«Viti i Skënderbeut» rrit shpresat për investime në muzeumet e heroit kombëtar

Shpallja e 2018-ës si viti i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut është pritur me interes në Krujë dhe Durrës, ku drejtues të muzeut dhe ekspertë të arkeologjisë shpresojnë se do të ketë një vëmendje të shtuar ndaj trashëgimisë së heroit kombëtar.

Një grup nxënësish në muzeun «Gjergj Kastrioti» të Krujës. Foto: Gëzim Kabashi



Kryeministri Edi Rama e nisi mandatin e dytë qeverisës me vendimin për shpalljen e 2018-ës si «Viti mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut».  Sipas vendimit të botuar në faqen zyrtare të Kryeministrisë, një komision shtetëror me pjesmarrjen e shtatë ministrave dhe një numri të gjerë institucionesh do të përgatisë dhe hartojë kalendarin e festimeve me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar, që pritet të zhvillohen nga 28 nëntori 2017 deri në 28 nëntor 2018.

Vendimi është pritur me interes në Krujë dhe në Durrës, ku drejtues të muzeumeve apo ekspertë të arkeologjisë shpresojnë që festimet jubilare të shërbejnë gjithashtu për kryerjen e punëve rehabilituese të lëna prej vitesh pas dore.

Muzeu historik «Gjergj Kastrioti» në Krujë rrethohet nga gjelbërimi i ruajtur me vështirësi nga thatësira e gushtit dhe mungesa e ujit, ndërkohë që kthimi i qendrës së qytetit në një kantier ndërtimi e ka vështirësuar mbërritjen e turistëve atje.

Me më shumë se 100 mijë vizitorë vendas dhe të huaj në vit, muzeu i Krujës pritet të kthehet në një pikë kyçe të festimeve për nder të heroit kombëtar.

I kënaqur nga numri i turistëve, drejtori Medi Hafizi numëron megjithatë një sërë ndërhyrjesh që duhen bërë në muze.

Shpresat janë që projektet e ardhshme të mund të përmirësojnë sistemin e ndriçimit të pavioneve, të restaurojnë banesat pranë muzeut si dhe të nisë projekti për rehabilitimin e mureve rrethuese.

Ndërkohë, sipas Hafizit, në oborrin e muzeut mungojnë ende tabelat me të dhëna njohëse mbi funksionet e kalasë dhe të banesave brenda saj.

Drejtori Hafizi shpreson gjithashtu që vitin e ardhshëm, në muzeun e Krujës të ekspozohen edhe armët e Skënderbeut.

Pas ekspozimit të shpatës dhe përkrenares para dy vitesh në Muzeun Historik Kombëtar të Tiranës, ardhja e tyre nga Viena për të qëndruar disa muaj në Krujë do të ishte një vlerë e shtuar përballë vizitorëve të shumtë në vitin e 550-vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar.

Kur moti është i kthjellët, nga kalaja e Krujës mund të shihet Kepi i Rodonit në Durrës, një tjetër zonë ku shenjat e periudhës së Skënderbeut janë të dukshme.

Një grup specialistësh arkeologë të Institutit të Arkeologjisë vazhdon studimin e territorit pranë fortesës së heroit tonë kombëtar.

Kalaja në Kepin e Rodonit, ku po punojnë një grup specialistësh. Foto:G. Kabashi

Arkeologu nënujor, Adrian Anastasi tha për BIRN-in se identifikimi i gjurmëve arkeologjike të fortesës do t’i shërbejë rindërtimit të plotë të planimetrisë së saj.

Dr. Anastasi, që zhvillon ekspeditat e tij që prej pesë vitesh në këtë zonë me një ekip tërësisht shqiptar, thotë se nga studimi i deritanishëm rezulton të njihet vetëm rreth 23 përqind e planimetrisë së përcaktuar nga botimet e profesorëve Piro Thomo, Gjerak Karaiskaj, Neritan Ceka e Moikom Zeqo.

Ndërkaq, pjesa e dukshme e mureve rrethuese të fortesës dhe gjurmët e pjesëshme të themeleve të saj, sulmohen nga erozioni i vazhdueshëm i kodrës, ndërsa në krahun tjetër gjithçka mbetet në mëshirën e ujërave detare.

Instituti i Arkeologjisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Drejtorinë Rajonale të Durrësit po planifikon të përdorë metodologji studimi të avancuara për të kuptuar më mirë problematikën e territorit në këtë zonë në përgjithësi dhe fortifikimin e Rodonit në veçanti.

Anastasi vazhdon punën për të përgatitur një dosje të plotë, që synon kthimin në zonë të mbrojtur arkeologjike, historike dhe mjedisore të gjithë vijës bregdetare, nga plazhi i Shën Pjetrit deri në derdhjen e lumit Ishëm.

Viti mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut pritet të frymëzojë edhe qytetarë apo institucione të tjera për aktivitete të ndryshme.

Ish-nxënësit e shkollës «Gjergj Kastrioti» në Durrës kanë filluar të mbledhin foto dhe kujtime të cilat do t’i publikojnë vitin e ardhshëm.

Një prej tyre, Doranin Agalliu i tha BIRN-it se përmbledhja me shkrime dhe foto të përzgjedhura do të publikohet në 50 vjetorin e emërtimit të shkollës me emrin e heroit kombëtar.

«Në ditën e festës, do të publikojmë një përmbledhje me shkrime dhe foto të përzgjedhura ndër vite, mes të cilave edhe foto të ceremonisë së 17 janarit 1968, kur shkolla mori emrin «Gjergj Kastrioti», përfundon Agalliu.

(https://www.reporter.al/viti-i-skenderbeut-rrit-shpresat-per-investime-ne-muzeumet-e-heroit-kombetar/)