Vrasësi i penduar i kthehet shoqërisë

Nazim Bllaca nuk ka pasur qasje në telefonin privat të enjten pas orës 14:00. Në atë kohë, forcat speciale të Policisë së EULEX-it e kanë nxjerrë nga qelia e Burgut të Dubravës për ta dërguar në një vend tash për tash të panjohur.




Bllaca është liruar të enjten nga burgu, një ditë pasi paneli për lirim me kusht miratoi kërkesën e tij për lirim të parakohshëm, shkruan sot Koha Ditore. Ai ka vuajtur dy të tretat e dënimit prej 4 vjetësh e gjysmë për vrasjen e Ibush Kllokoqit.

Për panelin prej tre gjyqtarësh, që ka vendosur për lirimin e tij, Bllaca është i gatshëm që t’i kthehet shoqërisë dhe familjes.

Madje nuk paraqet rrezik se do ta përsërisë veprën penale – të vrasjes. Dëshmitari bashkëpunues pritet të jetë dëshmitar edhe në të paktën një proces tjetër, që pritet të fillojë së shpejti për krim të organizuar.