Visar Ymeri: «Mërgata duhet të jetë sa më aktive politikisht në vendet ku jeton»

Një delegacion i Lëvizjes Vetëvendosje, i prirë nga kryetari i saj, Visar Ymeri, po qëndron në Zvicër. Ajo është e ftuar në Kongresin e Partisë Socialdemokrate këtu dhe po realizon takime me mërgimtarët shqiptarë në Konfederatën Helvetike. Intervistë.

Visar Ymeri, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje. (Foto: zVg)



Z. Ymeri, partia juaj ka namin se është relativisht e izoluar në botë. Çfarë lajmi paraqet për opinionin dhe për ju ftesa për të marrë pjesë në Kongresin e Partisë Socialdemokrate të Zvicrës?

«Në rrafshin e fakteve, kjo është hera e dytë që ne marrim pjesë në një kongres të Partisë Socialdemokrate në Zvicër. Kohëve të fundit kemi pasur një bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë me këtë parti. Lëvizja Vetëvendosje është në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha partitë e spektrit të majtë të socialdemokratëve të Evropës dhe më tej. Në tetor ishim në Bruksel, ku morëm pjesë në Konferencën e Vjetore të Aleancës Progresive, një grup informal që i mbedh të gjitha partitë socialdemokrate të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe më gjerë. Konsideroj që është jashtëzakonisht e nevojshme që Lëvizja Vetëvendosje të bëhet pjesë e këtyre organizimeve partiake të spektrit të majtë në Evropë dhe në botë, sepse kështu edhe i jep zë Kosovës në këto forume shumë të rëndësishme politikisht. Por, kjo është edhe një mundësi për ta treguar të vërtetën tonë, për shqiptarët, për historinë dhe për aktualitetin në Kosovë.

Në anën tjetër, është një mundësi shumë e mirë për këmbimin e përvojave dhe të mësojmë nga këto subjekte politike edhe për çështje programore dhe organizative. Në këtë drejtim, konsideroj që për Lëvizjen Vetëvendosje, dhe për Kosovën, në përgjithësi, një lloj bashkëpunimi i këtillë me partitë, në këtë rast të spektrit të majtë, ku edhe përcaktohet ideologjikisht Lëvizja Vetëvendosje, është edhe i rëndësishëm, edhe i dobishëm. Ndërohë që ka veçanërisht hapësirë më të madhe të bashkëpunimit me partitë e vendeve ku ka mërgatë shqiptare, siç është rasti me Zvicrën, sepse, ta zëmë, shqiptarët në Zvicër e kanë një peshë të jashtëzakonshme politike dhe është në interes edhe të Partisë Socialdemokrate këtu që ta ketë votën e shqiptarëve në Zvicër. Kështu, Lëvizja Vetëvendosje mund të bëhet e dobishme edhe për aspektin elektoral, në këtë rast të Zvicrës.

A do të keni paraqitje në Kongresin e Partisë Socialdemokrate të Zvicrës?

Jo, do të jemi vetëm si mysafirë. Gjithsesi do të kemi rast për takime dhe kontakte, jo vetëm me përfaqësues të Partisë Socialdemokrate në Zvicër dhe me mysafirë të tjerë që vijnë kryesisht nga partitë tjera socialdemokrate të Evropës, por nuk do të kemi paraqitje zyrtare në programin e kongresit.

Nuk është ky ndonjë përjashtim?

Nuk e di si është organizuar, por nuk besoj që është përjashtim për Vetëvendosjen. Ne jemi të ftuar si mysafirë dhe do ta kemi statusin e mysafirit, siç e kanë të gjithë të tjerët. E përsëris që me Partinë Socialdemokrate të Zvicrës kemi pasur një bashkëpunim posaçërisht të mirë dhe më të hershëm sesa me partitë tjera.

Cilat janë partitë tuaja aleate në Evropë, ose edhe më gjerë?

Ne kemi qenë mysafirë në Kongresin e Partisë Socialiste të Francës para dy vjetëeve. E kemi një bashkëpunim të shtuar me SPD-në gjermane; kemi vënë kontakte shumë të mira me Partinë Laburiste në Britaninë e Madhe, ku synojmë ta realizojmë një vizitë shumë shpejt, në fillim të vitit të ardhshëm. Po ashtu kemi pasur kontakte dhe takime me socialdemokratët e Suedisë, të cilët aktualisht janë duke qeverisur, si dhe me socialdemokratët e Norvegjisë. Kur ishim në Bruksel kemi pasur takime shumë të mira, të nivelit të lartë, edhe me Partinë Socialdemokrate të pjesës flamane, si dhe me atë të pjesës frankofone të Belgjikës. Spektri dhe profili i partive politike me të cilat Lëvizja Vetëvendosje synon dhe ka arritur një bashkëpunim të mirë është i madh.

Vota e mërgimtarëve llogaritet si shumë e vlefshme, sepse ajo është e «patrafikueshme», referuar përvojave dhe ankesave të shumta nga atje. Në takimet me mërgatën, përveç ftesës për t’u solidarizuar me Vetëvendosjen, cili është mesazhi juaj më i gjerë për Diasporën?

Mendoj që mërgata duhet të jetë më aktive në politikën kosovare. Këtë e kemi thënë vazhdimisht dhe e themi, sepse ajo është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe karshi shtetit të Kosovës ka një qasje të shëndoshë dhe të dobishme për Republikën e Kosovës. Ndërkohë që mërgata duhet të jetë sa më aktive politikisht në vendet ku ajo jeton. Qoftë nëpërmjet partive politike, qoftë nëpërmjet sindikatave të punëtorëve, apo nëpërmjet shoqatave të studentëve, sepse me angazhimin nëpër strukturat politike dhe shoqërore të vendeve ku jeton, ajo i ndihmon vetes, për shkak se u jep zë e përfaqësim shqiptarëve që jetojnë aty, por i ndihmon edhe Kosovës, duke i shfrytëzuar të gjitha forumet dhe organizatat shoqërore, ta zëmë në Zvicër, Gjermani e kudo që jetojnë shqiptarët, në mënyrë që e vërteta për Kosovën, veçanërisht për historinë e vonë të saj, raporti që ajo e ka me vendet fqinja të dëgjohet drejtpërdrejt nga shqiptarët, e të mos lejohet që të manipulohet, veçanërisht nga Serbia, siç ka ndodhur deri tash.

Çfarë thotë programi juaj për Diasporën?

Ne mendojmë që mërgata është tepër e rëndësishme për zhvillimet në Kosovë dhe njëkohësisht jashtëzakonisht e anashkaluar, në njëfarë mënyre e shkelur në raport me zhvillimet në Kosovë. Anashkalimi vjen kryesisht për shkak të pamundësisë së përfaqësimit politik të mërgatës. Ne në programin tonë kemi propozuar që mërgata ta ketë të garantuar të drejtën e votës dhe kjo nuk e nënkupton atë vetëm formalisht, por edhe realisht, nëpërmjet infrastrukturës. Ne kemi propozuar që në ligjin zgjedhor të bëhen ndryshime me qëllim qëmërgata të mund të votojë në vendin ku ajo jeton në ambasadat dhe konsullatat e Republikës së Kosovës, e nëse nuk ka të tilla, atëherë nëpërmjet një marrëveshjeje këtë ta bëjnë në ambasadat dhe konsullatat e Republikës së Shqipërisë. Kjo meqenëse mërgata shqiptare është përgjithësisht e bashkuar dhe me qëllim që asaj t’i garantohet një numër i ulëseve në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në mënyrë që kjo pjesë kaq e rëndësishme e popullit tonë të jetë e përfaqësuar në institucionet politke të Republikës së Kosovës.

Nën anën tjetër, mërgata është jashtëzakonisht e rëndësishme edhe si përgatitje profesionale. Asaj duhet t’i krijohet hapërsirë në institucionet shtetërore, në kompanitë publike, e kështu meradhë, ashtu që ata të cilët duan të mund të vijnë, të kthehen në Kosovë për të mirën e vendit. Ta thithim këtë tru, dijen që shqiptarët e kanë arritur në botë me përvojat e tyre profesionale, që t’i ndihmojmë shtetit të Kosovës dhe që mërgatës t’i krijohen lehtësira për investime në ekonominë e Kosovës, në mënyrë që ajo ose drejtpërdrejt, ose në mënyrë indirekte, nëpërmjet një fondi zhvillimor, ta ndihmojë zhvillimin ekonomik të Kosovës, për çka ajo ka interesim dhe do të duhej të kishte të drejtë.