Vitin e kaluar në Zvicër kanë ardhur më pak të huaj

Prej pesë vitesh, vjet për herë të parë ka rënë numri i emigrimeve në Zvicër. Sipas OECD-së, shumica e emigrantëve kanë ardhur nga Gjermania.

Foto: Roman Vukolov/Shutterstock.com



Që nga 2009-ta, vjet në Zvicër kanë ardhur më pak emigrantë se një vit më parë. Por, janë rritur kërkesat e azilit. Në 2014-tën në Zvicër kanë aplikuar 23’800 persona për azil. Kjo i bie 11 për qind më shumë se një vit më parë. Shumica e tyre kanë ardhur nga Eritrea (6’900 veta), pastaj nga Siria (3’800 veta) dhe nga Sri Lanka (rreth 1’300 veta). Në fakt, edhe në vitin 2013 shumica e azilkërkuesve ishin eritreas, pastaj sirianë dhe në vend të tretë vinin nigerianët. Azili u ishte njohur 6’200 prej tyre, që i bie 25 për qind. Në 2013-tën – 3’200 personave, 15 për qind të azilkërkuesve. Në 2013-tën kishin qenë 21’500 azilkërkues. Kurse në 2012-tën – 28’600 veta.

Në total, vitin e kaluar në Zvicër kanë qëndruar 1,95 milionë të huaj. Dhe kjo i bie 24 për qind e të gjithë popullsisë zvicerane. Shumicën e të huajve në Zvicër e përbëjnë italianët me 16 për qind dhe gjermanët me 15 për qind. Pastaj vijnë portugjezët me 14 për qind dhe francezët me 6 për qind. Në vitin 2014, në total, për një qëndrim të gjatë në Zvicër kanë emigruar 152’000 të huaj. Kjo i bie 2 për qind më pak se në 2013-tën. Me këtë, për herë të parë nga 2009-ta ka rënë numri i të huajve që vijnë në Zvicër.

75 për qind të të ardhurve në Zvicër janë qytetarë nga vendet e UE-së apo Efta-s. Shumica e emigratëve vijnë nga Gjermania (16 për qind), Italia (12 për qind), Portugalia (10 për qind) dhe Franca (9 për qind). 64 për qind e emigrantëve nga UE-ja dhe Efta vijnë për të punuar në Zvicër, kurse të tjerët si motiv kryesor e kanë bashkimin familjar. ks