Vizioni politik i opozitës maqedonase dhe shqiptare

Shefi i opozitës maqedonase dhe një eksponent i opozitës shqiptare në Maqedoni prezentojnë vizionin e tyre për vendin në Zvicër. Zoran Zaev dhe Zijadin Sela, kryetari i Strumicës përkatësisht Strugës, flasin përpara mërgimtarëve nga Maqedonia në Bernë. Raport i zgjeruar, në ligjëratë të drejtë dhe të zhdrejtë.

Pamje nga takimi opozitar në Bernë. Përshëndetje nga ish deputeti zviceran, Andreas Gross.

Mbase nuk ka një vend më të përshtatshëm se Zvicra për të shpalosur një vizionin politik për një shoqëri të organizuar e të përparuar. Të dielën e 13 nëntorit, në sallën e një hoteli kryeqytetas u zhvillua një debat me protagonistë të opozitës së Maqedonisë në vigjilje të zgjedhjeve të përgjithshme atje: Zoran Zaev dhe Zijadin Sela. Si dhe Andreas Gross, ish deputet zviceran, tani kryetar i shoqatës albinfo, e cila ishte edhe nikoqirja e takimit. Shumica e pjesëmarrësve të shumtë janë shqiptarë. Një pjesë të tyre e përbënin emigrantë maqedonas dhe goranë në Zvicër.

«E drejta është e drejtë kur është e tërë!»

Zijadin Sela, kryetari i Strugës dhe protagonist i opozitës shqiptare në Maqedoni.
Zijadin Sela, kryetari i Strugës dhe protagonist i opozitës shqiptare në Maqedoni.

I pari kishte nderin t’u drejtohej të pranishmëve Zijadin Sela. Ai e fillon ligjëratën e tij në një regjistër të lartë politik: Gjendja politike në Maqedoni është e pandryshuar dhe e keqe. E pandryshuar jo viteve të fundit, por nga viti 1912. Vetë diaspora e madhe shqiptare për të është shembulli konkret i një spastrimi etnik që po vazhdon. Dhe ky spastrim nuk është implementuar vetëm me dhunën e armëve, por edhe përmes politikave diskriminuese, të cilat i shtyjnë shqiptarët t’i braktisin vendbanimet e tyre. Për Selën, shqiptarët vazhdojnë të trajtohen si qytetarë të rendit të dytë.

Sipas Selës, dy entitetet kryesore në Maqedoni, shqiptarët dhe maqedonasit, kanë aktruar sikur po përpiqen t’i rregullojnë raportet mes tyre. Një diçka e tillë është Marrëveshja e Ohrit. Për opozitarin shqiptar, ajo nuk është tjetër, pos një koncept anakronik për adresimin e disa problemeve të shqiptarëve. Ai nxjerr nga sirtarët e historisë një moment, i cili është huazuar për rregullimin e statusit të gjhuhëve në Maqedoni, përkatësisht të shqipes. I tillë është zgjidhja e arritur me Traktatin për Minoritetet nga Mbretësia Serbo-Kroato-Sllovene në Konferencën e Parist më 1920 nën presionin e Perëndimit, sipas të cilit, «në ato vende, ku ka një përqindje të konsiderueshme të popullatës, e cila flet gjuhë të ndryshme nga serbishtja, mund të mësohet edhe në atë gjuhë.» Për analogji e sjell statusin zyrtar të gjuhës shqipe në Maqedoni: «Gjuha që e flasin mbi 20 për qind e popullatës dhe që është e ndryshme nga gjuha maqedone…». Edhe kjo është në funksion të spastrimit etnik të shqiptarëve, sepse, si e tillë, i mobilizon maqedonasit të angazhohen që shqiptarët të bien ndër këtë shifër, me qëllim që ta humbasin edhe këtë të drejtë. Ndërkohë, afirmon Sela, shqiptarët përbëjnë të paktën një të tretën e banorëve të Maqedonisë.

Aleanca për Shqiptarët, të cilën e udhëheq ai, ka një zgjidhje për merakun e ndërkombëtarëve për stabilitet: drejtësia. Ai është i bindur se vendosja e saj do ta sjellë stabilitetin vetvetiu. Madje është pikërisht përpjekja për ta ruajtur stabilitetin me çdo kusht, ajo iqë ka sjellë situata konfliktuoze. Koalicioni i tij ka në shënjestër të vet sistemin e drejtësisë, që prodhon padrejtësi dhe dhunë mbi shqiptarët. «E drejta është e drejtë kur është e tërë!», thekson ai. Sela i referohet aferave «Sopoti», «Monstara» etj., dhe më pas, në fund, asaj «Boshkovski». Me formulën e tij, Sela sikur ai kujton homologut të tij Zaev, të cilin e përgëzon për nxjerrjen e sekreteve të përgjimeve, por fakti që nuk i ka nxjerrë ato për rastin «Monstra», e bën të dyshitë të gjithë angazhimi e tij.

Në prag të zgjedhjeve, Sela kujton edhe debatin për listat e zgjedhësve, me çrast flitej për 300 mijë votues fiktivë, duke përfunduar në 39 mijë të tillë, 90 për qind prej të cilëve janë shqiptar. Nënteksti është i qartë, ai edhe këtu sheh një marifet të sistemit për t’i përjashtuar shqiptarët e Maqedoniisë. Kjo amulli hedh dyshime mbi vërtetësinë e statistikave për numrin e përgjithshëm të popullatës dhe numrit të vërtetë të shqiptarëve. Si shembull të respektit për pakicat përmend ai komunitetin retoroman në Zvicër, i cili përbën rreth një përqind të popullatës së përgjithshme dhe gjuha e tij njihet si gjuhë zyrtare. Më pas ai i thërret mërgimtarët që të mos votojnë në diasporë.

Zijadin Sela nuk mund të qëndrojë pa e përmendur shembullin e organizimit të Zvicrës, decentralizimin e pushteteve, i cili përjashton supremacionin e ndonjërit prej grupeve etnike. Me një fjalë: Aleanca e Selës angazhohet për një shtet binacional të shqiptarëve dhe maqedonasve. Ai e ironizon konceptin e «shtetit qytetar», çfarë e ka sanksionuar Maqedoninë Marrëveshja e Ohrit. Ai thjesht nuk ekziston. Sela kërkon sistem politiko-juridik dydhomësh. Kryesorja për Selën si kryebashkiak i Strugës, është ndarja e buxhetit me, sikurse thotë ai, prerje lokale, si mbrotje nga forma abuzuese të shpërndarjes së parasë publike për projekte monoetnike si «Shkupi 2014». Ndërkohë që komuna e tij ka probleme me ngrohjen në shkolla dhe kushtet minimale për një proces normal mësimor. Më pas ai do të shtojë se me këtë formë të decentralizimit që ka Maqedonia, Komuna e Strugës, për shembull, nuk ka kompetenca as edhe për liqenin e këtij qyteti, as për pyjet.

Zijadin Sela identifikon një federalizim de facto të një Maqedonie Lindore në mirëqenie dhe një Maqedoni Perëndimore të prapambetur. «Nëse federalizëm, hajde ta bëjmë tamam», fton Sela. Maqedonasit janë të privilegjuar kat më kat, ata në nivelin lokal shërbehen me shumicën e dyfishtë, parim i propozuar nga juristi francez Badinter në Marrëveshjen e Ohrit për mbrojtjen e shqiptarëve nga majorizimi në pushtetin qëndror. Sela vëren paradoksin: «Nuk mund të sillesh edhe si shumicë, edhe si pakicë».

«Përtej marrëveshjes së Ohrit»

Zoran Zaev, kryetar i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë.
Zoran Zaev, kryetar i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë.

Zoran Zaev nuk e kap më poshtë se Sela. Pë të ky është një moement historik. E para, regjimi duhet të bjerë nga pushteti; e dyta, është bashkimi i popullit të Maqedonisë, pavarësisht dallimeve, për ta luftuar këtë regjim, sikurse shporrjen e fashizmit. Dhe e vazhdon me një ton historik: «Unë jam politikani i parë maqedonas që flet për barazi, me gjithë rrezikun se mund të humbas vota. Unë i hapa këto tema pa marrë parasysh kush më qëndronte përballë. Jam njeriu që beson thellë në vete se Maqedonia mund të përparojë si Zvicra nëse është e bashkuar për të gjithë qytetarët e saj.» Për dallim nga Sela, Zaev fton që nëse iu dhimbset Maqedonia të votojnë këtu, apo në vendlindje, për ta shpëtuar vendin e të parëve dhe të pasardhësve nga regjimi i tanishëm.

Për opozitarin maqedonas e keqja nuk ka etni. «Kur i publikuam ‹bombat›, rrëfen ai, «pamë që zgjedhjet ishin vjedhur edhe nga maqedonasit edhe nga shqiptarët; edhe nga turqit edhe nga serbët…» Dhe vazhdon: «Kur i publikuam ‹bombat› pamë që paratë janë vjedhur nga të gjithë ne bashkë.» Ai flet për një mafie moderne hibride, e cila e ka vjedhur mirëqenien e popullatës së maqedonisë, që e ka okuptuar shtetin për të pasuruar xhepin. Prandaj, sipas Zev, kemi më shumë arsye për t’u ngritur padallim etnie a partie kundër regjimit, të cilin e udhëhoqi VMRO, por që e ndihmoi BDI, nganjëherë drejtpërdrejt, nganjëherë duke heshtur, për ta shkatërruar shtetin dhe të ardhmen e qytetarëve.

Zaev e konfirmon Selën, se paratë shkojnë në përmendore dhe muze, të cilët në vend që t’na bashkojnë po na ndajnë. Dhe, për më tepër, na kanë hasmëruar jo vetëm me njëri-tjetrin, por edhe me Greqinë, edhe me Bullgarinë edhe me Shqipërinë dhe me Kosovën edhe me Serbinë. «Nuk është e mundur që të gjithë rreth nesh të jenë të këqinj, vetëm ne të jemi të mirë», konstaton ai. Por, i kthehet argumentit të barazisë së pabarazisë Zaev, pushteti nuk i ndaloi mjetet vetëm për Strugën, Kërçovën dhe Gostivarin, por edhe për Strumicën, sepse kjo administrohej nga opozita maqedonase. «Pushtetit i interesonin vetëm votat dhe paret.»

«Unë jam njeriu i cili i ka riafrimuar vlerat universale në Maqedoni», vazhdon Zaev, «ku politikanët, për dhjetë vjet, e kanë nxitur nacionalizmin.» Ai shprehet i keqardhur që në dekadën e dytë të shekullit 21 ne akoma flasim për atë çfarë të drejtash iu takojnë qytetarëve. «Thonë qëndrimi im do më kushtojë vota të maqedoasve, por nëse vazhdohet kështu nuk e di sa do të kushtojnë të gjithëve.» Atij nuk i duhen votat e të prapambeturve.

Vizioni i Zaevit për Maqedoninë është pragmatik. Përdorimi i gjuhëve duhet t’i shërbejë marrëveshjes, biznesit, krijimit të mjeteve, rrogave më të larta, fatit më të mirë. «Nuk është me rëndësi nëse shqiptarët janë më shumë se 20 për qind në ndonjë komunë, apo jo, t’ju lejojmë të zgjedhin cilën gjuhë dëshirojnë ta përdorin.» Dhe, pason kryefjala e kësaj ligjerate: «Marrëveshja kornizë e Ohrit nuk është e mjaftueshme. Duhet ta tejkalojmë atë.» Maqedonia nuk mund t’i dedikohet ndonjërit qind për qind, ndonjërit tridhjetë për qind.

Shpërndarja e mjeteve të buxhetit, sipas Zaevit, duhet të pasojë sipas nevojave të qytetarëve. Ai shpall decentralizimin e mëtutjeshëm të pushtetit. Shkurt: Nëse Struga nuk ka ngrohje për shkollat, e Tetova nuk ka ujë në verë, atëherë dihet se ku do të shkojnë paratë. Nëse në Shtip nuk ka kanalizim, këto para do të shkojnë aty. Shëndetësia dhe arsimi duhet të kenë përparësi. Dhe e dëshmon se është socialist: Shërbimi publik duhet të jetë i garantuar. Shkollimi duhet të jetë praktik, që të garantojë mundësi më të mira për punë.

«Unë jam Zoran Zaevi që e ka shpallur projektin ‹E vërteta për Maqedoninë› dhe i ka publikuar të gjitha Bombat», ngjitet ai në një oktavë tjetër retorike. «Më 17 maj qëndrova nën flamurin maqedonas dhe nën flamurin shqiptar në protestën e madhe para Qeverisë së Maqedonisë…». Ai tanimë pothuajse nuk befason: «Jam lideri i partisë që ka 9’270 anëtarë shqiptarë nga gjithsejt 70 mijë». Dhe shton: «Jam ai që e ka shtruar hapur çështjen e barazisë dhe të përdorimit të gjuhëve në Maqedoni. Ai që ka hapur shtabe në Haraqinë dhe Çegran», vendbanime shqiptare në Shkup dhe Gostivar.

Edhe Zaev nuk mund ta harrojë Zvicrën. Ai është i bindur që duke qenë të bashkuar dhe të fortë, mund të arrihet Zvicra. Dhe, shprehet i bindur për fitoren e opozitës.

«Kurajo ndaj mikut, jo ndaj armikut»

Për Andreas Gross e fillon me shkrimtarin e njohur zviceran, por ligjëron në anglisht: «Nuk duhet të kesh kurajo para armikut, por përpara mikut për t’ia thënë të vërtetën në sy». Shkaqet kryesore për problematikën e Maqedonisë janë: dezintegrimi në baza etnike, dezintegrimi politik dhe nepotizmi e korrupsioni. Propozimet e tij për ndryshime në Maqedoni janë: ndalimi i procesit të okupimit të shtetit nga dy partitë kryesore, të cilat sundojnë mbi ligjin, shteti duhet të hapet dhe të demokracia e forcohet, duke e ndarë pushtetin me opozitën; rishkrimi i kushtetutës, ku qytetarët, sipas modelit zviceran, të identifikohen si maqedonas, në këtë kuadër maqedonasit duhet të mësojnë shqip dhe shqiptarët maqedonisht, sepse gjuha e reflekton realitetin politik në një vend; garantimi i autonomisë së autoriteteve lokale, sipas përcaktimeve të Marrëveshjes së Ohrit, duke e përshëndetur njëkohësisht zgjerimin e saj si të pamjaftueshme për realitetin maqedonas; vendi duhet të investohet në arsim, ofrimi i një edukimi dhe arsimimi të mirëfilltë për fëmijët të jetë një prioritet. Për në fund ish deputeti socialdemokrat dhe politologu zviceran rekomandon sundimin e ligjit, që domethënë se sistemi i drejtësisë duhet të jetë i pavarur dhe t’u shërbejë të gjithë qytetarëve. Ai potencon se ndërrimi i partive nuk është ekuivalent me ndërrimin e sistemit. Një ndërrim partishë në këtë rast do të ishte një ndryshim qenësor politk në vend.

Debati vazhdon me ovacione e nganjëherë me nervozizëm. I fundit përshëndetet Zijadin Sela. Në dalje, të pranishmit dynden në holl dhe shfyrtëzojnë rastin të fiksojnë një kujtim me liderët. Qoftë për kronikën e rrjeteve sociale.