Vjehrrat fluturuese

Në prag të dimrit vjehrrat nga Kosova vijnë në Zvicër. Sjelljet e tyre jo vetëm në avion nganjëherë flasin më shumë se një roman fantastik.

Foto: Shutterstock



Nuk ka popull që nuk ka disa fjalë, siç thuhet, të urta për vjehrrat. Në të vërtetë s’janë fjalë fare të urta, më shumë janë thumbuese, therëse, ironike, cinike, të egra, shpotitëse. Aziatikët thonë se të përkëdhelësh një vjehërr është si të kruash një tigër.

Në një kënd të aeroportit të Prishtinës në një ditë vjeshte, në një ditë në prag të dimrit, të bie në sy një «tigreshë» e tillë, e veshur me «leggins» («hollohopka», siç i quan një dyqan kosovar). Veshjet e ngushta me model të lëkurës së tigrit nuk janë ndonjë madhështi e modës. Por, ja që ka vjehrra që sillen rreth të gjashtëdhjetave dhe të cilat nuk e kanë kuptuar ende se kapitali i tyre erotik nuk shitet më në asnjë bursë. Megjithatë, kjo nuk i pengon që edhe në këtë moshë të imitojnë Britney Spearsin apo Shakirën, të lyhen e ngjyhen ku duhet e ku s’duhet, të reklamojnë buzët me një buzëkuq që shitet mes mishit të qengjit dhe Opel Calibrës në pazarin e Prishtinës – apo Gjilanit, Pejës e Lipjanit.

Për të tërhequr vëmendjen e popullit se po shkon në Zvicër, «tigresha» e aeroportit të Sllatinës zhvillon një mori bisedash telefonike me të gjithë farefisninë në Kosovë, ndërsa pret para sportelit për check-in. Një dëshirë e brendshme e shtyn atë që me zë të lartë të tregojë se djalin e ka në Gjenevë, vajzën në Zürich, djemtë e dajave në Langenthal, një vajzë të motrës në St. Gallen. Natyrisht që kjo – hajde të themi – zonjë po shkon në Zvicër e marrin vesh të gjithë, udhëtarë dhe policë kufitarë, personeli i sigurisë dhe ato vajzat e dyqanit «Duty Free Shop». Hovet shpirtërore të «tigreshës» janë të pafrenueshme.

Shfaqja vazhdon pastaj edhe në avion. «Po flasim çdo ditë në viber, mirë shumë, nejse, ishte djali me nuse verës, patëm nja tri dasma, po flasim çdo ditë, po flasim në viber, por, jo, më mirë kur po i vizitoj, vizën ma dërguan, vizën e mora menjëherë te zviceranët në Prishtinë, jo, jo, s’kishte problem, po më njohin tani, kam qenë së paku dhjetë herë në Zvicër, mirë atje shumë, rrugët e pastra, krejt në rregull, krejt mirë…», kështu disi rrjedh e nuk ndalet rrëfimi i vjehrrës tashmë fluturuese. Dy orë të lume – muhabete për të gjitha anët e jetës, për të gjitha detajet, për të gjitha cikërrimat.

Përveç tipit të vjehrrës «tigreshë» ekziston edhe tipi i vjehrrës që mban qëndrimin e Jovanka Brozit. Ajo e luan rolin e zonjës së rëndë, është veshur me mëndafsh e push thua se po shkon në një pritje te Mbreti i Persisë apo në një koncert të Saimir Pirgut në Operën e Zürichut – dhe kur braktis avionin në Zürich dhe duhet të orientohet disi, ajo humb në këtë botë të pabesueshme (për të). Shumë njerëz, shumë pasagjerë, shumë tollovi, shumë gjuhë, shumë fytyra të huaja, aziatikë e afrikanë, gjermanë e amerikanë, shqiptarë e latinoamerikanë. Kjo është e tepërt edhe për versionin shqiptar të Jovanka Brozit.

Por, së shpejti gjithçka do të jetë në rregull, së shpejti vjehrrat fluturuese do të përqafojnë të afërmit e tyre, nuset e djemtë, nipat e mbesat, pastaj – edhe pse kanë folur pandërprerë në viber – fillon ai rituali «qysh je? – nom ti qysh je?» Ashtu siç fillon sezoni i turshive, i pastërmave, i dasmave, në kalendarin e popullit dardan tani fillon sezoni i ardhjes së vjehrrave në Zvicër, Gjermani e gjetiu në botën perëndimore. Natyrisht ka edhe vjehrra me dimi që udhëtojnë në këto vise, por ato s’bien në sy si «tigreshat» dhe Jovankat e Kosovës.

Në këso situatash ngushëllim çdokush gjen te Stefan Zweigu, te libri i tij «Bota e djeshme. Kujtime të një europiani»: «Edhe sot më bën të qesh historia groteske e një tezes sime, e cila natën e martesës papritmas sërish u shfaq në orën 01:00 para banesës së prindërve të saj dhe duke trokitur pandërprerë në derë tha se nuk donte ta shihte kurrë më atë njeri të poshtër, me të cilin e kishin martuar, sepse ai qenkësh një i çmendur dhe maskara, sepse me gjithë mend ishte përpjekur ta zhveshë atë. Ajo tha se me shumë mund kishte arritur të shpëtojë nga kjo kërkesë ashiqare e sëmurë».