Vitet pa pranverë

Recension për librin «Vitet që nuk e sollën pranverën» të Xhevdet Bajrajt

Xhevdet Bajraj. Foto: Barry Domínguez



Krijimtarisë së begatshme të poetit Xhevdet Bajraj këto ditë iu shtua edhe vëllimi me poezi «Vitet që nuk e sollën pranverën» (2018), botuar nga Klubi Letrar «De Rada» në Ferizaj. Ky libër, që vjen si rezultat i punës së poetit në vitin e dytë të Bursës së Krijuesve Artistikë të Meksikës, në aspektin përmbajtjesor e stilistik është i lidhur ngushtë me «Lëngun e trëndafilave», botuar vitin e kaluar nga «Koha» dhe paraqitet si vazhdimësi e tij. Lidhshmërinë e tyre ideore e tematike na e sugjeron edhe vet autori, përmes poezisë «Katër atdhetë», e cila shkëputet nga libri i fundit dhe vihet në hapje të vëllimit të ri poetik. Ky detaj, në dukje i parëndësishëm, është udhërrëfyes për lexuesin, por edhe studiuesin, për t’i trajtuar të dyja këto vëllime si një tërësi, brenda së cilës ato ruajnë individualitetin e tyre.

Trajektorja e rrugëtimit të Xhevdet Bajrajt nëpër botën e poezisë shqipe është shumë e veçantë, sepse, që në hyrje zëri i tij poetik u shfaq i formësuar, i sigurt, i thellë dhe, për më tepër, tejet origjinal. Ai i tejkaloi propozimet estetike të kohës, sepse nuk ishin të mjaftueshme për dimensionet e ndjeshmërisë së tij krijuese, nuk përkonin me këndvështrimin e tij specifik ndaj botës dhe perceptimet subtile të dukurive të saj. Rruga jetësore e vuri përballë një udhëkryqi të patejkalueshëm për krijuesit mediokër, por tundues për ata që posedojnë dhuntinë e artit të fjalës, me atë tundimin që, krahas gjuhës amtare, të krijojë edhe në një gjuhë tjetër. Me integrimin në letërsinë latino-amerikane, Xhevdet Bajraj hyri në arenën prej nga kishin dalë kolosë të letërsisë botërore, u bë pjesë e konkurrencës krijuese në gjuhën e Markezit, Nerudës, Lorkës, Borgesit, Mistralit, Pazit e shumë të tjerëve, duke arritur kështu jo vetëm të sigurojë një vend të rëndësishëm në të për krijimet e veta, por të fusë brenda saj edhe ndjeshmërinë dhe përvojat e popullit të tij.

Libri i sapo botuar «Vitet që nuk e sollën pranverën» që në titull na jep të kuptojmë se bota poetike e Xhevdet Bajrajt vazhdon të jetë e përmbushur me preokupimet rreth rrjedhave të jetës në vendlindje, por më tepër se preokupim ai na shfaqet si frymim me jetën tonë dhe bashkëpërjetim i dhimbjeve të saj. Ai nuk është mërgimtari të cilit malli për vendlindjen mund t’i krijoj imazhin jo real të saj, atë imazhin e sajuar nga dëshira për ta pasur një atdhe që e bën të ndjehet krenar në mjedisin ku jeton, ai nuk joshet as nga prirjet për himnizimin e së kaluarës nga të cilat intrigohen shumë krijues, kur në përpjekjet për t’u vetrealizuar nuk arrijnë të gjejnë diçka të denjë në të tashmen. Xhevdet Bajraj dëshmon pjekurinë e tij krijuese duke përmbushur natyrshëm kriteret që i duhen një poeti serioz: të mos krijojë silogjizma me orientimet lirike të së kaluarës dhe të jetë plotësisht i vetëdijshëm për dimensionet e botës reale, sado e dhimbshme që të jetë ajo.

Poezitë e vëllimit «Vitet që nuk e sollën pranverën», gjithsejtë tetëdhjetë, të botuara në shqip e spanjisht dhe të ndara në tri cikle («Shitësi i engjëjve të vegjël prej druri», «Ballkoni me pamje nga deti» dhe «Kënga skandaloze e jetës») shpërfaqen si një mozaik temash e motivesh, që në qendër kanë njeriun, rrugëtimin e tij nëpër labirintet e jetës, zvetënimin moral të shoqërisë njerëzore, me theks të veçantë në botën shqiptare, pamundësinë për t’u përballur me të keqen brenda vetes, por edhe më pak me të keqen që ofron shoqëria. Të gjitha këto tema e motive, në një masë janë të pranishme në krijimtarinë e mëhershme të Bajrajt, por këtu trajtohen pak a shumë me një stil të ri. Ligjërimi i tij poetik tani vjen më i kondensuar, skajshmërisht lakonik dhe i tendosur emocionalisht, duke krijuar kështu përshtypjen e mushtit që pikon nga dhimbja e thellë njerëzore. Toni stilistik, varësisht nga motivet apo tema që trajtohet brenda poezisë, ndonjëherë është i topitur dhe i errët, e ndonjëherë ironik e sarkastik. Mirëpo, brenda këtij vëllimi, me poezitë e ciklit të dytë, poeti i rikthehet sërish temës së dashurisë, temë kjo që kohë më parë, krahas epitetit ‘poet i dhimbjes’ i dha edhe epitetin ‘poet i dashurisë’.

Brenda këtij libri jeta shfaqet me tërë kompleksitetin e saj, me nektarin, helmin, dhimbjen, reminishencat e lumturisë, kujtesën individuale e kolektive, përpjekjet e njeriut për ta sfiduar atë, por edhe me apatinë dhe me nënshtrimin ndaj absurditetit të saj. Në dukje, jeta mund të jetë e bukur, ashtu si afresku i natyrës në poezinë alegorike «Në breg të lumit», në strofën e parë të së cilës shfaqen imazhe magjepsëse që sugjerojnë lumturinë, ndërsa në të dytën zë vend dhimbja dhe vdekja. Ky dualizëm i krijuar bashkë me njerëzimin, u pajtuam apo nuk u pajtuam me të, është i pashmangshëm. Ndërsa, aftësia për të përballuar kundërshtitë e jetës është art në vete dhe për ta zotëruar këtë art, poeti thotë se «duhet të mbash gjithmonë një gjilpërë me penj / dhe sa herë lind nevoja / ta rregullosh jetën ku është prishur». Një specie e veçantë e njerëzve janë poetët, ata që i kundërvihen rrjedhës së zakonshme të jetës, ata që i ushqejnë ndjenjat e pjesës tjetër të njerëzimit, apo siç thotë Bajraj «i mësojnë engjëjt si të zbresin në tokë». Bajraj nuk mund të pajtohet me lëvizjen e njerëzimit që era e panjohur e «shtyn për në askund», ashtu siç nuk mund të pajtohet as me «shpërbërjen e njeriut» dhe si oponencë të tyre ai jep poezinë, sado që ajo shpesh lind nga «turpi i të qenit njeri».

Turpi i të qenit njeri aktualizohet edhe më tepër në poezitë që trajtojnë temën e zhgënjimit me frytet e lirisë së stërkequr, temë kjo mjaft e preferuar për poetin Xhevdet Bajraj dhe që trajtohet edhe në poezitë e librit «Vitet që nuk e sollën pranverën». Përmes metaforave mjeshtërore, Bajraj arrin të pikturojë realitetin e dhimbshëm të dy dekadave të fundit të jetës së bashkëkombësve të tij. Ai nuk mund të jetë indiferent ndaj «kohës që lejon çdo gjë», ku: «liria (e paguar me gjak) / veshur me kostum korrupsioni / ecën me krenari nëpër rrugën e verbër të jetës». Ai dikur nuk mund të ishte i qetë nga «britmat e luftës», ndërsa tani nga ato të paqes, të asaj paqeje ku: «liria zvarritet me këmbë të thyera / nëpër rrugët e atyre që e dhanë jetën për te». Për poetin është absurde të pajtohet me faktin që vitet e lirisë u kthyen në vite të përgatitjes për pritjen e apokalipsit, tragjizmi i të cilave përmblidhet në metaforën e «viteve pa pranverë». Atdheu që jeton epokën e viteve të hidhura pa pranverë nuk mund të jetë i aftë për t’u bërë vend as dallëndysheve që ikën kur mbretëronte acari, por as bijve të tij që u larguan nga përndjekjet e pushtuesit, një fakt ky që intensifikon edhe më tepër dhimbjen e poetit.

Në një realitet të tillë ku duket se është përmbledhur dëshpërimi i gjithë shekujve, krijohet përshtypja se nuk ka mbetur aspak vend për dashurinë. Megjithatë, poeti Xhevdet Bajraj i bën vend asaj edhe brenda kësaj errësire, sepse për të dashuria është indikator i të jetuarit, prandaj thotë: «Kur njeriu pushon së dashuruari / është i lirë të vdes». Nga poezitë me temën e dashurisë, që përmblidhen në ciklin «Ballkoni me pamje nga deti» shohim se për poetin Xhevdet Bajraj, nga të gjitha përjetimet e kësaj bote, nga të gjitha ndjenjat që lindin brenda komunikimit ndërnjerëzor, dashuria është e vetmja që ia vlen të mbahet në mend edhe atëherë kur njeriu shpërbëhet në një grusht dhè, por edhe e vetmja që arrin të rimojë trupin me jetën. Por, brenda një bote ku më tepër i kushtohet vëmendje vrasësit sesa viktimës, ku, të duash është turp por jo edhe të urresh, ku lirisë i thurin himne xhelatët dhe ku «zogu nis fluturimin i bardhë por kthehet i zi në fole», pra në një botë të tillë edhe dashuria merr ngjyrime të tjera, për t’u shfaqur si një variant i dhimbjes.

Në përmbyllje të këtyre vëzhgimeve të përgjithshme mbi librin me poezi «Vitet që nuk e sollën pranverën» të Xhevdet Bajrajt, mund të thuhet se ky vëllim poetik e çon edhe një hap më tutje poezinë shqipe, si për nga stili i lartë dhe origjinal, figuracioni i pasur dhe i veçantë, për nga trajtimi specifik i temave dhe motiveve, ashtu edhe për nga ndikimi estetik që ushtron te lexuesi. Poezitë e Xhevdet Bajrajt vazhdojnë të shfaqen si një sintezë e preokupimeve të njeriut të këtij shekulli, ku vend me rëndësi zënë edhe preokupimet e botës shqiptare. Nëse poezitë ku trajtohen temat universale janë të mbrujtura me përsiatjet e poetit mbi jetën dhe ligjshmëritë e saj, të tjerat që në qendër kanë atdheun dhe fatin e tij, janë një klithmë dhimbjeje për gjendjen tonë, por edhe një thirrje për t’i dhënë kuptim jetës, sepse «koha nuk pret askënd».