Vitin që shkoi 27’500 persona kërkuan azil në Zvicër

Në Zvicër ka rënë dukshëm numri i kërkesave për azil, por jo edhe i shpenzimeve për trajtimin e tyre. Madje ato do të rriten.

Rojet kufitare zvicerane duke shoqëruar disa refugjatë.



Në vitin 2016 në Zvicër kanë kërkuar azil 27’500 persona, shkruan gazeta «NZZ am Sonntag» duke iu referuar një burimi të informuar mirë. Në krahasim me vitin 2015 kanë kërkuar azil 12 mijë persona më pak (ose 30 për qind më pak). Si arsye për uljen e dukshme të numrit të refugjatëve përmendet fakti se mijëra refugjatë të ardhur në kufirin jugor të Zvicrës kanë deklaruar se nuk duan të bëjnë kërkesë për azil në Zvicër, por në Gjermani apo në vendet skandinave. Rrjedhimisht, ata vetëm kanë kërkuar leje të kalojnë nëpër Zvicër. Meqë kjo është e ndaluar sipas ligjit për të huajt, rojet kufitare i kanë kthyer prapa shumë refugjatë.

Përkundër uljes së numrit të refugjatëve, shpenzimet për refugjatë do të rriten për shkak se në pesë vitet e fundit, pra që nga shpërthimi i luftës në Siri, Zvicra u ka dhënë leje të përkohshme qëndrimi apo i ka pranuar si refugjatë 50 mijë azilkërkues. (-lli)