Votuesi i ri dhe modeli i vjetër i cubave politikë

Në zgjedhjet e 11 qershorit për herë të parë kutive të votimit mund t’i drejtohet një votues, që në dukje të parë është votues krejtësisht i ri. Një analizë teorish e shifrash pse ky votues megjithatë nuk është një votues i ri.




Votuesi i ri…

Mbi 155 mijë të rinj kosovarë do t’u drejtohen kutive të votimit për herë të parë në zgjedhjet e 11 qershorit. Në një këndvështrim këta 155 mijë kosovarë përbëjnë një kosovar tjetër. Një kosovar që nuk e ka përjetuar aparteidin e viteve të ‘90, hiperinflacionin e dinarit dhe rënien ekonomike të po atij dhjetëvjeçari, djegien e fshatrave shqiptare nga forcat serbe, ikjen masive të refugjatëve. Një pjesë e mirë e votuesit të ri nuk ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë as me bombardimet e NATO-s mbi Serbinë, as me ditët e çlirimit. Siç i përshkruante një mik i imi, «këta janë kosovarët pa plumb, si makiatot pa plumb të Prishtinës», të pangarkuar me gëzhoja të plumbave. Si të tillë, janë më të predispozuar të jenë qytetarë me individualitet dhe jo vetëm kope ideologjike për çlirim, pavarësi e anti-Serbi. Ky votues e ka arritur moshën madhore duke u socializuar me një flamur multietnik, ku yjet ndahen në mënyrë të barabartë për të gjithë njerëzit e gjuhëve dhe etnive të ndryshme që jetojnë në Kosovë. Për këtë votues nuk përbëjnë lajm e aq më pak debat librezat e UÇK-së, kakarisjet për tradhtarë e patriotë, apo nëse eksponentë politikë të faktorizuar në vitet e ‘80 do të aderojnë në këtë apo në atë parti politike. Së këndejmi, do të ishte normale të pretendohej se ky votues i ri nuk do të jetë klient i partive që thirren në të kaluarën pacifiste apo në bëmat e luftës.

Kushtimisht, janë gjithmonë të rinjtë (masa studentore) e cila bëhet agjent ndryshimesh të mëdha nëpërmjet protestave, demonstratave, sulmeve të armatosura e votës. Megjithatë, Pickering, Toquet e autorë të tjerë, shpjegojnë se në pjesën dërmuese të rasteve, popullsia e re (nën moshën 35 vjeçare) nuk është pjesëmarrëse në ndërtimin e shoqërive të pasluftës. Në Kosovë, në këto 17 vjet të pasluftës, vendi është drejtuar nga politikanë të cilat i kanë kaluar tri sisteme të ndryshme politike e ideologjike duke qenë vazhdimisht në pushtet. Pra, janë ricikluar nga komunizmi në socializëm, në periudhën e ashtuquajtur separatiste e deri te demokracia «liberale europiane» sot.

Për më shumë se 76 për qind e kosovarëve problemet më të mëdha në Kosovë janë kushtet sociale e ekonomike, të prira nga papunësia, varfëria dhe korrupsioni. Megjithatë, diskursi politik e mediatik gjatë këtyre 17 viteve ka qenë tërësisht i lidhur me tema makro të politikës si demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, njohjet e shtetit, problemi (tashmë i harruar) i veriut të Kosovës, apo edhe problematizime banale të trenit nga Serbia.

Mënyra se si është trajtuar potenciali i këtij votuesi të ri asnjëherë nuk ka dalë jashtë diskutimeve boshe të cilat i mveshin rinisë një vlerë të supozuar, por nuk e shohin atë si pjesë të lidhur me proceset zhvillimore. Sipas Agjencisë Kosovare të Statistikave, kjo grupmoshë ka shkallën më të lartë të papunësisë me 61 për qind, ndërsa kjo shifër është për 10 për qind më e lartë te gratë e kësaj grupmoshe me mbi 71 për qind. Ndërkaq sipas UNDP-së Kosova ka numrin më të ulët të fuqisë punëtore tek të rinjtë e të dyja gjinive në Ballkanin perëndimor, ndërkaq pjesëmarrja e grave të moshës së re është dyfish më e ulët se në të gjitha vendet e rajonit. Ajo çfarë partitë politike kanë bërë në vazhdimësi është tallje me këtë grupmoshë duke i premtuar deri në 200 mijë vende të punës.

…është votues i vjetër

Në anën tjetër, mbi 150 mijë votues të rinj megjithatë nuk mund të thuhet se përbëjnë një votues të ri, pavarësisht se nuk e kanë njohur drejtpërdrejt luftën e forcave serbe dhe anarkinë e frikshme të pasluftës. Dy iniciativa për themelim të partive politike qytetare në Kosovë, ORA dhe FER, që do të mund të lidheshin më lehtë me votuesin e ri, dështuan në hapat e tyre të parë. Në këtë mënyrë nuk u krijua asnjëherë një platformë e vetme ku do të mund të kultivohej ideja e qytetarisë, e një sistemi që garanton të drejta civile pa u lëshuar çdoherë në folklorin primoridialist të gjakut, etnisë e historisë. Individë me potencial dhe dëshirë për të formuar platforma të tilla politike e panë më të udhës të akomodoheshin në gjirin e partive ekzistuese: në partinë e drejtuar nga dinozaurë të mendimit politik (LDK), në «krahun e luftës» apo më mirë të thuhet në krahun e cubave (PDK dhe AAK), dhe në platformën etno-nacionaliste (LVV).

Votuesi i ri e ka arritur moshën madhore në një ambient politik i cili bashkëjeton me paradoksin e së ardhmes europiane me çdo kusht, derisa rreth dy milionë banorë të po këtij vendi nuk arrijnë të udhëtojnë në më shumë se 13 vende të botës pa viza. Ky është një votues shteti i të cilit vazhdon të bashkëjetojë me një varg strukturash e misionesh ndërkombëtare për shkak se vendi i tij është një krijesë e papërfunduar në mes të aspiratës për pavarësi, kontestimit të shtetësisë nga brenda dhe jashtë dhe konflikteve të ngrira me Serbinë.

Është një gjeneratë e cila është rritur pa pasur një spirancë të vetme sigurie jo vetëm në raport me shtetin, pasaportën, por gjithashtu edhe me shkollën, spitalin, policinë e gjykatën. Ky është votues që shkollohet në një sistem gati tërësisht të degraduar arsimor. Si rrjedhojë, «ideali» i këtij votuesi nuk është as një Kosovë multietnike, as përmbushja e pavarësisë, e as bashkimi i Mitrovicës. Ideali i këtij votuesi është mbijetesa në këtë para-shtet e para-shoqëri. Mbijetesë në çfarëdo forme, me çfarëdo mjeti. «Heroi» i këtij votuesi është bërë modeli i burrit të tërbuar dhe të lidhur me pushtete kriminale të luftës dhe biznesit. Këta burra ia dolën! Majlinda Kelmendi dhe Era Istrefi megjithatë do të vazhdojnë të shihen si raste të izoluara që nuk mund të përsëriten në fusha të tjera.

Në dy raundet e zgjedhjeve presidenciale në Rusi (2000 dhe 2004) presidenti i atëhershëm Vladimir Putin u shndërrua në figurën e adhurueshme për rininë anembanë federatës ruse. «Siloviki» Putin, term që përdoret ekskluzivisht për të përshkruar anëtarë të KGB-së të katapultuar në politikë (njëjtë si kreu i PDK-së Kadri Veseli), ishte personifikimi i njeriut që ia doli gjatë eksperimentit gati shkatërrues rus të kalimit në sistemin e demokracisë. Pavarësisht konteksteve të ndryshme politike në Kosovë e Rusi, të dy këta shembuj ofronin sigurinë për mbijetesë në një sistem shtetëror ku mungon kompasi moral, politik dhe etik. Nuk do të ishte ndonjë hata e madhe, pos një fatkeqësi, nëse ky votues i ri në Kosovë do t’ia besonte votën po ashtu partive të krahut të cubave. Eksponentë të këtyre partive janë të vetmit që «ia dolën» në një para-shtet si Kosova.