluar nga kjo tragjedi, nga ky krim. Këtë javë një gjykatë në Split e dënoi Kapetan Draganin, me emër civil Dragan Vasiljkoviq, me 15 vjet burg. Ai u shpall fajtor edhe për vrasjen e Egon Scotlandit. Kapetan Dragani i kishte ikur drejtësisë për 12 vjet duke qëndruar në Australi, ku kishte ikur pas konflikteve në Ballkan. Atje jetonte me emrin e tij të dytë: Daniel Snedden. Austrialia ishte atdheu i tij i dytë. Kishte shkuar atje si 16-vjeçar dhe kishte shërbyer në ushtrinë australiane 6 vjet, pastaj një kohë e kishte kaluar në Afrikë, me gjasë si mercenar. Më 21 maj 1991 ai kishte aterruar me avionin e tij të vogël në aeroportin e Rijekës dhe pastaj i ishte bashkuar rebelëve serbë në Kroaci – thuhet se shërbimi sekret serb e kishte ngarkuar me organizimin e një kampi për trajnimin e paramilitarëve serbë në Kroaci.

Dënimi i Dragan Vasiljkoviqit është edhe një shembull se drejtësia vonohet, por një ditë ajo vjen. Sidomos kur atë e kërkojnë drejtësia dhe mediat. Në ditën e shpalljes së aktgjykimit gruaja e Egon Scotland ishte në sallën e gjykatës së Splitit.