VMRO DPMNE pëson humbje drastike në zgjedhjet vendore në Maqedoni

Rundi i parë i zgjedhjeve vendore në Maqedoni rezultoi një katastrofë për ish-partinë qeverisëse të Gruevskit, i cili tani përballet me zëra për dorëheqje nga drejtimi i partisë.

Lideri i VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski flet pas rezultatit të rundit të parë të zgjedhjeve. Foto: MIA

Partia e krahut të djathtë të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, VMRO DPMNE, pa një humbje të madhe në zgjedhjet e të dielës për 81 kryetarë komunash dhe këshillat bashkiakë, duke humbur kështu dominimin në qeverinë lokale.

Partia, e cila në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2013 fitoi 56 komuna, përfshirë kryeqytetin, të dielën fitoi vetëm në tre zona rurale pranë Shkupit.

Sipas rezultateve të para zyrtare, të publikuara të hënën, VMRO DPMNE është në avantazh të lehtë përpara rundit të dytë më 29 tetor, në gjashtë komuna të tjera.

Më i rëndësishmi është në ish-bastionin e Shtipit, ku kandidati i VMRO DPMNE-së fitoi 30 vota më shumë se kundërshtari i tij social demokrat në pushtet, që do të jetë një garë e ngushtë në rundin e dytë.

LSDM, sipas komisionit zgjedhor, fitoi në 37 komuna në rundin e parë dhe ka një udhëheqje bindëse në 13 komuna të tjera.

LSDM, që fitoi vetëm katër komuna në zgjedhjet e fundit, është afër fitimit në Shkup, çmimi kryesor në këto zgjedhje.

Rezultatet tregojnë se nga 97.52 për qind e votave të numëruara, partia e Zaevit mori mbi 50 për qind të votave, që do të thotë fitore në rundin e parë.

Përtej të gjitha parashikimeve, LSDM fitoi edhe në bastionet e VMRO DPMNE-së si në qytetet e Prilepit dhe Ohrit dhe komunat e Shkupit: të Gazi Babës, Butelit, Kisella Vodës dhe Aerodromit.

Pothuajse e gjithë zona lindore e vendit, e cila shihej si një bastion i VMRO DPMNE-së për dekadën e fundit, tani është në duart e LDSM-së.

Rezultati shokues mund t’i japë fund karrierës politike të liderit të VMRO DPMNE-së Nikolla Gruevski, i cili pasi i quajti zgjedhjet një referendum për kthimin e tij në pushtet, pranoi humbjen duke u ankuar për shumë parregullsi.

Gruevski, i cili po përballet me hetime kriminale lidhur me 11 vitet e pushtetit të partisë së tij, si dhe me thirrje për t’u larguar nga partia e tij, nuk pranoi të thoshte nëse nëse do të jepte dorëheqjen.

«Si kryetar i partisë, sigurisht mbaj përgjegjësinë më të madhe për këto rezultate. Do ta diskutojmë menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve», tha Gruevski në një konferencë shtypi.

Pas 11 viteve në pushtet, partia e Gruevskit u rrëzua në maj, duke i dhënë fund një krizë politike pothuajse trevjeçare që rrotullohej te akuzat për korrupsion dhe tendenca autoritare brenda partisë.

Gara zgjedhore vazhdon në zonat shqiptare

Në bllokun etnik shqiptar, Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI, ka siguruar fitore vetëm në dy komuna, por ka mbajtur një udhëheqje në 10 të tjera ndaj rivalëve të saj nga lëvizja opozitare BESA dhe Aleanca për Shqiptarët.

Këto komuna janë kryesisht në veri-perëndim, ku jetojnë shumica e shqiptarëve etnikë. Shqiptarët përbëjnë rreth një të katërtën e popullsisë së vendit prej vetëm 2.1 milionë banorë.

Megjithatë, rezultatet në kampin shqiptar, ku qyteti i Tetovës dhe komuna e Çairit në Shkup shihen si çmime, premtojnë një rund të dytë interesant.

Kjo ndodh sepse kryesia e BDI-së në shumë zona mezi përputhet me numrin e bashkuar të votave të fituara nga dy rivalët e tyre, të cilët mund të kenë një shans nëse bashkojnë forcat.

Situata në qytetin etnikisht të përzier jugperëndimor të Strugës është e pazakontë. Ky është i vetmi qytet ku Aleanca për Shqiptarët kryesoi bindshëm në rundin e parë ndaj BDI-së.

Por BDI shpreson të kthehet në kryesim në rundin e dytë, falë aleancës së saj me LSDM-në, e cila pritet t’i sjellë një numër të konsiderueshëm votash maqedonase etnike.

Struga ishte një nga komunat e pakta ku LDSM dhe BDI nuk e mbështetën njëra-tjetrën në rundin e parë, por premtuan ta bëjnë këtë në të dytën. Në shumë fusha të tjera, të dy palët bashkëpunuan duke promovuar një kandidat të vetëm.

Rast kurioz ishte komuna rurale e Araçinovës pranë Shkupit, e cila u bë komuna e parë e dominuar nga shqiptarët që votoi një kryetar nga radhët e Social Demokratëve, një parti kryesisht maqedonase.

Zgjedhjet e rundit të dytë me gjasa do të mbahen në 35 nga 81 komuna mes dy kandidatëve kryesorë të rundit të parë.

Në më shumë se 20 prej tyre, LSDM dhe VMRO DPMNE apo aleanca më të vogla do t’i kundërvihen njëra-tjetrës. BDI dhe Aleanca për Shqiptarët do të konkurrojnë në pesë prej tyre ndërsa BDI do të përballet me lëvizjen BESA në shtatë.

Kandidatë nga parti më të vogla apo kandidatë të pavarur kanë arritur të kryesojnë në pak zona.

(https://www.reporter.al/vmro-dpmne-peson-humbje-drastike-ne-zgjedhjet-vendore-ne-maqedoni/)