Voice of America

Halil Matoshi, poet kosovar.

VoA nis lajmet in serbian
ta ndërpres vjershën më duhet të dëgjoj
si i ka punët armiku im
në orën 24

edhe ashtu tepër i lodhur jam
i zymtë si shiu kur humb udhën njeriu
ec natën drejt një vendi të panjohur
e nerth e vuan e vjell
copëra mushkërish kanceroze

pres i mbërthyer në fatin tim prej kryqi
të më fal a të më vras sundimtari

në pritje e sipër dëgjoj lajmet

pres të mësoj për dëshirën
e të dobëtit
për mëshirën e të fortit

dhe vullnetin e Zotit…

si ta ruaj fytyrën time të bukur
shtatin me hije Krishti
të mos ma shëmtojë haber’ i keq…
1990

(Nga vëllimi «Hija e Krishtit»)