VMRO e josh BDI-në me më shumë ministri?

VMRO-DPMNE e Nikolla Gruevskit tenton ta fitojë BDI-në si partnere koalicioni duke i ofruar më shumë poste ministrore dhe atë të kryetarit të Kuvendit si kompensim për pikat e platformës së përbashkët të partive shqiptare.




Burime jo zyrtare thonë se VMRO i ka ofruar BDI-së tetë ministri, mes të cilave edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe kryetarin e Kuvendit. Nga platforma e partive shqiptare VMRO ka lëshuar pe vetëm për statusin e gjuhës shqipe, edhe atë jo zyrtarizim të plotë, por avancim të përdorimit të shqipes në komunikimin e shqiptarëve me administratën shtetërore në komunat ku shqiptarët përbëjnë mbi 20 përqind të popullatës.

Në vend të miratimit të buxhetit me shumicë të dyfishtë, sipas parimit të Badenterit, mësohet se ka zotime verbale se në buxhetet e ardhshme do të ndahen më shumë mjete për komunat shqiptare. Ndërkaq për pikat e tjera, siç janë vazhdimi i mandatit të Prokurorisë Speciale, Ligjit për Dëshmitarët e Mbrojtur, vendimmarrja konsensuale, ndryshimi i stemës e himnit dhe pikat e tjera, nuk thuhet asnjë fjalë në BDI.

Sipas burimeve të njëjta, mësohet se VMRO ka pranuar që kryeninistër të jetë Nikolla Popovski. Por të gjitha këto informata ende qarkullojnë vetëm nëpër koloareve partiake dhe mediatike, e nuk janë të konfirmuara. Nga vetë BDI zyrtarisht nuk ka asnjë deklaratë. Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti gjatë hyrjes në takimin e sotëm tha vetëm se bisedimet janë të vështira. az