Vogëlushja

Foto: Shutterstock



Kur e kur, mes aratisë
Vjen më merr një mall i letë:
Më shkon shoq’ e miturisë
Nëpër ëndër… nëpër jetë…

Shkon si yll – edhe sakaqe
Ndodhemi gjith më të bredhur…
Lëshon gropëza nër faqe
Leshëra-cullufe-dredhur…

– Leshërat e tu moj çupë,
Valle sumbullash e ruazash
Ndaj të derdheshin mi supë
Porsi vargje prej unazash.

Kur ndaj tufësh borsilogu
Lulëzonte lul’ e kuqe,
Afër saj un’ isha zogu
Që çukiste çdo burbuqe…

Kopsht! o kopsht i shenjtëruar
Që kurdo na pate pranë!
Vetëm ti m’i ke dëgjuar
Përkëdheljet që më sjanë!

Sot të shoh prej zembërate
Me vështrimin më të qarë,
Dhe s’kuptoj sesi më vate
Vogëlusheja m’e parë.

E si pshoj me breng të shuar,
Vjen më merr një mall i letë:
Më shkon këng’ e perënduar
Nëpër ëndërr… nëpër jetë…