Vrasësit e Enver Hadrit dënohen me burg të përjetshëm

Bozhidar Spasiq, Veselin Vukotiq dhe Andrija Drashkoviq përkundër dënimit mbesin jashtë burgut, për shkak se Beogradi refuzon ekstradimin e tyre.

Foto: Shutterstock

Pasi një gjykatë në Bruksel dje i shpalli fajtorë tre shtetas serbë për vrasjen me paramendim të aktivistit kosovar për të drejtat e njeriut, Enver Hadrit, të mërkurën ajo njoftoi mbi kohënzgjatjen e dënimeve me burg. Ndonëse prokurorja kishte kërkuar që fajtorët – Bozhidar Spasiq, ish-shef i UDB-së për operacione speciale dhe vrasësit Veselin Vukotiq dhe Andrija Drashkoviq – të dënohen me nga 30 vjet burg, trupi gjykues vendosi që kriminelët serbë të dënohen me burg të përjetshëm.

«Kjo është një fitore e madhe e drejtësisë mbi krimin politik», bëri të ditur e bija e Enver Hadrit, Teuta Hadri: «Me këtë vendim Gjykata Penale e Brukselit, krahas organizatorit dhe vrasësve të Enver Hadrit, praktikisht e dënoi edhe shtetin serb. Sepse organet serbe qe një çerek shekulli nuk lanë gur pa levizur, që vrasja e Enver Hadrit të mos zbardhet dhe dorasit të mos ndeshkohen. Shpresojmë se edhe vrasjet e ngjashme politike të kryera kundër shqiptareve apo kujtdo qoftë tjeter do të zbardhen deri në imtesi dhe organizatorët dhe vrasësit të marrin dënimin e merituar». (-lli)