Vjet në Kosovë u operuan 41 mijë persona, në spitale vdiqën mbi 2 mijë veta

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar «Statistikat e Shëndetësisë 2014».




Ky publikim ofron të dhëna për numrin e përgjithshëm të të punësuarve në institucionet publike shëndetësore sipas gjinisë dhe shkallës së arsimimit, të dhëna për aktivitetet e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), aktivitetet e Spitaleve Rajonale, vizitat në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare etj.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim rezulton se numri i përgjithshëm i të punësuarve në shëndetësi në sektorin publik, në vitin 2014, ishte 13 680 persona. Krahasuar me vitin 2013, numri i të punësuarve në shëndetësi ka shënuar rritje për 62 persona ose shprehur në përqindje 0.45 %, njofton kumtesa nga AKS.

Numri i rasteve të reja, të diagnostifikuara me sëmundje malinje, ishte 2 975, ku rastet më të shpeshta ishin melanomat dhe neoplazmat malinje të lëkurës me 670 raste (22.4%) , pasuar nga neoplazma malinje e gjirit me 443 (14.8%).

Numri i pacientëve të operuar në Klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ishte 20 496, ndërsa numri i pacientëve të operuar në Spitalet Rajonale ishte 20 521.

Numri i pacientëve të vdekur në Klinikat e Qendrës Klinike Universitare ishte 1 241, ku numri më i madh i pacientëve të vdekur ishte në Klinikën e Neonatologjisë me 308 raste, ose shprehur në përqindje 24.8%, transmeton Koha.net.

Numri i pacientëve të vdekur në Spitalet Rajonale ishte 830. Numri më i madh i pacientëve të vdekur është shënuar në Spitalin Rajonal të Prizrenit me 334 raste.

Numri i institucioneve private shëndetësore, të licencuara, ka arritur në 1 069, ku 305 ose 28.5% prej tyre janë ambulanca stomatologjike.