Vitet e mia me Obamën

Përse ky president sërish më ka dhënë besim në eksperimentin e kuturisur amerikan.

Barack Obama. Foto: Shutterstock

Vështirë më besohet se vitet e Obamës gati morën fund në Amerikë dhe në botë. Duket se ikën aq shpejt. Pjesërisht është kështu, sepse e djathta raciste në Shtetet e Bashkuara për tetë vjet me radhë ka bërë me të vërtetë gjithçka për t’i bindur amerikanët se presidenca e Obamës s’ekziston fare; ai nuk na qenkësh gjë tjetër përveç se një ngatërresë, prej së cilës ne do të zgjohemi shumë shpejt dhe pastaj qeveria e vërtetë, Amerika e vërtetë, një vend, në të cilin presidenti është përherë i bardhë, thjeshtë do të vazhdojë më tutje i pakontestuar me siguritë e vjetra politike dhe me akterët e njohur. Le të ëndërrojë më tutje, kush i beson kësaj.

Nëse këto vite me Obamën për mua kanë pasur një rëndësi veçanërisht të habitshme, atëherë këtë: kam përjetuar se në çfarë ekstremi të rrezikshëm dhe dëshpërues është fundosur lëvizja dikur e besueshme politike, sot në vdekje e sipër, konservatorizmi amerikan, në përpjekje për ta mbajtur veten gjallë. Kishte akuza të vrazhda, sipas të cilave Obama nuk qenkësh fare amerikan, as i krishterë, se ai mbështet terrorizmin dhe ka «shkaktuar» së fundi masakrën në Orlando. Dhe kështu me radhë.

Një qeveri e zgjedhur kujdeset që vendi dhe bashkëvendësit të shohin veten në pasqyrë. Kjo është një ndër arsyet përse ne duhet ta marrim seriozisht të drejtën tonë elektorale: duke e ushtruar atë, ne mësojmë diçka për veten tonë dhe bashkëqytetarët tanë. Por, pikërisht për këtë arsye 47 për qind e amerikanëve nuk marrin pjesë në zgjedhjet nacionale. Ne nuk duam të dimë aq shumë për veten tonë dhe të tjerët. Errësira e paditurisë është më e rehatshme. Sepse prej dijes mund të rezultojë obligimi për të vepruar. Për këtë obligim, të cilin e përfaqëson Obama, amerikanët me të vërtetë nuk kanë kohë.

Madje as e majta politike nuk është interesuar aq shumë për Obamën, thua se edhe për ta ai ishte një ngatërresë – vetëm se i llojit tjetër: një devijim nga ajo çfarë njohim, por pa kohëzgjatje. (Kush beson se së shpejti mund të ketë një president amerikan të racës së zezë, le të çohet në këmbë … dhe shpejt të futet në istikam).

Reagimet ndaj presidencës së Obamës, të cilën kemi mundur ta përcjellim, pa marrë parasysh nëse kemi dashur apo jo, nuk janë të mira. Kemi përjetuar një refuzim të egër, të stuhishëm të së vërtetës – të së vërtetës mbi historinë amerikane, mbi problematikën e racave, mbi synimet tona dhe prioritetet e kombit dhe madje edhe për çështjen se çfarë në të vërtetë domethënë «e mirë». Kemi përjetuar shpifje dashakeqëse të qytetarisë sonë, një gërryerje të rrezikshme dhe cinike të institucioneve tona shtetërore. Kemi qenë të shtyrë të përjetojmë se si vihet në pyetje integriteti ynë si komb në botë.

Këto zhvillime të këqija Barack Obama sigurisht as nuk i ka dashur, as nuk i ka shkaktuar – por presidenca e tij padyshim ofroi një rast për këtë. Jam i sigurt se vetë Obama përherë e ka ditur se presidenca e tij mund të ketë konsekuenca të tilla. Në fytyrën e re të Obamës çdo amerikan ka mundur të shoh se si atij i shfaqej ky perceptim, kur në vitin 2008 u gjend nën një dritë projektori në një skenë në Chicago dhe kuptoi se së shpejti do të jetë president. Ishte një moment i çiltërsisë së pamëshirshme për të dhe për të gjithë ne, një çast që sugjeronte të mendojmë se çfarë t’i dëshirojmë vetes.

Ndoshta Obama nuk ishte fare optimist se si njeri dhe president do ta jepte testin, i cili po e priste, por jam i sigurt se ai shpresonte se Amerika nën qeverinë e tij do t’i kishte punët më mirë se vendi të cilin e kishte gjetur kur u bë president. Po ashtu jam i sigurt se ai besonte në sentencën e lashtë amerikane se «drita e diellit është mjeti më i mirë dezinfektues», domethënë se ai ishte i bindur se për të dhe për Amerikën dhe për një ndryshim pozitiv në të mirën e të gjithë qytetarëve është më mirë t’i marrë menjëherë parasysh anët e errëta të vendit të tij në vend se t’i injorojë më tutje. Ai madje ndoshta ka menduar se ia vlen të angazhohet me jetën e tij për ta sjellë dritën. Tani kur po largohet nga posti, të shpresojmë se pati të drejtë.

Por, ekziston edhe një arsye tjetër përse ne nuk duam tamam të besojmë se vitet e Obamës do të marrin fund së shpejti: është kërcënimi i pështirë se tani do të vijnë «vitet e Trumpit» apo pashmangësia torturuese e «viteve të Clintonit». Edhe këto janë dy pikëpamje, për të cilat me qejf s’duam të mendojmë. Ndërsa ndjejmë se si përsëri po mbyllen perdet e vjetra, të mykura politike, këta dy presidentët e ardhshëm të mundshëm na sugjerojnë se Obama vërtet mund të ketë qenë një ngatërresë.

Sepse këta dy kandidatë paksa të mërzitshëm janë pasojë e drejtpërdrejtë, ndonëse e çakërdisur e presidencës së Obamës: Trump, i cili pasqyron përçarjen dhe shpërbërjen e Partisë Republikane; dhe Clinton, e cila i kryeson demokratët si një relikt të hutua, regresiv të New Deal – 75 vjet më vonë. Edhe njëherë: ky nuk është faji i Obamës. Unë jam i lumtur që e kemi bërë president, kur e patëm shansin për ta bërë, dhe për këtë e duroj çarjen aktuale të thelbit politik. Madje edhe nëse kjo domethënë se tani për tani asnjëra nga dy partitë e mëdha amerikane nuk mund të ofrojnë një kandidat, të cilin duan ta zgjedhin shumë njerëz. Por, ne patjetër duhet të zgjedhim. Nëse kjo dilemë sinjalizon një krizë kushtetuese apo tregon për dhimbjet në rritje të kombit, i cili shumë ngadalë po kthehet nga e mira, për këtë duhet të presim. Ah, unë, sidoqoftë, do ta zgjedh Clintonin.

Fundja, ekziston edhe një rrafsh i tretë, i cili ndoshta mund të quhet «sizmologji personale», pra aftësia e një presidenti për të shkaktuar valë të mëdha tronditëse në mbarë vendin dhe rreth e rrotull botës. Në këtë rrafsh mandati tetëvjeçar i Obamës fare s’ka ndryshuar aq shumë, siç premtonte suksesi i tij historik në vitet 2007 dhe 2008. Që ai ishte i pari dhe i paprituri president afroamerikan (dhe shumë i mirë), kjo nga historia përherë do të shikohet si e arritur e madhe e tij dhe si njëri nga kontributet e mëdha të vendit tonë, dhe dikur për këtë do të flitet me ton të njëjtë respekti si për heqjen e skllavërisë apo dhënien e të drejtës së votës për gra.

Trashëgimitë janë konstruksione boshe, me të cilat ne amerikanët merremi në mënyrë pazakonshëm intensive, sepse nuk na pëlqen aq historia. Se cila do të jetë trashëgimia e Barack Obamës, cili është kontributi i tij për të ardhmen e Amerikës – për të përcaktuar këtë duhet kohë. Për mua personalisht ishte ngjarja më e mirë dhe më shpresëdhënëse politike e jetës sime kur ai u zgjodh dhe u rizgjodh – dhe gjatë gjithë këtyre viteve mbeti njeri i ndershëm, inteligjent, i përgjegjshëm.

Jo, ai assesi nuk ka bërë gjithçka çfarë pritej prej tij, as në mënyrën, as me shpejtësinë, me të cilën kam pritur. Por, qeverisja reprezentative nuk domethënë se presidenti është i dërguari im personal apo shërbëtori im, por i mbarë vendit. Me veprimet e tij, me modelin e tij Obama më ka dhënë mua dhe shumë amerikanëve një arsye për të besuar edhe pak më gjatë në eksperimentin e kuturisur amerikan. Dhe si shkrimtar e di: nëse ne mund të themi diçka, mund edhe të ndodhë. Për këtë shkak Obamën e konsideroj si fillim, jo si fund, dhe them se besoj fuqishëm se e mira do të vijë.

(Richard Ford, 72, është njëri prej shkrimtarëve më të rëndësishëm amerikanë. Ky tekst u botua në gazetën gjermane «Die Zeit»).