Vllazni në Shkodër, Kosova humb, por në rrugë ka festë

Kosova humbi kundër Kroacinë, por mijëra tifozë të saj ishin në Shkodër për të festuar ndeshjen e parë në shtëpi, diçka e jashtëzakonshme dhe me atmosferë të rrallë miqësore për dy ekipe prej Ballkanit.

Përfaqësuesja e Kosovës. Foto: Shutterstock

Kosova luan në shtëpi. Pa thonjëza. Prej fonive të bareve, që se kanë pasur fort të vështirë të përshtatin repertorin, dëgjohet «E dehun jam» e Nexhmije Pagarushës, që miksohet me thirrjet e tifozave: «Kosova është zemra e Shqipnisë». Në «Loro Boriçi» të «Vllaznisë» mbi 15 mijë shqiptarë të Kosovës kanë ardhur për të parë përfaqësuesen e tyre në ndeshjen e parë zyrtare në shtëpi. 400 gazetarë të huaj po ashtu janë në ngjarjen e rrallë të debutimit të kombëtares më të re në Europës. «Kjo është e jashtëzakonshme», thonë ata.

Atmosfera rreth e rrotull stadiumit e në «Pedonalen» e famshme nuk tregon asgjë prej debatit të fundit me «tradhtar» e «identitarë». Këngët e tifozëve janë po ato që jemi mësuar të dëgjojmë kur luan Shqipëria. Thuhen në të njëjtën gjuhë. Veç kampion në to është Kosova. Djemtë e saj luajtën dje një takim të madh dhe fati e do që ai të luhet në Shkodër si për të përgënjeshtruar gjithë atë zhurmë se dy përfaqësuese i bëjnë dëm kombit, në «Loro Boriçi» dhe në rrugët rreth tij duket e kundërta. Përkundër pyetjeve të sikletshme se cili prej flamujve u pëlqen më shumë, shqiptarët e Kosovës qeshin vesh më vesh.

Dona, një grua rreth të 40-tave, me origjinë nga Ulqini, thotë se ka ardhur nga Nju Jorku për të parë këtë debutim sepse «këtë e kemi pritur gjatë», por kombëtarja e parë e saj mbetet «Shqipëria, se një jemi», na thotë. Një i ri prej Prishtine është më i dyzuar. Ai ndalon buzë rruge për të blerë flamuj dhe merr dy, një të Kosovës dhe një të Shqipërisë, dhe mbulohet me ta. Por nëse dy ekipet ndeshen bashkë ai nuk di për kë do bëjë tifozllëk. «Sido që të shkojë do të fitoj», thotë ai dhe qesh me batutën që i ka ardhur në mendje.

Pjesa e parë nuk shkoi aq mirë, Mario Manxhukiq shënoi tre herë për kroatët, të cilët ndryshe nga sa ka ndodhur në ndeshjet e tjera ballkanase ndjehen edhe ata në shtëpi.  «Është shumë mirë. Shumë faleminderit. Nuk kemi pritur këtë. Është më shumë se një ndeshje, është vëllazërore», thotë një nga tifozët kroat nga Istra, ndërsa priste të hynte në stadium me një birrë shqiptare në dorë. Rreth tij tifozë të Kosovës bëjnë selfie me ata të Kroacisë. Palët i rrahin shpatullat njëra-tjetrës, duartrokasin dhe ndajnë alkool që shoqërohet me qofte që piqen po aty në qymyr në karrocat lëvizëse.

Që nuk është tipikisht një ndeshje mes dy ekipeve ballkanase dhe me atë rivalitet, duket që kur sheh shallet me flamuj të Kosovës e Kroacisë që shiten bashkëngjitur në rrugë, me ato kuq e zinj që u rrinë në krah. Më tutje t’i dëgjon një grup shqiptarësh të thërrasin «Hrvatska» dhe duartrokasin nja 10 kroatë të ulur ngjitur. Tifozët e Kroacisë ua kthejnë duke kërcyer në ritmet e një daulleje valle të Kosovës apo duke duartroktitur: «Kosova, Kosova».

Vend tjetër më të mirë për të bërë këtë zor se gjendet në botë, veç «Pedonales» së Shkodrës. Mu nën hijen e minares së Xhamisë së Madhe, këmbanoreve të kishave katolike e ortodokse, as 50 metra larg njëra-tjetrës. Simbolet, të cilat u përdorën prej nacionalistëve për të përgjakur Ballkanin në fillim të ‘90, kanë simbolikë paqeje këtu në Shkodër dhe sikur ua imponojnë këtë tifozëve.

«Është një qytet i bukur, kam ardhur që të mërkurën dhe më ka pëlqyer shumë. Atmosfera fantastike dhe shumë miqësore», na thotë një tjetër kroat rreth të 40-tave ndërsa gjerb po ashtu birrë.

Për të hyrë në stadium radhët janë të gjata. Ka tre palë kontrollesh. Një prej policisë shqiptare, një prej asaj të Kosovës që ka ardhur të ndihmojë dhe një prej sigurisë së stadiumit. Thashethemet se flamujt e simbolet kuq e zi do ndaloheshin dalin të rreme. Në hyrje të stadiumit bëhet një pirg çadrash e shishesh që ndalohen, por flamujt kalojnë pavarësisht ngjyrave… «Nuk prishin punë dy kombëtare», thotë Hamdi Gashi prej Prishtine, «sport asht… do i përkrah të dyja se për mua nuk ka dallim», shton ai. Burri thotë se kështu kemi 44 lojtarë që luajnë e kanë mundësi me treguar sa vlejnë. Hamdiu e ka ndjekur Shqipërinë deri dje dhe thotë se do e ndjekë sërish. Një burrë tjetër po prej Prishtine, ka futur djemtë në stadium e për vete s’ka pas biletë, na tregon për miqtë që ka në Elbasan, një kushëri që rri në Tiranë. «Kjo është ndeshje e madhe», thotë ai.

Qytetarët e Shkodrës që nuk kanë pas mundësi me ble bileta, pushojnë biçikletat dhe filmojnë me celularë festivalin e flamujve apo i bashkohen atij. Edhe për ta nuk është se ka ndonjë dallim.

Të gjithë duan të fitojë Kosova, edhe pse përballja është me Kroacinë – një prej ekipeve më të mira në Europë e në botë me lojtarë që luajnë për Barcelonën, Realin e Juventusin. Në fushë kjo duket shumë shpejt. Kosova pësoi 6 gola. Ekipi i sapoformuar nuk qe dhe aq në gjendje të përballonte kroatët që vetëm pak kohë më parë mundën Spanjën dhe u eliminuan vetëm me fat prej portugezëve në finalet e Europianit.

Në rrugë kjo pak ka rëndësi. Ti mund të dëshpërohesh nga një rezultat, por ajo që ndodh në shkallët e stadiumit dhe atmosfera në «Pedonale» nuk janë aq shumë për sa «golla janë dhanë», por për faktin që Kosova mundet të zbresë në fushë dhe të luajë futboll. «Kjo është diçka e jashtëzakonshme», thotë Burim Brahimi prej Mitrovice. I riu është veshur veç me flamuj. Të Kosovës mbi supe, të Shqipërisë lidhur në kokë. Kur takimi ka mbaruar e tifozët derdhen në rrugë sërish ka muzikë e daulle…